Në kohë të ndryshme e në mënyra të ndryshme janë disa personalitete të shkencës, kulturës e artit tonë, të cilët kanë kuptuar dhe zbërthyer thelbin e shumëzërëshit popullor shqiptar. Ata janë Faik Konica, Eqrem Çabej Ismail Kadare dhe Ramadan Sokoli”. Muzikologu Vasil S.Tole sjell në vëmendje përmbledhtazi, se secili prej tyre ka theksuar se veçoria kryesore e strukturimit të kësaj trashëgimie të rrallë, kudo ku ajo gjendet, Labëri, Toskëri e Çamëri janë marrëdhëniet muzikore e semantike që krijohen mes individëve këngëtarë të veçantë (marrësit, kthyesit e hedhësit) si zëra solistikë polifonikë, me grupin ose KORIN e ISOS, i cili këndon i mbështetur mbi një të vetme notë. “Polifoni me iso ose iso polifoni shpreh pikërisht këtë specifikë shqiptare të këndimit të shumëzërëshit, pra marrëdhënien mes zërave solistikë polifonikë me ison korale, për të cilën Kadare thotë se është sinonim me popullin. Isoja muzikalisht shfaqet homofonike dhe jo polifonike. Prandaj ky emërtim i përafrohet thelbit të kësaj dukurie të jashtëzakonshme të shqiptarëve, prej 10 vitesh edhe si pjesë e vlerave universale të UNESCO-s”, thotë Tole. Sipas tij, njohja dhe të kuptuarit e isopolifonisë si kulturë në të gjitha elementet e saj është një proces që do të vazhdojë gjatë. Rezultate të tjera me vlere priten prej thellimit në lëndën e saj.