Kosova kryqëzon Nolin/ U largua nga origjinali, stisi Don Kishotin për shqiptarët

Kosova kryqëzon Nolin!

Në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, që po mbahet aktualisht në Prishtinë, gjatë të hënës në tryezën e organizuar për 400-vjetorin e vdekjes së shkrimtarit Miguel de Servantes lexoi kumtesën e tij edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, zëvendëskryeministri dhe njëherazi edhe profesor i letërsisë në Universitetin e Prishtinës, Kujtim Shala.

Nga Argjenda Selmani/Zëri
Ndër të tjera, Shala tha se “Don Kishoti i Mançes”, i Cervantes-it, është kryevepra që u ngrit dhe u universalizua në fillin e autentikes së parë të saj me një ambient dhe hero tipik që u përhap në semantiken universale.

“’Don Kishoti i Mançës kthehet në provë të autentikes dhe universalizohet duke u ndikuar nga pyetja themelore për shekuj të leximit të veprës ‘Pse lexohet Don Kishoti edhe sot?’. Kjo pyetje e vjetër e çështjeve që lidhen me letërsinë, leximin e kulturën, kurorëzohet me kulturën identitare si rrafsh në të cilin prodhohen e riprodhohen, madje kryqëzohen autentikja, apo e jona e diferencuar, universalja, apo e përbashkëta – humania. Kalorësi i arratisur, Don Kishoti i rrëfimit të Cervantesit, siç e shënon titulli, është i Mançës, përcaktim ky që shënon poetikën e romanit kalorësiak”, tha ndër të tjera në kumtesën e tij ministri Shala.

Sipas tij, duke u përkthyer në shumë gjuhë, kjo vepër që është ndër më të lexuarat në botë, iu ka nënshtruar edhe interpretimeve dhe përshtatjeve të ndryshme, në kultura të ndryshme.

“Noli thotë sepse Don Kishoti është si ne dhe ne gëzohemi për vuajtjen e tij, sepse s’duam të jemi si ai. Por kjo është një ideologji, e kthyer në ideologji, që do të thotë e provueshme në gjithë veprën e Nolit, e cila projekton sa herë që i kërkohet”, u shpreh krijuesi dhe studiuesi Kujtim Shala.

Sipas Shalës kjo çështje është e natyrës kulturore estetike, që do të thotë se veprat janë zgjedhje kulturore apo të formimit.

“Pyetja fillestare kthehet në çështje të re. Çfarë kujtojmë si autentike e çfarë si universale? Kjo na kthen te Don Kishoti yt, për ta parë veprën në gjuhën dhe kulturën tonë, që do të thotë me jetën tonë. Në shqipe pjesën e parë të ‘Don Kishotit’ e ktheu Noli, si gjuhë të veprave të veta. Leximi krahasues e provon se Noli shkurtoi e shtoi dhe se pjesë të tëra janë interpretime të tekstit të Cervantesit, që ruajnë rrëfimin dhe ideologjinë e shqipëruesit dhe e bëjnë rrëfim të Cervantesit”, theksoi Shala.

Sipas tij, kjo ka të bëjë me filologjinë dhe domethënien e veprës dhe kthehet në çështje të autentikes, provës për tekstin e parë dhe për ‘Don Kishotin’ e Nolit, si përftesë gjuhësore, kulturore e ideologjike, përfundimisht identitare.

“Vërtetë “Don Kishoti” i Nolit vishet me rrobat dhe sjellën që do Noli, së pari si përcaktim ideologjik, pastaj si zgjedhje poetike dhe nga personazh kthehet në një person të ambienteve shqiptare. Kështu nis e thuret kultura e shkruar e shqiptarëve me ‘Don Kishotin e Maçes’, përmes zbulesash, përftesash, projeksionesh e identifikimesh që marrin në vete jetën shqiptare të matur me fenomenin universal të donkishotizmit”,

Shala tha se në tekstin e Cervantesit që sjellë Noli në shqip do të gjejmë aq shumë kontekst të jetës shqiptare, aq shumë kur leximin e fillojmë me introduktën e tij për Don Kishotin.

“Që Noli u largua nga teksti autentik i Cervantesit në rrafshin tekstor, por edhe të interpretimit, duket dhe thuhet ngado. Ka që kërkojnë përkthim të ri të ‘Don Kishotit’ për të rigjetur ‘Don Kishotin’ e fshehur nga Noli. Ideologjia me të cilën veproi Noli prodhoi ‘Don Kishotin’ e tij, të stisur për ballkanasit dhe për shqiptarët, një pasqyrë në të cilën do të gjenin fytyrën e tyre dhe ambientin e tyre”, tha Shala.

Shala tha se Noli mëson se për të kuptuar rrëfimin e Servantesit duhet të kuptojmë klasat sociale spanjolle të kohës së shkrimtarit dhe dallimin social që njeh dallimet kulturore i ditur dhe i paditur.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare po mbahet për herën e 35-të me radhë dhe sivjet karakterizohet nga tri tema bosht. Tema boshte e sesionit të letërsisë është “Koncepti i tjetrit në letërsinë shqipe”, tema e sesionit të gjuhësisë është “Varietetet e shqipes”, ndërkohë që nga viti i kaluar është themeluar edhe sesionin e kulturologjisë, ku tema boshte sivjet është “Media në epokën e internetit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *