Charles Bukowvski: Natën e ndërrimit të viteve 1973-1974

CHARLES BUKOWSKI

Fiks në mesnatën e
1973-74
në Los Anxheles
nisi të bjerë shi mbi
gjethet e palmave përtej dritares
buritë dhe fishekzjarret
kishin pushuar
dhe gjëmonte.
Kisha rënë në shtrat në orën 21.00
fikur dritat
mbuluar me batanije –
hareja e tyre, lumturia e tyre
britmat e tyre, kapelet e tyre prej letre,
makinat e tyre, gratë e tyre,
të dehurit e tyre amatorë…
Nata e Vitit të Ri gjithmonë më kall datën.
Jeta s’ia ka haberin viteve.
Tani buritë janë shuar
po ashtu fishekzjarret dhe gjëmimet…
Gjithçka u fashit në pesë minuta….
Veç shiun mbaj vesh
mbi gjethet e palmës,
dhe mendoj:
kurrë s’do t’i kuptoj njerëzit
Por i mbijetova
edhe kësaj!
(Përktheu Beti Njuma)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *