Nga Elona Agolli
Prezantimi i librit të ri “Prit edhe Pak”, në eventin Lexime nën Hënën e plotë, organizuar në Universiteti Bedër.
Në një rrëfim të saj, mbi raportet me të atin shkrimtar, e bija e Vitaliano Brancati shkruan:
“Deri në momentin që babain tim e kam patur pranë, kam qenë një qënie inteligjente. Mendoja që mprehtësia, inteligjenca, është e dhënë njëherë e përgjithmonë, ndërkohë qe çuditesha me veten herë – herë, të rrethuar nga budallallëqe, kur babai nuk ishte më në jetë. M’u desh, për të përfituar “stimujt e intelektit”, të ndiqja rrugën e duhur, të përafrohesha e takoja tim atë jo si bijë, por si lexuese e veprës së tij.”
Është mëse e vërtetë. Dhe unë si bijë e të madhit Dritëro, iu përafrova veprës së atit tim si lexuese tashmë e pjekur, ndoshta më larg se dy dekada, e vazhdoj të jem e tillë. Sa më tepër lexoja, aq më shumë më mpreheshin tipare që unë i shihja në të përditshmen e Dritëroit, vetëkritikën, vetëironizimin, madje edhe “gjakosjen e vetërrahjen” për ta zbërthyer me tepër veten.
Erich Fromm e Karl Jungu, që deri diku ishin bërë mësuesit e mi deri në njëfarë moshe, për të kuptuar më mirë veten e shoqërinë, u zëvendësuan me Dritëroin, autorin që fati i madh ma kishte taksur baba.
Lexoja veprat e atit që ishin ushqimi më i mirë shpirtëror për mua, përkundesha në valët e poezive të tij të mrekullueshme duke ndjerë edhe dorën e tij që më ledhatonte flokët, më mësonte, se çfarë do të thotë të jesh njeri.
Shkrimtarët janë zakonisht krijesa të vështira, pak ose aspak hapësirë mbetet për familjen në kohën e tyre, pasi krijimi, mbushja e fletëve të bardha me fjalët e artit magjik të shpirtit njerëzor, është zaptuesi i kohës së tyre.
E ndërkohë që frymëzimi rrëmbente kohën, mendjen trupin, gjithçka të atit tim, në të tjerët strukeshim në qoshet tona e dëgjonim gërvishjen e penës në letër, ndonjë recitim me zë të lartë, shtëllunga tymi duhani që përcilleshin nga dhoma në dhomë.
Këto momente në moshën e fëmijërisë gjithsesi, janë të paharrueshme, e prandaj gjeta rastin për t’i sjellë në vëmendje.
Sa i takon veprës së re, nuk dua të bëhem e të gjykoj si kritike letrare për librin e ri që sapo ka parë dritën e botimit “Prit edhe Pak”, por dy fjalë si botuese do t’i thoja në prani të këtij auditori mjaft të respektuar dhe mjaft nostalgjindjellës per mua.
A do të quhej një tentative e ndrojtur për t’ju afruar përsëri me freski e origjinalitet Artit magjik të poezisë në këtë periudhë të jetës së tij, apo një kulminacion i mjeshtrit, i cili pasi ka provuar, eksperimentuar, krijuar, vargje e strofa të larmishme, ritmike, tonike, varg i lirë apo i matur, katër-rrokëshi, gjashtë rrokëshi, dymbëdhjetërrokëshi etj, gjatë krijimtarisë së gjatë mbi pesë dekadëshe, në këtë moshë synon perfeksion: koncentrate mendimi, koncentrate figurative, shumëkuptimshmëri e shumëinterpretueshmëri.
Dhe mendoj, që është kulminacion.
Pjesa më e madhe e poezive është një skërmitje dhëmbësh ndaj pleqërisë, skërmitje që e kemi parë edhe në vëllimet e tjera të mëparshme si “Gdhihet dhe ngryset”, “Lypësi i Kohës”, apo “Pelegrini i vonuar”.
Madje për pleqërinë është shkruar që në vitin 1977, poezia “Pleqëria” e vëllimit “Këmbana e largët”;
Pleqëria vjen e pakuptuar,
vjen ngadalë pa zile, pa këmborë;
gjurmëve të tua duke shkuar
Flokët t’i pudros me pak dëborë…
Por në vëllimin “Prit edhe Pak”, poezitë kushtuar pleqërisë janë sa meditative aq edhe ironizuese, sa përmbajnë keqardhje për fluturimin e viteve të rinisë dhe mosrealizimin e plotë të aspiratave, aq edhe sarkastike, tallëse.
Brenda kësaj kategorie, dallohen poezitë e autorit, sfidë ndaj pleqërisë: Pleqëri nuk është mosha e thyer, pleqëri është vdekja e ndjenjave, tharja e vatrave të trurit, dhe vdekja është në fakt vdekja e trurit, truri vdes i pari, më pas trupi”, më kallëzonte një ditë im atë.
Në botimin e ri, “Prit edhe Pak”, ka edhe poezi erotike; njihen në letërsinë botërore raste të lëvrimit në moshë të thyer të shkrimtarëve të mëdhenj dhe hedhjes së tyre drejt krijimtarise erotike (Moravia me “L’uomo che guardava” apo të tjerë).
Por Dritëroi gjuhën erotike e ngre lart, krahasimet e metaforat e tij të pakrahasueshme, perhere i drejtohen natyrës, pjellorisë, tokës, bimës, lules.
Poezia meditativo-filozofike, po ashtu është e natyrshme që edhe kjo tipologji të lëvrohej nga Dritëroi në këtë vëllim. Sentenca poetike, mbrujtje e thukësi mendimi, përvoje, mençurie e të parëve, etj.
E nuk ka se si të mos ketë poezi edhe për ato gjëra të zakonshme, të thjeshta, episode që jetojmë përditë por që në Artin e madh të poezisë të tjerë vlerë marrin siç citojmë Rëra e plazhit, Cunami, Inati ynë.
Rikthimi te vendlindja, malli për të parët, pikëtakimi i dëshiruar me ta, sa pëmes keqardhjes, sa mallit, sa ndjenjave aq njerëzore, shprehen bukur në poezitë si “Pranë lumit”, “Të mençmit e vdekur” etj.
Dua ta mbyll ketë përsiatje, rrëfim me disa vargje të Atit tim të shtrenjtë, të poetit tim të dashur, të rrëfimtarit e prozatorit tim të përzgjedhur e të preferuar:
Tek gjyshërit tanë
T’u japim fund të gjitha marrëzive
Dhe ndofta fund dhe gjërave idiote,
Madje të shkojmë larg dhe prej shtëpive
Që mbledhin ndyrësirat e një bote.
T’u japim fund të gjitha marrëzive.
Të shkojmë atje ku rrojtën gjyshërit tanë
Tek bimët, shpezët, kafshët dhe insektet, –
Këta të vjetër gjyshër tru na dhanë,
Kur s’ishin as katundet, as qytetet.
Të shkojmë atje ku rrojtën gjyshërit tanë.
Të shkojmë atje ku nis rrëkeja jonë,
Ku vdekja vdekje është e jeta jetë,
Ku rrenën me çarçaf nuk e mbulojnë, –
S’e futin në krevat si të Vërtetë.
Ndaj shkojmë atje ku nis rrëkeja jonë.
2014