Vizatimet e panjohura të Sofia Zengos në Athinë

E veshur me një fustan të bardhë, Sofia ka hedhur në krahun e majtë pardesynë dhe çantën. Prej Akropolit, diçka shënjon me gishtin tregues, mbase shoqëruesit të saj, a mbase fotografit.

NGA: FATMIRA NIKOLLI*
Ky është një prej imazheve me të cilin shohim sot, piktoren e parë shqiptare Sofia Zengo. Atëherë 24 vjeçe, përballej në Athinë me artin, historinë dhe rrekej të perfeksiononte artisten brenda vetes. Pikërisht prej kësaj kohe, vijnë 60 vizatime me karbon, krejt të panjohura për publikun. Mes tyre, ka trupa femrash e meshkujsh, elegantë a të kolmë, portrete të veçanta, me ballë të lartë, mollëza të dala, ravijëzime muskujsh, rrudha të thella, mjekra që qëndrojnë para, krahë të mbështetur, finesë femërore a forcë mashkullore.
Të gjitha, vizatime që ngjallin kureshtje. Ato, kanë marrë jetë nën qiellin athinjot, në pragluftën e Dytë Botërore. Sofia nuk ka lënë letra, as ditarë që rrëfejnë jetën e saj në Athinë. Përtej pikturës, pak dihet për karakterin e piktores, natyrën, idetë, shpresat e dëshirat që mund të jenë hedhur mënjanë në pasluftën që e mbylli Shqipërinë në burgun e vetes. Mungesa e letrave, rrëfimeve a ditarëve, lë një njollë të paqartë, një boshllëk mbi ‘motrat Zengo’ dhe jetën e tyre përtej të qenit artiste. 2015-ta shënon 100-vjetorin e lindjes së Sofisë. Me këtë rast, Akademia e Shkencave promovoi një album për të, ndërsa të hënën Galeria Kombëtare e Arteve çel një ekspozitë ku artistja rikthehet para artdashësve me surpriza. I biri, Vangjel Papadhimitri rrëfen gjithë ç’di për të ëmën, madje, edhe për tezen, po ashtu piktore, Androniqin.
Për fat të keq, as ai nuk di shumë. Ai njeh nënën, e deri diku edhe piktoren, por jo shpirtin që strukej pas njeriut, atë shpirt që diku-diku dilte përtej lëkurës, e hidhej mbi telajo apo mbi fletë të bardha që sot mund t’i shohim pa mësuar dot, se ç’dallgë i sollën në këto brigje. Nëse motrat Zengo do të kishin jetuar në një tjetër vend, emri i tyre do të qe më i njohur, edhe peneli a lapsi i tyre. Prej Akademisë së Athinës, ato erdhën në Tiranën që rrekej t’i ikte Orientit por ra në shtratin e Lindjes. Vizatimet e panjohura, ato që kishte më për zemër, vijnë të rrëfyera nga i biri i Sofisë, Vangjeli.
– Nëna juaj Sofia dhe e motra Androniqi, kanë qenë piktoret e para shqiptare. Çfarë do të thotë kjo për ju? Është një kënaqësi e madhe që jam djali i saj. Ne kemi jetuar mes krijimtarisë së vazhdueshme të të dyja këtyre motrave. Nëna dhe tezja ishin shumë të lidhura, ne me djalin e Androniqit, Gjergjin që ishte muzikant, po ashtu bëheshim shumë. Nëna dhe tezja që të vogla punonin me gjyshin, dhe u rritën me pikturën e dashurinë për artin. Shkuan e studiuan të dyja në Athinë. Më 1947, filluan të jetojnë në Tiranë dhe u morën me krijimtarinë e tyre.
– Si i mbani mend ju ato të dyja?
Ishin të afërta dhe kanë punuar bashkë në disa raste. Një rast ka qenë puna te Kisha Ortodokse. Nëna, tezja së bashku me tim atë, Akile Papadhimitrin, punuan dy vjet për atë kishë. Në fakt, kështu kishte qenë që kur ishin të vogla.
– Ekspozita që do të çelet në Galerinë Kombëtare të Arteve ka piktura e vizatime, mes tyre edhe punë të panjohura për publikun. Ku i keni gjetur?
Kohët e fundit kemi gjetur rreth 120 vizatime të nënës. Ishin të mbështjella dhe të bëra tub, në studion e saj, por që ne nuk e dinim se ishin. Nuk na kishte folur për to, as nuk na i kishte treguar. Babai na i ndau veprat e nënës; tim vëllai i dha gjysmën e mua pjesën tjetër. Në atë që mora unë qëlluan edhe këto vizatime, të cilat unë i kam restauruar. Më tej, stafi i Galerisë Kombëtare zgjodhën që të ekspozonim 60 prej tyre. Ylli Drishti dhe Zana Varvarica i vlerësuan shumë, dhe në fakt ishin të parët që i panë, i vlerësuan dhe më këshilluan që t’i ekspozoja. Me ardhjen e drejtorit të ri të GKA-së, Artan Shabani, u bë e mundur hapja e kësaj ekspozite, sepse ai e vlerësoi jashtë mase veprën e nënës sime, madje po e vendos atë në një koncept të ri.
– Kur i ka realizuar Sofia Zengo këto vizatime me karbon?
I ka realizuar ato në kohën kur ishte studente në Athinë. Janë të paekspozuara më parë e të panjohura për publikun. Kjo është e rëndësishme, sepse do të mund të shohin punë të reja të Sofia Zengos.
– Përveç këtyre, për të cilat ajo nuk ju ka folur, prej atyre që ju i dinit, cilën kishte ajo më për zemër?
Kishte një punë që e pëlqente shumë. Ishte një gjysmënudo, të cilën kur ishte në spital para vdekjes, donte ta shikonte. Është një nga kryeveprat e mamasë. Çdo ditë kur ne flinim, ajo punonte, e dashuronte pikturën.
– Do të prezantoni edhe një libër për nënën tuaj. Një katalog me punë dhe rrëfime mbi familjen Zengo.
Është historiku i familjes Zengo që prej vitit 1750, me piktorin e parë Andon Zengon e me radhë me 5 brezat e tjerë, deri te nëna dhe tezja ime. Gjyshi im, Vangjel Zengo ka qenë një ikonograf shumë i zoti. Prej tij mësuan Sofia e Androniqi. Bashkia iu dha titullin “Qytetare nderi”.
-Si kanë qenë raportet e Sofia Zengos me regjimin komunist, si një prej artisteve të shkolluara jashtë?
Ajo punoi në arsim dhe puna e lejonte të merrej me ne dhe me pikturën. Më vonë, ajo u bë me orar të reduktuar, që të kishte më shumë kohë për pikturën. Ka marrë pjesë në ekspozita, nuk kishte probleme.
– Më 1965-ën, nëna e babai juaj dhe tezja, pikturuan Kishën Ortodokse të Tiranës. Çfarë dini ju për këtë punë?
Atë kohë, pritej të vinte Fan Noli dhe do të mbante një meshë. Meqë Kisha Ortodokse ku u ndërtua 15-katëshi u shemb, do të ndërtohej një kishë e re (te Rruga e Kavajës), që kishte nevojë për piktorë që të punonin aty. Punët e tyre janë të mbuluara, sepse në kohët kur u ndaluan kishat, ajo u kthye në palestër dhe pikturat u mbuluan. Ende sot, edhe pse është kthyer në kishë, nuk janë nxjerrë në dritë.
– Çfarë ju ka thënë nëna juaj për studimet në Athinë?
Ruante kujtime të bukura. Nëna kishte pasion muzikën dhe çdo javë merrte pjesë në anketa muzikore. Babai luante në kitarë; nëna e donte shumë muzikën dhe donin që fëmijët të merreshin me muzikë. Studimet në Athinë nuk qenë të lehta, sepse qe një vajzë në një qytet të madh vetëm.
– Më 1942-shin, Sofia e Androniqi Zengo, çelën në Tiranë ekspozitën e parë. Me gjasa, ekspozita e parë e dy piktoreve femra në Shqipëri. Ruanin foto? Kush e vizitoi ekspozitën e tyre dhe çfarë shfaqën ato në të?
Unë di që atë ekspozitë e kanë vizituar të gjithë intelektualët e Tiranës. Di që kanë qenë edhe përfaqësues të qeverisë së kohës dhe disa prej italianëve që atë kohë ishin këtu si pushtues. Nuk i di me emra se kush kanë qenë ata. Mbase ka fotografi kushëriri im, por unë jo, dhe as për atë nuk i jam i sigurt.
– Punimi i fundit i Sofia Zengos është i vitit 1976? Çfarë shfaq?
Është një peizazh i Sarandës. Pastaj u sëmur dhe nuk pikturoi më.
– Femër, piktore në vite lufte e mandej në vite regjimi. Femrat artiste, jashtë vendit kanë qenë feministe, kanë qenë pjesë e lëvizjeve të mëdha, kanë lënë letra… Ç’natyrë kishte nëna juaj? Ç’mendime kishte? A shkruante letra? Çfarë shkruante? Pra, kush është Sofia Zengo përtej portretit që njohim ne?
Janë disa letra që nuk i kam në Tiranë. Por janë letra të thjeshta që ia dërgonte së motrës dhe e lajmëronte për ne dhe veten, i tregon për koncertet tona, për punët e veta.
– Mbante kontakt me Thomaidhën, që ishte në Amerikë? Mbanin kontakte gjatë regjimit?
Po, mbanin kontakte. Flisnin edhe në telefon, po rrallë, se kushtonte. Më vjen keq, se as nëna e as tezja nuk patën studio. Shteti nuk i dha studio asnjërës, edhe pse ishin femra piktore. Punonin në shtëpi.
– Veprat e Sofia Zengos, shquhen për një lloj trishtimi që i mbështjell. Pse i shihte njerëzit të trishtuar, apo ishte trishtimi i saj?
Mbase nuk është trishtimi i saj, por i modeleve dhe modelëve që ajo ka pikturuar a vizatuar. Ata kanë qenë të trishtuar për motivet e tyre, ndërsa ajo ka pikturuar atë që ka parë. (RIBOTIM-Origjinali në Gazeta Shqiptare në korrik 2015)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *