Nga data 5 tetor – 20 tetor 2016, Galeria Kombëtare e Arteve sjell për publikun e saj ekspozitën vetjake të artistit Oltsen Gripshi, me titull “Antropo- Fenomenologji”.
Nën kurimin e Andi Tepelenës, kjo ekspozitë vjen si një kërkim konstant i artistit, pasqyruar në mënyrën se si e sheh dhe interpreton ai kulturën dhe identitetin e qënies njerëzore, nën ndriçimin e gjuhës së artit bashkëkohor.
Veprat e kësaj ekspozite sjellin një larmi teknikash në realizmin fizik dhe substancial të tyre, në një ndërthurje midis pikturës së vajit, instalacionit dhe video-artit.
Në pikturën e tij me qasje semiotike, artisti hedh një vështrim mbi dritëhijet e njeriut bashkëkohor, duke depërtuar thellë në djeshmëritë e tij, sikurse janë emocionet, ëndrrat, ankthet, erosi, ndrojtja, plakja, apo virgjiniteti, si fenomen në shoqërinë shqiptare etj…. – Një radiografi e mirëfilltë e qënies njerëzore, në një marrëdhënie ballore me realitetin dhe fenomenologjinë e tij.
Gjithashtu sipas kuratorit Tepelena, tema e pritjes, e pranishme ne veprën e Gripshit, krijon një gjendje të pezullt midis kufirit gjeografik dhe atij mendor, përcjell simbolikisht brishtësinë e ekuilibrit midis kujtesës dhe harresës, konceptit dhe imagjinatës.
Falë mjeteve simbolike, ekspozitën e Gripshit e përplotëson eksplorimi i çështjeve që mbartin një kritikë institucionale gërryese, duke risjellë në qendër të vëmendjes shqetësimin e artistit bashkëkohor mbi mjedisin, demagogjinë e politikës, zhvillimet shoqërore dhe kulturore në Shqiperi.
Oltsen Gripshi ka lindur në vitin 1984 në Peqin, Shqipëri. Në vitin 2006 ai diplomohet pranë Akademinsë së Arteve të Bukura G.B Cignaroli në Verona të Italisë. Ai edukohet më tej në fushën profesionale dhe akademike.Në 2009, përfundon Master Profesional (Post Lauream), pranë Universitetit Shtetëror të Padova-s, në 2010 përfundon shkollën e specializimit të nivelit të dytë (Laura Doctus) pranë AAB G.B Cignaroli në Verona. Nga viti 2013 ai djek shkollën doktorale pranë IAKSA në Qendrën e Studimeve Albanologjike, Tiranë. Ai është fitues I një numri çmimesh ndërkombëtare.