Çdonjëri që hyn, të lërë çdo shpresë. Kush hyn këtu nuk del. ‘Esesët’ kishin mënyra të ndryshme për të vrarë të burgosurit, u vranë, u ngrinë, u mbytën dhe më pas digjeshin në krematorium. Numrat e identifikimit duheshin ditur përmendësh gjermanisht gjatë apelit.
Numrat 99799 dhe 99769 ia dolën të shpëtojnë gjallë nga kampi nazist i Mathausenit në Austri. Përpara Endrit Delisulës, Abdulla Krutani dhe Beqir Xhepa dy të mbijetuarit shqiptarë që i shpëtuan krematoriumit, gjatë Luftës së Dytë Botërore, rrëfejnë vitet e kaluara atje, torturat, punët, sasinë e ushqimit dhe dënimet. “Mathausen” titullohet filmi i shfaqur në DocuTIFF, realizuar nga Delisula, film që hedh dritë mbi shqiptarët që përfunduan në atë kamp: Si u kapën nga gjermanët, si mbijetuan, si u kthyen në atdhe, përjetimet dhe kujtimet rreth kampit. Krutani dhe Xhepa (ky i fundit ndërroi jetë në mars të këtij viti) janë protagonistët që rrëfejnë gjithë ç’dinë. Vetë Delisula sjell në film edhe pamjet e Mathausenit sot, oborret, krematoriumi, krevatet, dhomat, 186 shkallët që ngjiteshin për të bartur gurë, si dënoheshin, si edhe disa imazhe të kohës, me burra të zhveshur, të dobët me lëkurën ngjitur kockës, ndërsa ushqeheshin me 100 gr bukë dhe me një tas supë. Delisula tregon për “Gazeta Shqiptare” arsyet që e çuan në realizimin e filmit. Abdulla Krutani ishte vetëm 16 vjeç kur u kap nga gjermanët në Tiranë, ndërsa Beqir Xhepën do i dërgonte një letër Mustafa Gjinishit kur u ra në duart e tyre. Ishte viti 1943 kur u kapën nga gjermanët. U dërguan rreth 60 veta në vagona të mbyllur kafshësh drejt Austrisë. Ata dolën prej aty sepse qenë me fat. U liruan nga aleatët në fund të luftës. “Kemi ngrënë gjeth e qymyrdruri të butë, ishte si çokollatë”, thotë njëri prej të mbijetuarve në film. “U dhanë lajmet në kamp dhe më pas erdhën amerikanët. Ata na thanë të rrinim atje ose të shkonim në Amerikë, por ne erdhëm në atdhe”. Delisula, tregon ecejaket e të mbijetuarve, ku pas Mathausenit, i priste Shqipëria e egër komuniste. Ishte 10 korriku i vitit 1945. “Shoh të porta letrën e zezë. Ishin lajmëruar për vdekjen time. Kishin javë që më qanin. Gjej nënën te pusi dhe i them se jam unë, Beqiri. Mbeti e habitur dhe më tha se Beqiri ka vdekur. I ra të fikët aty te pusi”, tregon Xhepa. 380 shqiptarë mbetën atje të vdekur, e sot për ta ka një memorial.
– “Mathauseni” i sotëm shfaqet para publikut në filmin tuaj dokumentar. Ç’ndjesi kishit kur hytë aty?
Është gjithmonë kënaqësi të shohësh veprën tënde në ekranin e kinemasë, por preferoj më shumë të shoh reagimin e shikuesve sepse aty e merr kënaqësinë autori pasi qëllimi është të informojë, argëtojë dhe emocionojë ata.
– Pse vendosët të bënit një film për këtë kamp në Austri?
Babai im më kishte treguar për historitë e të dyve pasi i kishte miq dhe më tregonte histori të çuditshme për ta. Dhe ishte ai që më shtyu.
Vendosa ta bëj për këtë kamp në Austri sepse publiku nuk kishte njohuri për këtë kamp dhe aq më tepër që aty kanë humbur jetën qindra shqiptare në mënyrën më të shëmtuar dhe makabre. Dhe shumica prej tyre ishin të rinj në moshë. Kjo lidhet me qëllimin kryesor të ndërtimit të kampit, i cili ishte ai që shfrytëzonte të burgosurit për qëllime ekonomike, punë deri në pikën e fundit, jo më kot dy personazhet e dokumentarit dhe disa dhjetëra shpëtuan sepse ishin nga 15-20 vjeç. Përveç kësaj ishte të eliminonin kundërshtarët politik dhe ideologjik.
– Abdulla Krutani dhe Beqir Xhepa janë dy të mbijetuar që flasin. Ata tregojnë se kanë udhëtuar në kushte të këqija. Si ishte biseda me ta?
Janë rreth moshës 90-vjeçare dhe për mua është një sensacion të shohësh përballë dy njerëz që kanë kaluar kaq shumë në kurriz dhe që janë akoma gjallë!! Ndërkohë ne shohim sesi përditë njerëzit sëmuren dhe ndahen nga jeta që në moshë të re apo nga sëmundjet e shekullit.
Jo pa qëllim kam zgjedhur që ata ta tregojnë vetë historinë sepse nga ngarkesa e tyre emocionale ka më shumë vlerë për ne.
– “Kush hyn këtu nuk del”. Megjithatë numrat 99799 dhe 99769 dolën, shpëtuan. Si ia dolën ata megjithëse shkuan deri në krematorium?
Siç e thashë dhe më sipër ishte çështje moshe, se nuk mund të rezistosh me aq pak ushqim dhe me aq shumë punë për dy vjet radhazi. Në këtë moment ti vërteton se Zoti ka plan për të gjithë ne. Të mendosh gjithë ato shkallë ti ngjisje përditë me gurë të mëdhenj në shpatulla është e paimagjinueshme. Kampi kishte dhe të burgosur që ishin mjekë dhe ishin ata që gjenin nëpër stivat me njerëz ata që kishin shpresë për të mbijetuar.
– Memoriali shqiptar ka emrat e të mbeturve. 380 mbetën në Mathausen dhe u kthyen vetëm katër. Ju sillni rrëfimet e të mbijetuarve, janë ende gjallë?
Për numrin nuk jam i sigurt po është diçka te 480. Janë katër në grupin e personazheve të dokumentarit se në fakt si ky grup ka pasur disa. Këta të dy ishin të vetmit që ishin gjallë në Tiranë, një ishte në Durrës, por nuk ishte në gjendje të fliste pasi ishte i sëmurë. Të tjerë gjallë nuk ka pasur. Rreth një muaj më parë ndërroi jetë dhe Beqir Xhepa.
– Në fakt, si ishte lajmëruar familja e Beqir Xhepës se ai kishte vdekur?
Nuk ka një shpjegim të qartë, por ata kishin hapur dyert e mortit. E çuditshmja është se as nëna e Abdullait nuk e besonte edhe pse i biri i thoshte që ishte kthyer bashkë me të.
Ditën që u kthye Beqiri në shpi grisi të gjitha shpalljet. Me të hyrë në shtëpi pa nënën e tij duke mbushur ujë tek pusi, që sapo e pa i ra të fikët.
Vite më pas xhaxhai dhe babai i tij do të burgoseshin nga regjimi i kohës dhe më pas do e kishte edhe ky radhën. Gjithsej u dënua me 7 vite burg. Ai shprehet se ka qenë më i tmerrshëm burgu në Shqipëri sesa në Mathausen.