Nga Fatmira Nikolli
Imazhi i maskës së vdekjes së at Gjergj Fishtës është një ndër fotot e rralla që shfaqet në FOAM, në Amsterdam, në kuadër të ekspozitës së Dinastisë Marubi.
Historia e realizimit të kësaj fotografie, ruajtjes së saj si edhe e vetë maskës është po aq interesante dhe me vlerë, nëse kemi parasysh personalitetin e Fishtës. Një kopje e kësaj maske (nuk është e qartë nëse është origjinali apo kopje e kopjes), ruhet ende në Kuvendin e Fretërve Françeskanë në Shkodër, por e pa ekspozuar.
Dëshmi të ndryshme, të cilat i pat mbledhur studiuesi Mentor Quku, thoshin se maskën e Gjergj Fishtës të vdekur e realizoi një françeskan tjetër i shquar: At Justin Rrota. Kjo hipotezë mbështetet edhe sot nga fretërit françeskanë, ndërsa Gegë Marubi ka qenë fotografi që e ka realizuar fotografimin e Maskës së Fishtës në disa projeksione. Në Muzeun e Fotografisë në Amsterdam, në kuadër të ekspozitës “Dinastia Marubi”, ka shkruar fotoja e mësipërme.
Maska, e realizuar pak pas vdekjes, është përshkruar të ketë cilësi të mirë, duke përçuar dhe ruajtur çdo element të portretit të tij; gjerësinë dhe rrudhat e fytyrës, rrathët e syve, mjekrën, vetullat, qerpikët dhe pjesën e flokëve rënë në ballë, bashkë me një pjesë të veshëve. Të po kësaj saktësie, me të cilën at Justin Rrota ka realizuar maskën- janë edhe fotot e maskës, shtuar kësaj-rezolucionin e lartë të fotografisë. Është imazhi i fundmë i Fishtës mes nesh edhe pse shpirti i tij kërkonte paqen.
Fishta u nda nga jeta më 30 dhjetor 1940, ndërsa pak më parë i kish shtrënguar dorën At Donat Kurtit. Shuarja e Homerit shqiptar, Gjergj Fishta, bashkoi pak minuta më vonë katër fotografë shkodranë: Shan Pici, Dedë Jakova, Gegë Marubi dhe Pjetër Rraboshta. Gega ka realizuar fotot e Fishtës në shtratin e vdekjes, veshur me zhgunin e Françeskanëve, me rruzare në dorë; Shan Pici reliket që i përkisnin Fishtës, Dedë Jakova procesionin.
Ekspozita në Amsterdam
Një ekspozitë me fotografi të përzgjedhura nga viti 1856 deri 1959, nga periudha osmane në atë komuniste, pa lënë jashtë fokusit as mbretërinë. Burra, gra, fëmijë, artistë, të burgosur, politikanë, njerëz të thjeshtë, peizazhe, zakone, rite, veshje, tradita-së bashku në Holandë. “Dinastia Marubi – 100 vjet të studios fotografike shqiptare” titullohet ekspozita fotografike, që u çelet në Muzeun e Fotografisë së Amsterdamit – FOAM me 16 shtator dhe rri hapur deri më 27 nëntor. Janë rreth 300 imazhe të përzgjedhura nga Kim Noppers dhe Luçjan Bedeni, ndërsa muzeu FOAM vizitohet nga rreth 210,000 mijë vizitorë në vit.
Në ekspozitën “Dinastia Marubi – 100 vjet të studios fotografike shqiptare”, FOAM shfaq një përzgjedhje fotografish nga arkivi e studios shqiptare Marubi shfaq tre breza fotografësh kanë bërë portrete në studio të një shumëllojshmërie të gjerë njerëzish, duke filluar nga borgjezia urbane, te barinjtë, imazhe nga koha e Perandorisë Osmane dhe nga Mbreti Zog, te kriminelët, aktorët e artistët e famshëm dhe piktorët”, shkruhet në sajtin e Muzeut të Fotografisë në Amsterdam. Ministrja e Kulturës, Kumbaro ka qenë e pranishme në ceremoninë e hapjes së ekspozitës Dinastia Marubi -100 vjet të studios fotografike shqiptare’, në Amsterdam, së bashku me drejtoreshën e FOAM Marloes Krijnen, kuratoren e ekspozitës Kim Knoppers, drejtorin e Muzeut Marubi Luçjan Bedeni, ambasadoren holandeze në Shqipëri, Dewi van de Weerd, ambasadoren shqiptare në Holandë Aida Sakiqi, ambasadoren e Kosovës në Holandë znj. Vjosa Dobruna si dhe personalitete të tjera të njohura. Ekspozita me fotot e Marubit u prit me kureshtje dhe interes të veçantë nga publiku holandez, ndërsa në fjalën e saj Ministrja Kumbaro prezantoi një copëz të historisë 100 vjeçare të kësaj dinastie.
“Niseshin nga gjithë Shqipëria në Shkodër, në skajin verior të vendit, veç për atë fotografi, mbi kolltukun e pashmangshëm ku uleshin pa fund, personazhet e fillim-shekullit XX, gjithë shoqëria shqiptare kalonte në atë sfilatë, me po atë sfond floreal që imitonte kopshtin, dhe krahun e zonjave mbështetur. Një ritual elegant oksidental të kuruar deri në detaje, që alternonte portretet me veshje tradicionale, me vështrime befasuese, sidomos femërore që nga ezmerja deri te turçelesha, nga lypsarja deri te madama, duke e kthyer çdo portret në një arketip”, tha Kumbaro.
Ministrja e cilësoi këtë ekspozitë jo vetëm një faqe e pasaportës sonë kulturore, por mbi të gjitha si një ftesë për të vizituar Shqipërinë, sepse, siç theksoi ajo: “pasaporta jonë ka shumë faqe që duhen prekur”. “Kemi sjellë këtu në zemër të Europës një copëz të Historisë së Fotografisë Shqiptare si një faqe të pasaportës sonë kulturore, por edhe si një ftesë për të ardhur në Shqipëri, sepse pasaporta jonë ka shumë faqe që duhen prekur në vend”.
Kumbaro ka ndarë me të pranishmit edhe detaje personale për rëndësinë dhe famën që kishte Marubi në Shqipërinë e varfër e të pa urbanizuar të viteve 30, ku mungonin rrugët e makinat, e ku njerëz nga gjithë skajet e vendit niseshin enkas drejt Shkodrës veç për të pasur një foto nga studio e Marubit.
“Ishte një kohë, diçka më pak se një shekull më parë, kur në Shqipërinë pa rrugë, pa transport, pa teatër, pa ekspozita, kishte shqiptarë që merrnin rrugën, nga qoshe të tjera të vendit për të bërë një foto në studion Marubi – këtë më rrëfente gjyshja nga ime nga Gjirokastra në jug të Shqipërisë, tek më tregonte me krenari foton e saj e të gjyshit tim në fillim të viteve 30”.
“Sot – përfundoi Kumbaro, – “është koha kur duhet marrë avioni, trageti, apo makina, për të vizituar Muzeun më të bukur të Fotografisë në Ballkan pa dyshim! – por edhe me krenari do të thosha, një muze dinjitoz europian”.
MARUBËT
“Rreth vitit 1850, jo shumë kohë pas shpikjes së fotografisë, italiani Pietro Marubi arriti në Shkodër, pjesa veriore e asaj që sot është Shqipëri. Aty ai ngriti studion e parë fotografike në rajon. Pas vdekjes së Pietros, asistenti i tij, Keli mori mbiemrin Marubi edhe si nderim për të. Ai e mbajti studion hapur dhe ia kaloi të birit, Gegë Marubit”, shkruhet në sajtin e muzeut holandez. Po aty, shënohet se “koleksioni me 150.000 xhama negativash është interesant nga ana historike, sociologjike, kulturore dhe antropologjike e po ashtu nga ana artistike. Ngjarje nga historia e trazuar e Shqipërisë – nga periudha otomane te periudha komuniste, ritet sociale, kostumet folklorike dhe portrete grupesh të rëndësishme sociologjike mund të gjenden të gjitha në koleksion. Ekspozita është një prezantim i pasur i historisë së fotografisë të një vendi të izoluar europian”. Pas çeljes së muzeut, një sërë sajtesh të huaja i kanë kushtuar vëmendje. Një artikull për muzeun “Marubi” është publikuar nga “Architizer”, databaza më e madhe e arkitekturës dhe shtëpia e “A+Awards” – programi çmime globale për arkitektët më të mirë sot. Një tjetër artikull është bërë nga revista italiane e arkitekturës ‘DIVISARE’, si edhe nga Agjencia Ndërkombëtare e Lajmeve Spanjolle EFE, nga revista e rëndësishme e arkitekturës “gooood.hk”, si edhe një publikim nga prestigjiozja e arkitekturës në botë, revista “Dezeen”, e cila është përqendruar te projekti arkitektonik i “Marubit”. (Gazeta Shqiptare)