Stambolli i viteve ’80 dhe atëvrasja për një femër

Rekomandim për fundjavë: “Flokëkuqja”

Nga Flutura Açka
Sa të tallaviteni nëpër bare, sa të ndiqni zënkën e përjetshme politike: jem çliru më 28 a 29 nëntor, sa të dëgjoni prrofka se ne jemi më europianë se europianët – hiç hashish, asnjë grimë korrupsioni, asfarë padrejtësie, asgjë moskuptuese mes partish, kurrfarë show – por eurupianët nuk po duan ta shohin, merruni më mirë me magjinë e leximit.

“Flokëkuqja” do t’ju shpjerë në planetin e paqes dhe prehjes që fiksioni e ka ‘ves’ të tijin, në ujërat e dhembës njerëzore të mungesës dhe nevojës për provën e ndjenjës së dashurisë, në thellësinë e pusit ku rrëmojmë ta gjejmë, pa e ditur se është aq pranë, sa mjafton të zgjasim dorën, që mund të mos e shohim, por është aty rrotull nesh si ajri, aq i qenësishëm, sa pesha e të cilit ndjehet deri në qelizat tona të dehura nga eleksiri i së vërtetës më të madhe: ne jemi “viktima” të rastit, por edhe frut i një përbashkësie të dy qenieve njerëzore, të cilët një ditë kemi nevojë t’i njohim me emra të përveçëm, dhe pse jo, ta themi këtë edhe me zë të lartë.

“Flokëkuqja” e Orhan Pamuk, e përkthyer mrekullisht nga Spartak Kadiu dhe nën kujdesin gjuhësor të Xhemile Abdiu, është një libër që duhet lexuar.

“Është Stambolli i viteve ’80, kur Xhemi, një gjimnazist i etur për libra, i duhet të fitojë vetë paratë e mjaftueshme për në universitet, ngaqë i ati, një aktivist i majtë, zhduket shpesh ga jeta e tyre familjare. Djaloshi ynë do të ndjekë pas usta Mahmutin, një mjeshtër i hapjes së puseve me teknikave të vjetra, diku në një provincë jo larg prej aty e që pak vite më vonë do të jetë thjesht një lagje informale e qytetit. Por djaloshi ëndërrimtar, i magjepsur nga rrëfimet e vjetra, nga librat dhe ëndrrat që i sheh nën yje në fushë të hapur ku punon, do të trazohet kur të takojë Flokëkuqen e Ongorenit, një grua gati dyfishi i moshës së tij, pa e ditur se dikur ajo vetë ia kishte rrëmbyer zemrën të atij në ato trazime politike që ndoqën historinë turke pas grushtit të shtetit. Sikur të mos mjaftojë kjo, ai do ta braktisë në pus ustain e tij të dashur dhe do të jetojë më pas tridhjetë vjet me ndjesinë se e ka vrarë. Duke luajtur me mitet themelore të Lindjes dhe Perëndimit, atë të Edipit të Sofokliut (atëvrasjes) dhe Rustemit e Syhrabit (djalëvrasjes), duke vendosur në qendër një grua flokëkuqe që vërtit botën e vogël të rrëfimit të tij, Orhan Pamuk ngre një histori të mrekullueshme të dashurisë së përbotshme babë-e-bir, duke përfshirë në të shndërrimin e Stambollit dhe të vetë kësaj bote të madhe.”

Në foto kopertina e “Flokëkuqes”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *