FOTOT/ Del “gjyqi” i Kadaresë dhe ecja pas ushtarit të armatosur

U çel dje në mbrëmje në Galerinë Kombëtare të Arteve ekspozita e piktorit Bashkim Ahmeti Izano.

Kjo ekspozitë u prezantua nga drejtuesi i këtij projekti Artan Shabani, njëkohësisht drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve, kuratori i kësaj ekspozite Ylli Drishti, studiues arti pranë kësaj galerie si dhe autori
Bashkim Ahmeti Izano

Artan Shabani e cilësoi piktorin Ahmeti si një autoritet të padiskutueshëm në nivelin intelektual e artistik, si një emër të njohur në Shqipëri dhe jashtë territorit të saj, jo vetëm për diasporën por edhe për publikun ndërkombëtar si një artist profesionist që jeton dhe punon në Neë Jersey të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shabani më tej tha:

Kjo ekspozitë është shpërndarë në dy salla, në sallën e kuqe kemi vepra dedikuar Ismail Kadaresë, kryesisht figura, portrete, kompozime. Bashkim Ahmeti ka lidhje me natyrën shqiptare, kostumografinë, një lidhje me polifoninë, legjendat, portretet. Falë personalitetit artistik piktura e Ahmetit evidentohet mes qindra e artistëve, duket dhe evidentohet vepra e Bashkim Ahmetit. Kemi peizazhet e jugut të Shqipërisë, peisazhe plot aromë, dhe ndjehet një ajër antik të një vendi që ka ndër gjuhët dhe historitë më të lashta të evropës. Gjithsej janë 93 punë të shpërndara në dy sallat, në atë Kadareane dhe në sallën e madhe të ekspozitave.

DRISHTI

Kuratori Drishti shtoi se nga largimi nga Shqipëria artisti Ahmeti nuk i është ndarë temës shqiptare, përmes një lidhje të fuqishme me folklorin, me letërsinë apo ikonografinë.
Duke u ndalur tek ikonografia, piktori Ahmeti ka gjetur tek mjeshtrat e mëdhenj të ikonografisë shqiptare atë kodin që e bën pikturën e tij shumë interesante duke u larguar nga piktura narrative. Pra ai nuk na ofron një pikturë narrative por një pikturë me simbolikë të veçantë. Ajo që vëmë re është edhe lidhja e fortë me personazhin shqiptar, që vjen përmes figurës me fustanellë popullore, të cilën artisti e vendos në situata të ndryshme sipas tematikës që ai pikturon. Gjithashtu penelata e tij të çudit se si vjen në funksion të pikturave me dimensione të ndryshme, nga detaji më I imët tek shtrirja e penelit në sipërfaqet e mëdha të peisazheve.

BASHKIM AHMETI
Artisti Bashkim Ahmeti Izano u tregua i gatshëm t’i përgjigjej pyetjeve të gazetarëve të pranishëm. Pyetjes në lidhje me personazhin e Kadaresë sin ë planin personal ashtu edhe në atë artistik ai ju përgjigj:

Marrëdhëniet e mija me zotin Kadare nuk janë vetëm miqësore. Unë jam një admirues i letërsisë së tij, madje adhurues i artit të tij, ky është pozicioni im, ai është shkrimtari i madh, gjeniu i letrave shqipe. Kështu kam pasur rastin të takohemi edhe të diskutojmë, por përgjithësisht raporti im me të është raporti i një adhuruesi të letërsisë dhe artit të tij. Nga ana tjetër si piktor jam admirues i personalitetit dhe ndjekës i ideve të tij. Idetë e Kadaresë janë në fondamentin e mbrujtjes time intelektuale, në një farë mënyre unë jam një Kadarean nga idetë dhe nga kultura. Kjo punë më ka ngrënë një kohë të gjatë duke filluar nga 2002 për të mbaruar në 2016. Vazhdimisht kam punuar, kam bërë kërkime, jam munduar ta shoh në perspektiva të ndryshme, duke u kthyer kështu në një sprovë në gjininë e portretit. Gjithashtu qyteti i Gjirokastrës na bashkon në këtë mes duke qënë qyteti i Kadaresë por edhe qyteti im, aty ku unë kam marrë impaktin e parë kur kam ardhur në jetë. Jam vazhdimisht nën imazhin dhe impresionet e Gjirokastrës, por sigurisht mënyra si e ka parë Kadareja Gjirokastrën nuk mund të ketë shkuar pa influencuar përfytyrimet e mija.

Më tej në lidhje me pikturën e tij Ahmeti shtoi:

E kanë thënë edhe njohës të artit lidhjen mes pikturës sime dhe skenografisë, por piktura ka luajtur rrol se si unë e kam bërë skenografinë, pa mohuar që skenografia nga ana tjetër ka luajtur rol se si unë e kompozoj tablonë. Pikturat janë një mënyrë për t’u shprehur disa mendime që nuk thuhen dot me fjalë.

Në fund të konferencës zoti Artan Shabani ftoi të gjitha shkollat e kryeqytetit e më gjerë në Shqipëri, të vijnë e të vizitojnë këtë ekspozitë gjatë muajit që ajo do të qëndrojë e hapur.
FB_IMG_1477690937381

FB_IMG_1477690930910


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *