Robert Bisha e ‘Fanfara Tirana’ koncert në Lion të Francës
Virtuozi shqiptar! Kështu është prezantuar në njoftimin zyrtar të festivalit “Netët e Furviere”, në Lion të Francës, pianisti, kompozitori, poli-instrumentisti shqiptar Robert Bisha, i cili së bashku me Fanfarën Tirana, do të japë koncert në datën 8 korrik 2016 nw orwn 21:00.
Është i vetmi artist, bashkë me grupin e instrumentistëve nga Shqipëria, që marrin pjesë në këtë festival prestigjoz, më të madhin në Evropë, i cili ka vite që organizohet në amfiteatrin romak 4500 vjeçar të Furvieres.
Kompozitori Robert Bisha dhe Fanfara Tirana, e cila përbëhet nga dy saksa, dy klarineta, tri trompa, tri trombonë, një bastub dhe një bateri, janë përfaqësuesit shqiptar në Natën Ballkanike në festivalin e Lionit. Koncerti fillon në orën 21:00 dhe nga njoftimi zyrtar i festivalit mësohet se biletat për koncertin shqiptar janë shitur të gjitha, shumë kohë më parë.
I gjithë koncerti, është shkruar dhe kompozuar nga vetë artisti Robert Bisha, i cili njihet për komunikimin me motivin tradicional muzikor shqiptar dhe zhvillon muzikën e tij bazuar tek frymëzimi që gjen në të. “Robert Bisha nuk e percepton muzikën e traditës si një gjë që është aty e duhet përdorur ose duhet flakur. Përkundrazi, ai e sheh atë si një pjesë të vetvetes të cilën duhet ta kuptojë, zbërthejë e më tutje ta zhvillojë së bashku me veten e tij. Ja pse muzika e tij që të jep përshtypjen e një komunikimi me traditën ngelet në të njëjtën kohë një komunikim me vetveten. Dhe ç’është më e bukura ky komunikim ka gjasa të vazhdojë në vitet në vijim. Për të mirën e muzikës dhe të publikut”, shkruhet diku për artistin shqiptar.
“Janë të gjitha kompozime të reja, eksperiment mbi disa intervale dhe qeliza ritmike të folklorit dhe mbi disa kërkime personale bashkëkohore”, shprehet kompozitori Robert Bisha duke shtuar se një ndër arsyet përse vendosi të merrte pjesë në këtë projekt është dëshira për t’i dhënë ngjyra personale orkestrës shqiptare.
Ndaj, pjesëmarrja në “Netët e Furviere” është prezantimi i parë i këtij projekti, i cili do të vijoj rrugëtimin edhe në vende të ndryshme të Evropës, ku më pas do të finalizohet me një album.
Para publikut në amfiteatrin romak, do të përfshihen momente shumë “të forta” të brass bandit Ballkanik por edhe me forma të brass bandit shqiptar.
“Në këtë koncert ka momente improvizimi, që prek stilet e disa trojeve shqiptare, siç janë ritmikat dhe currlet e Kosovës, tupanat e Malsisë, temat e flautit të Malcisë dhe disa momente të këndshme e paksa ironike me temat e këngës tiranase, e më pas shkojmë te sazet e Jugut, te vallet e çamëve duke mos harruar pak dhe arbëreshët tanë”, thotë kompozitori.
Robert Bisha dhe Fanfara Tirana kanë punuar për më shumë se një muaj në sallën “Shekspir” të Teatrit Metropol për përgatitjen e këtij koncerti, sallë ku rreth tri muaj më parë, pianisti dha koncertin për piano-solo “Ritual Moods”. Banda shqiptare do të ndajë gjatë koncerti edhe një moment bashkëpunimi me kantautorin e njohur italian Vinicio Capossela.
Pianisti Robert Bisha, para pak ditësh, përfundoi një tjetër koncert për piano-solo në Itali, e pas Francës, ai do të vijoj rrugëtimin nëpër koncerte të ndryshme në Evropës, gjatë kësaj vere. Ndërkohë, gjatë muajit shtator do të marrë pjesë në festivalin “Kaba 2:0” që mbahet në Gjirokastër.