Nga Shkëlzen Maliqi
Krijimtaria e Gjelosh Gjokajt e përqendruar kryesisht në pikturë, grafikë dhe vizatim, përbënë një opus tërësor artistikë, por që ndahet në disa faza zhvillimore estetike dhe stilistike me dallueshmëri të theksuara. Kjo tregon se botëkuptimet dhe qasjet e tija kanë ndryshuar gjatë gati 6 decenieve të punës kreative. Ashtu sikur që jeta e tij ndahet në disa faza (rinia në Milesh afër Tuzit në Mal të Zi, studimet në Vojvodinë, Kosovë dhe Beograd, puna pedagogjike në Prishtinë, pastaj 14 vjet në Romë dhe nga vitet ’80 në Ausburg të Gjermanisë), ashtu edhe vepra e tij ka prerje të hetueshme. Si një nomad modern që i bredhte poshtë lartë relacionet mes Ballkanit, Mediteranit, Apenineve dhe Bavarisë, Gjokaj do të kërkonte dhe zhvillonte një profil artistik me karakteristika të përbëra, nga njëra anë profil dinamik dhe kërkues, dhe nga ana tjetër i fiksuar në tema identitare dhe të individualitetit, që nëse nuk ishin me figura dhe imazhineri statike, atëherë fokusoheshin në ca përshtatje lëvizëse.
Në fazën e hershme Gjokaj preferonte figuracionin simbolik me kompozicione që dukeshin si inventar i një bote të alienuar dhe të teknicizuar, gërshetuar edhe me ca reminishenca të botës idilike të rinisë së tij, si dhe të tmerreve të luftës. Më vonë, në ciklin Ditari i Romës (fundi i ’70 – fillimi i ’80), figuracionin e lëviz drejt kolazhit kakafonik të urbanitetit modern, me insertime tituj gazetash dhe ndonjë “grafit” domethënës (p.sh. “Atëherë, çfarë jam unë?”).
Nga mesi i viteve ’80 Gjokaj realizon një seri pikturash me figura të shpendëve grabitçarë që kacafyten mes veti, ku shihen mekanizmat alienues si mbetje nga faza e parë, por që kompozicionin e çojnë në abstraksion gati të pastër, ku konflikti vizual nuk i gjason më një narativi përallor të luftës së gjelave, por piktori sfidohet me zbulimin e imazheve eidetike të abstraksionit puro, si një konflikt i ndryshueshëm formash, të dritës dhe errësirës, dhe të ngjyrave. Në fazën e fundit nga vitet ’90 e deri në veprat e fundit, ky koncept i abstaksionit puro, dominon në veprën e Gjokajt në variante të ndryshme.
Këto faza në veprën e Gjokajt nuk i detyrohen asnjë mode dhe stili internacional. Në esencë ndryshimet te ky piktor janë të motivuara nga eksperiencat dhe impulset personale, nga një thellim gjithnjë e më i madh i tij në sfidën e lirisë së brendshme të komponimit piktural, që nuk ka më para vetës asnjë narativ dhe reprezentim të jashtëm. Imazhet që krijon janë lojë dhe refleks i disponimeve të brendshme, ku kryesisht shfaqet harmonia dhe disharmonia në konditat e një pajtim eternal me fatalitetin e eksperiencës individuale që është e lirë, por e fragmentuar.
(Pjesë nga monografia e papërfunduar e Gjelosh Gjokajt)