Mall, emigrim e isopolifoni në Bienalen e Venecias

Shqipëria është prezantuar në ceremoninë e hapjes së Bienales së Venecias në një mënyrë krejt të veçantë. Ministria e Kulturës paraqiti “Të kam lënë malin” në ekspozitën e 15-të ndërkombëtare të arkitekturës në Bienalen e Venecias, nga sot deri me 27 nëntor 2016. Muzika “isopolifonike” e interpretuar nga katër grupe folku me tekste të shkruara nga personalitete shqiptare dhe ndërkombëtare mbi emigrimin kanë jehuar në Arsenale në kuadër të projektit “Të kam lënë malin”.

Nga: Fatmira Nikolli/ Gazeta Shqiptare

Kuratorët Simon Battisti, Leah Whitman-Salkin dhe Åbäke i kërkuan muaj më parë 10 personaliteteve – poetëve, shkrimtarëve, arkitektëve dhe artistëve të shkruanin tekste rreth emigracionit. 10 bashkëpunëtorët shqiptarë e ndërkombëtarë janë: Etel Adnan, Mourid Barghouti, Michel Butor, Claire Fontaine, Yona Friedman, Anri Sala, Michael Taussig, Yanis Varoufakis, Ornela Vorpsi dhe Finn Williams. Ndërsa tekstet do bëhen publike me kalimin e ditëve, një nga kuratorët e pavijonit shqiptar, arkitekti amerikan Simon Battisti, i tha BIRN se teksti i Varoufakis ishte shumë personal. “Në tekst ai tregon historinë e tij të të qenit larg shtëpisë dhe i ndarë nga vajza, që jeton larg prej tij”, theksoi ai.
Tekstet e tyre në gjuhë të ndryshme janë përkthyer në shqipe dhe janë kënduar nga grupe folklorike nga Tirana, Himara, Fieri dhe Vlora, duke sjellë këngë të reja folk nga zonat që i kanë kënduar gjithëhere mallit, emigrimit dhe ikjes. Simon Battisti është arkitekt dhe lektor në Tiranë, Leah Whitman-Salkin është botuese me qëndrim në Tiranë e së bashku me Åbäke janë kuratorë të Pavijonit Shqiptar në Ekspozitën e XV Ndërkombëtare të Arkitekturës, La Biennale di Venezia.
Projekti “Të kam lënë malin” paraqet tekste të reja të shkruara nga shkrimtarë dhe mendimtarë bashkëkohorë mbi arkitekturën e zhvendosjes. Këto tekste janë hedhur në muzikë dhe kënduar nga disa prej grupeve të fundit të mbetura të iso-polifonisë, një formë arti e mbrojtur tanimë nga UNESCO si “trashëgimi e kulturës shpirtërore”. Ajo është një formë e gjallë arti, shoqëruese e brezave të emigracionit dhe tranzicionit, “të kënduarit e mërgimit” ka qenë në thelb të përjetimit të largimit, mallit dhe rikthimit. Pavijoni Shqiptar është një hapësirë e të dëgjuarit kolektiv; të “individëve në shoqëri”. Projekti “Të kam lënë malin” nis një bisedë rreth urbanizmit të zhvendosjes, duke e projektuar rastin shqiptar në skenën ndërkombëtare, me synimin e qartë për ta përcjellë këtë dialog më pas në Shqipëri.
Grupet isopolifonike përbëhen nga: Fieri me Petrit Canaj, Llazar Dumi, Kastriot Halihoxha, Nesim Meno, Muharrem Mezani, Guri Rrokaj, Fatmir Tahiraj dhe Shaban Zeneli; Vlora me (organizuar nga Sejmen Gjokoli) Adriatik Cenko, Viktor Gjoka, Sinan Gjoleka, Vendim Kapaj, Piro Latifaj, Dejrim Mustafaraj dhe Trifon Malaj; Himara (organizuar nga Kristo Çipa) me Luljeta Çipa, Valentina Gerdhuqi, Violeta Gerdhuqi, Zaharulla Koka, Polite Merkuri, Eglanda Prifti dhe Vojsava Zenelaj; dhe Tirana me Dhurim Ballo, Sotir Ballo, Nazo Celaj, Trifon Golemi dhe Hyso Xhaferraj.
Tekstet
Simon Battisti shkruan në tekstin kuratorial të titulluar “Arkitektura e zhvendosjes” se sot shumëçka që gjendet në Komunën e Parisit, një lagje relativisht e re e Tiranës dikur nuk lejohej. “Këto fasada i përkasin një qasjeje dhe një qyteti me një marrëdhënie të veçantë me jashtë. Përvetësimi i identiteteve pamore nga Perëndimi, siç bën ‘Paris Night Club’, dikur ishte i jashtëligjshëm në Shqipëri. Përgjatë sundimit dyzetepesëvjeçar të Partisë Komuniste, ishin rreptësishtë të ndaluara imazhet që paraqisnin botën e jashtme, apo mbërrinin prej saj. Sot procesi i zhbërjes së këtij izolimi mund të shihet në qytet. Ky proces ndodh gjithashtu në nivel individual; përvoja me botën e jashtme është kthyer në bazë përcaktuese të statusit social, në të cilin komunikohet në veshje dhe botëkuptim”.
Ai shënon se më 2013-tën, 43 për qind e shtetasve shqiptarë jetonin jashtë. “Mërgimi sjell pasoja të vërteta emocionale dhe psikologjike. Për sociologun Abdelmalek Sayad, procesi i emigrimit prodhon një “mungesë të dyfishtë” në botën shoqërore të mërgimtarit. Në vendin pritës ai është një i huaj i papranueshëm, ndërsa, kur kthehet në shtëpi, ndihet në siklet me ata që dikur la pas, si pasojë e përvojës së huaj, e cila i ka dhënë të tjera interesa, e ndoshta, dhe pasuri. Të mërguarit, dyfish të munguar, shtëpia dhe identiteti i shfaqen “midis”. Megjithatë, në Shqipërinë e sotme urbane, përvoja e mërgimit është kaq e përhapur sa ka reshtur së qeni burim alienimi”.
Ai shënon se gjatë viteve ‘të egra’ 1990, shumica e ndërtimeve të reja në qytetet shqiptare ishin të panevojshme dhe të kabashme. Këto ndërtesa të reja ngushtuan hapësirat urbane, duke bllokuar rrugët e kullimit dhe devijimit të ujërave. Ai mandej vëren se qytetet shqiptare janë “shkatërruar”: Saranda, stolia e dikurshme e jugut, është “shkatërruar”; Durrësi, qytet-porti kryesor, dikur me gjerdan pishash dhe sot me ndërtesa shumëkatëshe, “i shkatërruar”. Kjo ndjenjë shpreh se qytetet shqiptare kurrë nuk do të kthehen të rregullta si dikur. Prandaj duhet parë tjetërkund. Sipas tij, ka një paradoks ironik në këtë bindje: Çfarë është ndërtuar në komunizëm është një kujtesë e padëshiruar e së shkuarës për këdo, por në të njëjtën kohë, qytetet janë rrënuar pakthyeshëm nga e reja. Nga ky këndvështrim, mund të kuptohet në tërë thellësinë e saj ndjesia e zhgënjimit dhe klaustrofobisë, me të cilën shqiptarët përshkruajnë hapësirën e tyre urbane.
Esetë
“Ngushëllimi i zërit në një botë të munguarish”, është titulli i esesë së Eckehard Pistrick, një etnomuzikolog në Martin-Luther-Universität Halle-Wittenberg dhe autor i “Performing Nostalgia: Migration Culture and Creativity in South Albania (2015)”.
Ai shënon se kur mbërriti për detyrën e parë në terren, në qytetin-port të Vlorës në Shqipërinë jugore, i këshilluan të përmbahej e të mos hante peshk të freskët. “Peshku, mesa thonin vendasit, mund të qe ushqyer me mbetjet e shqiptarëve të mbytur në përpjekje për të mbërritur Italinë duke kaluar ngushticën e Otrantos. Përplasja e një anijeje të tejmbushur me një fregatë të marinës italiane më 28 mars 1997, e njohur si ‘Tragjedia e Otrantos’, la të vdekur nga 57 deri në 85 emigrantë; një fatkeqësi e përmasave antike”. Por sipas tij, Otranto ishte vetëm maja e një ajsbergu të frikshëm statistikash nga demografë, ekonomistë dhe politikanë, të cilët u gjendën përballë një shpërnguljeje njerëzore të pashoqe. Studiuesit e emigracionit u magjepsën para këtij “laboratori të mërgimit”, ku mund të vrojtohej me lupë dhe me xhirim të shpejtë, se si një regjim i izoluar komunist, me liri rreptësishtë të kufizuar lëvizjeje, kthehej në një vend me kufij të hapur. Ai vëren se këto shifra dhe ideja e një “inkubatori të mërgimit”, e zhveshën mërgimin nga përmasa e tij thellësisht njerëzore. “Të kënduarit ishte një mënyrë komunikimi në një botë ku letrat, apo rrëfimet e atyre që ktheheshin, ishin burimi i parë i informacionit. Por, ata që largoheshin dhe ata që mbeteshin, së bashku u përpoqën të hidhnin një urë mbi humnerën e heshtjes, e të pathënës, duke e koduar atë në këngë. Kjo botë zanore lidhte botët e mungesës dhe të pranisë; ajo ndërtonte një imazh të njëmendtë të atyre që ishin larguar. Ajo lejonte hyrjen në rezonancë edhe të zërave të të çrrënjosurve dhe të ndarëve, të nisur në kërkim të një shtëpie të re fizike dhe shpirtërore”, thotë etnomuzikologu Eckehard Pistrick.
Sipas tij, ky “përkthim” i mungesës përmes këngës quhet këngë kurbeti e çdo interpretim shquhet për “ndarjen e dhimbjes” mes këngëtarëve dhe dëgjuesve. “Mërgimi është i kudogjendur sot në Shqipëri: Ngrehina të pambaruara dykatëshe në periferitë qytetase mëkojnë mitin e rikthimit; kafene të quajtura ‘Schengen’; madje pika karburanti apo autobusësh me emrin ‘Emigranti’. Kjo shpërngulje ka qenë dhe vijon të portretizohet në media si një eksod i përmasave biblike – një ‘ngjarje mediatike’ e ndërtuar dhe e bërë publike nëpërmjet fuqisë evokuese të imazheve. Ky mëshim në shqisat pamore, në bërjen të dukshme të vuajtjes dhe tragjedisë njerëzore, gjithsesi, shpërfill faktin se në Shqipëri mërgimi është një dukuri shumëshqisore, e cila ka po aq nevojë për shqisën tonë të dëgjimit”. Në fund, ai verën se dëgjimi i një kënge vaji na bën të kuptojmë rolin që praktika kulturore tradicionale ka në shqyrtimin e shpërnguljes njerëzore, që nga kohët e lashta e deri sot. Ajo na bën të kuptojmë nëse shqisat tona janë helmuar ndërkohë, apo nëse peshku vjen nga deti i pagëlltitshëm. Ka një truall të paprekur tingujsh, ku mund të gjejë strehë shpresa e atyre që ikën, e atyre që mbetën dhe e atyre që ndjejnë për ta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *