-Në një artikull të shkruar për “GSh” një vit më parë, kreu i Akademisë së Shkencave, Muzafer Korkuti, rendiste një sërë botimesh diletante, ku tema të debatueshme të historisë e kulturës shqiptare, a tema për të cilat albanologjia e ka dhënë ‘verdiktin’ e saj trajtoheshin nga amatorë. Trajtimi i tyre, përfundimi i ‘studimeve’ që botohen anë e kënd si qasje shkencore qenë parë me shqetësim nga Akademia. Me mungesën e kontrollit profesional ndaj botimeve, në një kohë që kushdo boton çfarëdo, titujt e botimeve të çfarëdoshme, të përhapura si kërpudha pas shiut, sollën një aradhë emrash që përtej formimeve të tyre, trajtonin çështje të ndryshme me saktësinë dhe sigurinë që shpesh i mungon edhe më profesionistëve. Nuk ka më prag, e jo vetëm që nuk ka ‘censurë’ që dikur ndalonte, por tanimë nuk ka as filtër mbi cilësinë a vlerat.
Edhe si luftë ndaj kësaj “shkence të çdokujt”, Akademia e Shkencave të Shqipërisë shpalli vjet nismën e saj për çmime shkencore, të përçdovitshme, për veprat më të mira në disa fusha. Në konkurs u paraqitën 49 punime (vepra) të përgatitura nga mbi 50 autorë.
Dje, në një konferencë para mediave, janë shpallur të nominuarit, mbasi u vu në dukje se interesi ka qenë i gjerë në hapësirën shqiptare, në një shumicë qendrash të studimit të identitetit dhe të botës shqiptare nga të gjitha kontinentet: në Europë, në Azi, në SHBA e në Australi; në vendet fqinje e në vende të largëta, si Britania e Madhe, Kina, Australia, Bullgaria etj. Konkursi ka mbledhur tre breza dijetarësh: shkencëtarët e karrierës, studiuesit me arritje të dallueshme në kërkim dhe dije; si dhe studiuesit e rinj në formim e sipër, me të ardhme akademike dhe universitare. “Këto çmime janë me qëllim që të krijojnë mundësi konkurimi për dallimin dhe certifikimin e cilësisë shkencore, në procesin e kërkimit akademik universitar, brenda e jashtë vendit”, tha dje Korkuti.
NOMINIMET
Juria e përbërë nga Muzafer Korkuti kryetar dhe anëtarët Akademik i asociuar Gjovalin Shkurtaj, Akademik Edi Pinguli, Akademike e asociuar Aurela Anastasi, Akademik Floran Vila, Akademik Fahrudin Hoxha Geron Kamberi, Vilma Tomҫo, Prof. dr. Ferit Duka, Prof. dr. Andrea Maliqari, Amanda Vrana, Prof.Enver Hysa, me votim të fshehtë ka bërë edhe nominimet. Çmimet “Çabej” e “Radovicka” do të shpërblehen me 1 milionë lek të rinj, ndërsa të tjerët, 500 mijë lekë të rinj.
Çmimi “Çabej” jepet për studimin më të mirë në fushën e shkencave shoqërore-albanologjike dhe të nominuar janë: “Fjalorë shqip-gërqisht gërqisht-shqip” Dhori Qirjazi; “Zhvillime të mjeteve gramatikore të shqipes” Ethem Likaj; “Mitet e historiografisë arbëreshe” Matteo Mandalà dhe “Arbërit e Jonit” Pëllumb Xhufi.
Për çmimin shkencor kombëtar vjetor “Radovicka” që jepet për studimin më të mirë në fushën e shkencave natyrore-teknike, këto vepra: “Ujërat termale dhe minerale të Shqipërisë” Alfred Frashëri e Romeo Eftimi; “Bazat dhe metoda klinike e trajtimit të dhimbjes fantomë” Apostol Vaso; “Polimorfizmi gjenetik i sistemit HLA në popullatën shqiptare dhe roli i markuesve imunologjikë dhe imunëgjenetikë në realizimin e transplantove dhe diagnozën e sëmundjeve autoimune” Genc Sulçebe dhe “Pasuritë ujore të Shqipërisë” nga Niko Pano
Për Çmimin shkencor kombëtar vjetor për kërkuesin e ri më të suksesshëm në fushën e shkencave shoqërore-albanologjike, nominohen këto vepra “Katërungjillëshi i dekoruar i Korçës” nga Andi Rëmbeci, Sokol Çuka; “Arbërorët” (ndërmjet kishës perëndimore dhe asaj lindore gjatë shek.XI-XV) Gon Berisha dhe “Antropologji e Kanunit” ngaNebi Bardhoshi.
Është shpallur edhe nominimi për Çmimin shkencor kombëtar vjetor për kërkuesin e ri më të suksesshëm në fushën e shkencave natyrore-teknike këto vepra: “Integrating antimicrobial therapy ëith host immunity to fight drug-resistant Infections: Classical vs Adaptive treatment” nga Erida Gjini dhe “Molecular Evolution of Pyroglutamylated RFamide peptide and Orphan G Protein Coupled Receptor” nga Rigers Bakiu.(Fatmira Nikolli-GSH)