Sopranoja e famshme shqiptare Inva Mula para dy ditëve është ngjitur në skenën e Shtëpisë së Operës së Beogradit, e cila para publikut beogradas është paraqitur me rolin e Mimi të “La Boheme”. Ekskluzivisht për KultPlus ka ndarë emocionet mbi këtë prezantim, që nis edhe bashkëpunimin kulturor mes Shqipërisë dhe Serbisë. Prej kohës kur i është bërë ftesa për këtë shfaqje e deri te ngjija në skenë, Inva Mula ka shpjeguar për këtë emocion, e cila është shprehur se sikur në asnjë shfaqje tjetër ka dashur që performanca e saj të jetë në nivelin e duhur. Inva Mula, përpos këtij prezantimi në Beograd, ka folur edhe për projektet e radhës që e presin brenda vitit, duke mos harruar të bëj thirrjen edhe për ndërtimin e institucionit të Operës së Kosovës
Ardianë Pajaziti/Kultplus
– Tefta Tashko ka performuar në vitin 1945 në Teatrin e Operës së Baletit të Beogradit, dhe tek tashti, në vitin 2016 u ngjitët në skenë me shfaqjen operistike “La Boheme”, po në të njëjtin teatër, por në tjera rrethana dhe me një distancë të gjatë kohore, me çfarë emocioni e prite këtë performancë, qysh prej ftesës kur e more e deri te ngjitja në skenë?
Në fakt, ftesa më është bërë një vit më parë, kur ndodhesha në Tiranë dhe pata një takim me drejtorin e Operës Shtetërore të Beogradit, Dejan Savic, që është një muzikant i shkëlqyer, mbi të gjitha një artist e më pas edhe drejtor. Në një bashkëpunim që pati ai me Teatrin e Operës së Baletit të Tiranës dhe që ishte një mik me drejtorin e këtij institucioni Ilir Kerni , unë pata një lloj garancie që ta konsideroja këtë ftesë shumë serioze, e cila ishte një ftesë dhe vinte pas një periudhe kaq të gjatë, siç e thatë edhe ju .
Mua mu bë qejfi që ftesa erdhi nga një muzikant, mbi të gjitha nga një njeri që e vlerëson artin, vlerëson artisten, i cili më pat thënë atëherë se ‘ka dhjetë vite që kërkoj të vish dhe nuk e kam arritur qëllimin’, kur ma tha një gjë të tillë, mendova se me të vërtetë është një ftesë shumë serioze dhe nuk ishte një prej ftesave që duhet kaluar. Prandaj i thashë ok, dhe ashtu u bë. Në listën që mu dërgua nga të gjitha shfaqjet zgjodha” La boheme”, duke mos e ditur që edhe Tefta Tashko kishte kënduar në” La Boheme” në vitin 1945, thjeshtë ishte një rastësi. Por ishte edhe një rol që e kam kënduar në gjithë botën, është një rol që shkon edhe me karakterit tim, dhe besova se do të ishte një rol që do të pëlqehet nga publiku.
Dhe me pranimin e kësaj paraqitje nuk pata analiza në vetën time dhe nuk doja të merrja as një peshë të kohës, të konflikteve, të luftërave, të marrëdhënieve, të gjithë këtyre incidenteve paraardhëse. U thashë, unë do të shkoj si artiste, ashtu sikur shkoj në gjithë botën, në gjithë teatrot.
Por të ju them të drejtën kisha dëshirën, si asnjë herë tjetër, që të isha në nivelin e duhur, një dëshirë e madhe profesionale. Kisha një përgjegjësi, ndoshta edhe vetë artdashësit e Beogradit kërkonin nga mua, ata prisnin shumë. Në fakt qysh në momentin ku arrita në Beograd dhe pashë fotografinë time në një pllakat të madh në hyrjen kryesore, me një epitet ndërkombëtarë, pashë se ishte një pritje e mirë, një pritje dinjitoze, që i bëhet një artisteje.
Në momentin që shkova dhe bëra provën e parë, nuk bënin pjesë vetëm kolegët, por kishin ardhur shumë studentë nga konservatori i Beogradit, që kishin vite që më kishin ndjekur dhe njihnin repertorin tim, që më njihnin si artiste, që kishin dëshirë jo vetëm të kishin një fotografi timen apo një firmë timen, por të asistonin në këtë provë, asnjëherë nuk ishte salla bosh, kishte shumë studentë dhe shumë artdashës. Do të thoja se u instalua një bashkëpunim shumë profesional dhe shumë i qetë dhe shumë i bukur. U prita jashtëzakonisht mirë nga ambasadori shqiptar Ilir Boçka, dhe ekipi i tij, që ishte një njeri artdashës, një njeri i cili më qëndroi shumë shumë afër, dhe ishte pjesë e ekipit tonë . Dhe ai më njoftoi se të nesërmen do të pritesha nga kryeministri serb Aleksander Vucic. Të ju them të drejtën edhe u befasova, se karakteri i vizitës sime nuk ishte i karakterit të vizitës zyrtare, ishte thjeshtë një ftesë në Teatrin e Operës. Aty e kuptova se vërtetë ishte një vizitë shumë domethënëse për palën e Beogradit, për arsye se ndoshta thyhej një hendek. Aty e kuptova edhe njëherë, edhe pse është një gjë që e di, që arti ka një fuqi shumë të madhe, është një fuqi që nuk mund ta ketë kurrë politika, por ndoshta as sporti, se sporti gjithmonë shkon për fitore, ndërsa kultura dhe muzika në veçanti shkon me një paqe shpirtërore. Duke parë që vizita ime shkoi në këto nivele më të larta të pritjes ku pritja ishte shumë e këndshme , u nderova, sepse u prita me flamurin shqiptar, ishte me të vërtetë një pritje shumë miqësore, ku shihej nga ana e kryeministrit dëshira për një bashkëpunim kulturor. Dhe ai më theksoi faktin se ky bashkëpunim duhet të shtrihet në muzikë, në letërsi dhe në artet figurative.
– E ndjeve edhe nga audienca se kishte ardhur koha për një bashkëpunim të tillë dhe se kjo iniciativë nuk ishte një farsë politike?
Absolut nuk ishte farsë. Mund ta imagjinoni se gjatë shfaqjes ka duartrokitje pas arieve kryesore, dhe unë e ndjeva qysh pas përfundimit të aries së parë që kishte një ngrohtësi shumë të madhe në publik. Por duartrokitjet e fundit , ato duartrokitje që mu drejtuan më shumë ishin një brohoritje. Akoma kam të rrëqethura, sepse ishte një vullkan, një shpërthim i duartrokitjeve shumë, shumë, shumë të mëdha. Dhe mund ta imagjinoni se në atë teatër kishte shumë pak shqiptar, ishte vetëm burri im, Ambasada e Shqipërisë, kishte dy tre miq të mi, që rastësisht kishin ardhur atje. Ndërsa teatri u qua në këmbë me bravo të pafund.
– E kishit imagjinuar se do të vinte një ditë që ju do të ngjiteshit në atë skenë?
Nuk e kam menduar një gjë të tillë, unë kam kënduar shumë në rajon, Kroaci, Slloveni, Maqedoni, në Festivalin e Ohrit disa herë, i gjithë rajoni ka qenë i prekur. Beogradin nuk e kisha menduar, nuk e di, ndoshta pse ka pasur një lloj ngërçi, ndoshta nuk kanë qenë kushtet e duhura, nuk mund ta shpjegoj. Jam shumë e lumtur që unë pranova për këtë ngjitje skenike, të të njëjtën kohe duke u zhveshur nga çdo lloj paragjykimi.
Thashë, nëse kam diçka për të bërë sonte, është performanca ime e shkëlqyer artistike, pasi që pas një performance të shkëlqyer, të gjitha gjërat e tjera shkojnë mbrapa. Prandaj unë u zhvesha nga këto emocione, dhe sot me plotë gojën mund të them se shfaqja në Beograd, kaloi në mënyrë të shkëlqyer, pati vetëm përkrahje, asnjë lloj incidenti. Isha e nderuar nga të gjitha qarqet, isha e nderuar nga publiku, isha e nderuar nga koleget, kjo tregon se është një fillim shumë i mirë i një bashkëpunimi kulturor. Mediet e kanë mirëpritur aq shumë paraqitjen time, duke përfshirë mediet e shkruara, televizioni, radiot, programet direkte…Dhe ky është një fakt se kultura mund të paraprijë gjithkund dhe të zbutë konfliktet. Unë e di që nuk është kollaj, sepse është derdhur gjak, kanë qenë konflikte shumë të forta, akoma gjërat nuk janë stabilizuar ashtu siç duhet. Por nëse arrijmë ti amortizojmë këto gjëra nëpërmjet artit, do të thoja se unë personalisht e kam bërë detyrën time si artiste, dhe besoj se edhe artistët e tjerë dot bëjnë të njëjtën gjë.
– E përmendët që keni pas performanca edhe në rajon, a ka ndodhur në këto vende të rajonit të pritesh edhe nga politika, sikurse që ndodhi në Serbi, që u pritët nga kryeministri.
Jo, në të tjera vende nuk jam pritur nga politika. Dhe mendoj se pritja nga ana e kryeministrit të Serbisë, duke vendosë edhe flamurin shqiptar i dha një drejtim kësaj marrëdhënie kulturore, instaloi një atmosferë të mirë për një bashkëpunim të ardhshëm. Në vendet e tjera unë mund të kem takuar personalitete të politikës por jo të pritem nga ta. Këtu bëhej fjalë për një thyerje të paragjykimeve dhe për një instalim të një ere të re të ardhme.
– Nga mediet serbe, gjatë qëndrimit në Beograd, u pyetët edhe për atë se nëse ke performuar në Prishtinë, duke spikatë performancën tuaj me rastin e promovimit të himnit të Nënës Terezë. Mirëpo, pos këtyre performancave të cilat janë të një formati tjetër, kosovarët nuk po kanë mundësi që të shijojnë magjinë e një shfaqje operistike të sjellë nga Inva Mula, si pasojë e mungesës së një salle operistike. Besoj, e dhimbshme edhe për ju?
Unë mendoj që ka ardhur momenti për një Shtëpi Operistike në Prishtinë, të kesh një teatër në një shtet kjo tregon nivelin e shoqërisë shpirtërore dhe kulturore. Kjo pjesë që i mungon Prishtinës vjen si konkluzion i shumë problemeve, që është edhe shteti më i ri në botë. Duke menduar se ka vështirësi ekonomike, nuk duhet që arti të vijë prapa ekonomisë, arti mund të paraprijë. Dhe më vjen shumë mirë që këngëtarë nga Kosova po performojnë në arenën ndërkombëtare. Unë gëzohem shumë kur shoh Ramë Lahaj, Flaka Gorancin e Elbenita Kajtazin të cilët po ngjiten në skena të rëndësishme.
Mund ta imagjinoni që keni kaq shumë talentë nëpër botë, dhe nuk janë prodhim 100% i Kosovës, vërtetë kanë dalë që këtu, por iu ka dashur që të shkojnë jashtë Kosovës për të treguar vetën. Jam e bindur që ka ardhur momenti i krijimit të teatrit, por teatri nuk është vetëm fizik, vërtetë na duhet si institucion, por forca artistike është një bërthamë shumë e rëndësishme dhe unë besoj se Kosova tashmë ka edhe potencialin artistik të ketë një Shtëpi Opere. Si Kosova dhe Shqipëria, ne po prodhojmë talentë, dhe po i tregojmë botës që ne jemi shtete shumë të vogla, por prodhojmë talente. Politika duhet ta japi si shkëndijë, të gjejë mënyra edhe me organizata ndërkombëtare për ndërtimin, sepse besoj që mbështetet edhe nga ndërkombëtarët.
– Personalisht, e ndjeni mungesën e një shfaqje operistike që do të duhej ta prezantonit në Prishtinë?
Sigurisht, unë kam dëshirë edhe të kontribuoj, të vija në skenë një opere të gjerë me një produksion, të jepja një ndihmë konkrete, a ka gjë më të bukur se gjithë eksperiencën time ta jap edhe këtu në Kosovë, edhe sa e sa artistë të tjerë do ta bënin një gjë të tillë. Do të kishte mbështetje nga forca artistike, ne nuk kemi potencial financiar, por kemi potencial artistik dhe intelektual për ta dhënë një kontribut të tillë.
– Çfarë po ndodhë më Invën, projektet e tua të fundit nuk janë më projekte të një periudhe, por janë projekte që po lënë gjurmë në kohë. Kemi himnin kushtuar Nënës Terezë që është kënduar nga ju dhe të njëjtin do ta paraqitni edhe në Vatikan, pastaj paraqitja në Beograd që shënon fillimin e bashkëpunimit kulturor mes Serbisë dhe Shqipërisë, ku projektet e juaja të fundit po vlerësohen si projekte të thella, si i vlerësoni?
Këto janë kërkesat e mia në fakt, janë kërkesa të mëdha që vijnë brenda meje dhe që koincidojnë me ngjarje të bukura, me ngjarje historike. Por është një kërkesë e imja profesionale për të qenë gjithmonë në kërkim të asaj që sot kemi nevojë. Nëse e vini re, tash e një vit i kam zvogëluar performancat e mija, ato që më harxhonin shumë kohë në produksione 30 ditëshe për një rol të caktuar. Të ju them të drejtën, jam mbushur nga kjo gjë, sepse kam 20 vjet që shkoj në gjithë botën.
Dhe tash jam duke i dhënë liri më shumë vetës për të marrë pjesë në këto evente. Në këtë vit që i dhashë liri vetës, unë jam prezent pikërisht në ato evenimente që unë kam dëshirë. Rastësia nuk e solli Himnin e Nënës Terezë, e solli pikërisht një bashkëpunim me njerëz të ndritur. Dijana Toska kur pati idenë e himnit dhe menjëherë komunikoi me mua, nuk ishte një rastësi, sepse Dijana e dinte se do të gjente një partnere në këtë bashkëpunim. Unë përnjëherë pranova se mu duk ideja e saj gjeniale për të bërë një punë të tillë, prandaj rastësia nuk është ajo që vulos fatin tonë, por është kërkesa.
-Performanca në Vatikan, në muajin shtator është pikërisht një performancë që do ta ëndërronte çdo kush, duke pas parasysh se ju do të këndoni himnin pikërisht me rastin e shenjtërimit të Nënës Terezë. Për fund, si je duke e pritur këtë ngjitje skenike?
Koncerti që u bë në Prishtinë, në shtatorin e vitit të kaluar, për mua ishte një ndër pikat më të mira përgjatë karrierës sime. Nganjëherë krijohen disa momente në karrierë që ti nuk mund ti parashikosh, për shumë e shumë arsye. Dhe mendoj se ka qenë një punë shumë e bukur, shumë hyjnore, shumë falënderuese, një ambient i mrekullueshëm, me një publik të mrekullueshëm.
Dhe për momentin ajo që dua, është që të mbështes me forcë këtë projekt, të arrijmë të shkojmë në Vatikan me një performancë të shkëlqyer. Kemi në dorë një përgjegjësi të madhe, një aktivitet të madh, nuk di kush janë lojtarët që duhet ta mbështesin këtë aktivitet, por duhet të jetë shteti që e kanë marrë përsipër organizimin e një ngjarje të tillë, por edhe tëe personaliteteve të kishës, sepse kemi në dorë një aktivitet që do të shënojë një ngjarje të madhe. Formula është e mrekullueshme, ideja është e mrekullueshme, nuk na vjen ky shans për herë të dytë dhe për atë duhet ta mbështesim, shumë, shumë fort. Prandaj unë bëj thirrje për një mbështetje që të jemi sa më dinjitoz në performancën e Vatikanit.
Dhe krejt për fund, në shtator do të kem një perfomancë në Tiranë,nuk do ja them për momentin , por besoj se do të kemi një vepër shumë të bukur, shumë të veçantë, që del jashtë profilit tim operistik, dhe nëse do të kemi një perfomancë ashtu sikur edhe jemi duke e menduar, shpresoj që do ta japim edhe në Prishtinë./KultPlus.com