Marrëdhënia e vështirë/ Franc Kafka -Letër babait: Kam frikë prej teje

I dashur baba! Kohët e fundit rasti e solli të më pyesësh se përse kam frikë prej teje. Si zakonisht, s’kam ditur të përgjigjem, dhe kjo, pasi nga njëra anë, më kall frikën dhe nga ana tjetër, sepse, për ta gjetur arsyen e kësaj ndjesie do të më duhej të hyja ne te thella, shumë më tepër se do të ma lejonte një letërkëmbim i thjeshtë. Duhet ta dish se, kur po të shkruaj, ndjehem i kapluar nga frika që më ke kallur dhe nga pasojat e saj! Nga ana tjetër, diapazoni i gjerë i temës qëndron shumë më lart se kujtesa dhe inteligjenca ime… Duke përmbledhur gjykimin tënd për mua, del që ti më akuzon për sjellje të këqija apo për veprime të padenja (ndoshta, me përjashtim të planit tim të fundit për t’u martuar), më akuzon për ftohtësi, indiferencë, mosmirënjohje dhe m’i përplas në fytyrë, sikur vetëm unë qenkam fajtori, sikur me një shkop magjik do të mundja të ndreqja gjithçka, ndërsa ti nuk paske kurrfarë faji, përveçse je sjellë me mua më mirë se ç’duhej…
Padyshim, nuk them se u bëra i tillë vetëm për shkakun tënd, do të ishte teprim i tejskajshëm. Ka shumë gjasa që edhe po të isha rritur plotësisht i çliruar nga ndikimi yt, për ty unë kurrë nuk do të isha në lartësinë e duhur. Jam pothuajse i sigurt se, sidoqoftë sërish do të isha shëndetlig, i lëkundur, i trazuar e plot ankthe…
Do të isha i lumtur të të kisha shok, shef, xhaxha apo gjysh madje (megjithese dyshoj për këtë) edhe vjehërr. Ndërsa si baba ke qenë tepër i ashpër me mua… U rrita fëmijë frikacak, por edhe kokëfortë siç janë fëmijët. Padyshim, mamaja m’i plotësonte tekat, por nuk besoj se kam qenë i bezdisur, s’mund ta besoj që një fjalë e ngrohtë, një vështrim i përdëllyer, duke më marrë qetësisht për dorë, të mos e platitnin qënien time, dhe të arrije çka dëshiroje. Se ti, në thelb, je njeri babaxhan dhe i dhembshur (ato çka po them nuk bien në kundërshti, flas për përshtypjen që kisha krijuar për ty në vogëli), por jo të gjithë fëmijët janë aq këmbëngulës dhe të guximshëm që të rendin kaq gjatë pas dashurisë, derisa të gjejnë atë. Ti, di ta trajtosh një fëmijë vetëm sipas midesë sate, gjithë forcë, rrapëllimë e nerva të cingërisura dhe në rastin tim, kjo të duket kaq e qëlluar, pasi doje të shihje tek unë një djalosh të fortë e guximplotë. Sot, është e qartë, arrij t’i përshkruaj vetëm tërthorazi metodat edukative që përdorje në hapat e parë të jetës sime, por, sidoqoftë, arrij t’i ravijëzoj sërish në mendje, duke pasur parasysh periudhat e mëvonshme dhe mënyrën se si sillesh më Feliksin.
Veç kësaj, duhet mbajtur parasysh se atëherë ishe mjaft më i ri, pra më i fuqishëm, më energjik, më i shpërqëndruar, ishe më pak i kujdesshëm nga ç’je tani dhe i përpirë nga puna jote; mezi të shihja një herë në ditë dhe përshtypja që ngjallje tek unë ishte e thellë dhe kurrë nuk u nemit e s’u bë monotone. Nga vitet e para të jetës ndërmendësohej vetëm një ndodhi. Ndoshta e kujton edhe ti. Një natë qarravitësha paprerë, sepse doja ujë, sigurisht jo për shkak të etjes, por ndoshta për të të bezdisur dhe për t’u zbavitur. Meqë kanosjet fjalërënda s’kishin bërë punë, më ngrite nga shtrati, më nxore në ballkon, mbylle derën dhe më le aty, për pak çaste, vetëm, në fill të këmishës.
S’dua të them se nuk veprove drejt; ndoshta atë natë, me të vërtetë, s’ia dilje dot ndryshe që të preheshe në paqe; desha vetëm të të përshkruaj mënyrat e tua edukative dhe vragat që lanë mbi mua. Ai ndëshkim, sigurisht, më bëri më kokulur, por më trallisi në thellësi të shpirtit.
Kurrë nuk arrita të vë në kandar ujin që kërkoja, kokëngjeshur si mushkë, dhe frikën pa anë e fund që ndieja teksa gjendesha jashtë. Edhe vite më vonë, më kallte datën fantazia brejtëse sikur burri i stërmadh, im atë, vendi i fundit ku mund të përplasja kokën, mund të vinte natën, pa kurrfarë shkaku dhe të më nxirrte vrikthi, nga shtrati në ballkon; pra, për të, s’isha veçse një zero më xhufkë.
Kundërvënia jote godiste si mëndimet ashtu edhe personat. Mjaft që unë të shprehja një farë interesi për dikë, që nuk ndodhte shpesh, falë karakterit tim, dhe ti shpejtoje t’ia bëje gropën me fyerje, shpifje, sharje, pa treguar pikën e respektit për ndjenjat e mia dhe pa marrë parasysh gjykimin tim. Pamundësia per të komunikuar qetësisht më ty çoi në një rrjedhojë logjike: u ç’mësova të flas. Ti shumë herë ma ke ngecur fjalën në grykë. Kanosja e përhershme: “Nuk dua kundershtime!” dhe dora e ngritur lart, urdhëruese nuk më janë shqitur nga mendja edhe sot e kësaj dite… dhe meqë ti ke qenë edukatori im i vetëm, pasojat janë pasqyruar në të gjitha fushat e jetës sime. Është një keqkuptim i çuditshëm fakti që, sipas teje, une s’ditkam të jem i bindur. “Kundërshtimi i përhershëm” kurrë nuk ka qenë parimi i ekzistencës sime, edhe pse ty të është ngulitur kjo ide dhe vazhdimisht më qorton. Përkundrazi, nëse do të tregohesha më rebel, sigurisht, do të kishe mbetur më i kenaqur prej meje. . .
(Pjesë nga Letra e Franc Kafkës për babain)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *