Një vizatim i hershëm i Ferdinand Pacit të kthen sytë nga familja e artistëve. Vetë ai, është ndarë nga jeta, ndërsa i biri Adriani, është tashmë një emër i njohur jashtë Shqipërisë ndërsa nipi i tij Zef Paci është po ashtu punëtor i artit.
Fotoja e mësipërme sillet në vëmendje nga Erzen Shkololli, ish-drejtor i Galerisë Kombëtare të Kosovës.
Duke folur për Ferdinand Pacin, Fritz Radovani, ka shkruar se ai ishte qytetar i Shkodres, artist dhe pedagog i nderuar. Lindur më 30 Maj 1940, Radovani e ka njohur në bankat e shkollës pedagogjike po në Shkoder, në vitin 1952. Familja e Tij ishte ndër ma fisnikët e atij qyteti, ndonëse, “komunizmi barbarisht shpartalloi të gjitha traditat qytetare, po, duhet pranue se mjaft familje, ndoshta, edhe tue rrezikue t’ardhmen e fëmijve të vet, mërriten me ruejtë dhe me i trashigue tek mbasardhësit mjaft doke, zakone e kryesorën Besimin në Zotin”.
Radovani ka shtuar se oborri i shkollës e ma vonë salla e vizatimit e prof. Simon Rrotës, na lidhi si shokë e, ma vonë si piktor të rinj, por edhe përjetsisht miq. Kujdesi dhe dashnia e prof. Rrotës për ne, na bani me u lidhë edhe me artin për të cilin, atëherë ishte sakrificë e madhe me dashtë me tregue të vërtetën që na mësonte profesori po, që, edhe na këshillonte si djelmët e Tij për me e ndjekë ate. E, ndoshta, sot mund të duket edhe e pabesueshme ajo që profesori, na fliste në konfidencë…
“Ai u bë pjesëtar edhe i ekspozitave kombëtare në Tiranë si, dhe, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, e këto arritje ishin vetëm për merita artistike dhe asnjëherë me rrugë tjera të terthorta ose të pandershme…si, shumica e tyne.
Kur u emnue në Shkoder si mësues vizatimi, për disa kohë u përfol për biografinë e Tij, mbasi Ferdinandi nuk kishte deklarue një “njollë” e cila, ishte deponue nga një spijun shumë dashakeqas i joni (F. P. A), i cili, punoi shumë për mosemnimin e Ferdinandit në Shkoder”,- thotë Fritz Radovani.
Me datën 3 shtator 1975, në Shkoder, u hap lajmi i zi i një aksidenti automobilistik që kishte ngja në Thethin e Dukagjinit, ku humbën jetën katër përsona në moshë të re, ndër të cilët ishte edhe Ferdinandi…Nuk ishte e meritueshme për një njeri si Ferdinand Paci një fund jete aq tragjik dhe i dhimbëshem…Asnjëherë, nuk mund të shlyhej nga kujtesa, Atë portret aq fisnik të Ferdinandit, që kishin shkallmue shkrepat e Alpeve tona, me atë pamje të mnershme që unë përjetova në morgun e spitalit civil të Shkodres, atë natë…kur e pashë shokun tem të fëminisë dhe, nuk e njihshe cili asht mes atyne viktimave të asaj nate të zezë.
Ferdinand Paci u nda nga jeta në moshen 35 vjeçare.
Veprat e artit që Ferdinandi i la familjes dhe Atdheut në galeritë e arteve e rendisin ndër Artistët e Kombit tonë. Nuk janë aq të pakta sa mos me u kujtue ato vepra e autori i tyre..!