Autobiografia e Bekim Fehmiut, përplasja e dhimbshme e artistit

Libri që është rrëfim në vetën e parë, sjell dimensione reale nga jeta e Bekim Fehmiut në letërsi, në teatër e në film. Aktori shqiptar librin “Shkëlqim dhe tmerr”, pjesa e dytë, e ka lënë në dorëshkrim në gjuhën serbe, ndërsa tani ai është edhe në gjuhën shqipe. Në këtë libër ai sjell të vërtetat mbi jetën e tij mes Kosovës dhe Serbisë, të pathëna më parë. I botuar nga “SamiZad B92”, shtëpi botuese që ka të drejtat autoriale, në bashkëpunim me “Integra” dhe përkthyer nga Anton Berishaj, libri i botuar në fillim të këtij viti është shitur në 20 mijë kopje. Pjesa e dytë e librit 582-faqësh i promovuar dje (e premte), është pjesë e projektit “Mirëdita, dobar dan!”.
Bekim Lumi, i cili ka bërë lekturën dhe korrekturën e librit, thotë se pjesa e dytë “Shkëlqim dhe tmerr” vjen si një triller marramendës me krejt dritëhijet e jetës, me dridhjet tektonike dhe me shkëlqimin meteorik të artit të tij. “Është një mundësi e jashtëzakonshme për ta njohur, për ta kuptuar dhe për ta vlerësuar në plotësinë dhe në shumëdimensionalitetin e saj”, thotë Lumi, teksa shton se libri mundëson edhe njohjen e rrethanave shpesh të çuditshme, jetësore, artistike, kulturore e politike, në të cilat u ngjiz dhe u formësua gjeni i tij krijues dhe, përgjithësisht, yllësia e tij e bujshme artistike.
“Libri hedh dritë edhe mbi pamundësinë e pajtimit, apo ndoshta më saktë të ndeshjes së pashmangshme deri në refuzim estetik, ndërmjet, nga njëra anë, fuqisë, madhështisë, epërsisë, talentit, profesionalizmit dhe parimësisë së një gjeniu dhe, nga ana tjetër, dobësisë, vogëlsisë, mangësisë, diletantizmit, joprofesionalizmit dhe joparimësisë së një hapësire dhe mendësie provinciale e primitive”, është shprehur Bekim Lumi, sipas të cilit, një libër i këtillë, përkundër përmasave të thella të urrejtjes, të paragjykimit, të luftës, të mospajtimit, të mosbesimit dhe të keqkuptimit tragjik ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, lexohet pa asnjë ngarkesë si në shqip, ashtu edhe në serbisht dhe, si i tillë, përmes jetëshkrimit të një njeriu të jashtëzakonshëm. “Libri ka fuqinë dhe mundësinë që të shndërrohet edhe në një testament kulturor, politik dhe historik”, ka thënë Lumi, sipas të cilit këtë pushtet magjik, me jetën, me dorëshkrimin dhe me artin e tyre, e kanë vetëm njerëzit, shkrimtarët dhe artistët e mëdhenj si Bekim Fehmiu.
Anton Berishaj, përkthyes i librit “Shkëlqim dhe tmerr” ka thënë se libri në aspektin zhanror qëndron midis autobiografisë dhe ditarit. “Përkthimi kishte sfida të ndryshme, sepse fliste për gjëra specifike të teatrit, pra përfaqësonte edhe një projektim kulturor në një hapësirë pak më ndryshe nga e zakonshmja. Sidoqoftë shpresojmë se ia kemi arritur të bëjmë një përkthim korrekt sipas aspekteve themelore, ka thënë Berishaj, sipas të cilit në aspektin letrar, libri është non-fiction, është si një shkrim i jetës. “Në të njëjtën kohë nuk është vetëm një letërsi dokumentare, meqenëse kemi të bëjmë me një aktor që ka të bëj me letërsinë, teatrin, skenën, me një hapësirë mes fiksionit dhe realitetit. Po ashtu, edhe vepra e tij qëndron në këtë hapësirë”, ka thënë Berishaj, duke shtuar se e veçanta në këtë libër është autenticiteti i librit.
Veran Matic, drejtor i shtëpisë botuese “Sami Zdat B92”, ka thënë se pas leximit të librit në njëfarë mënyre ka filluar ta pëlqejë jetën e tij, jetën e fuqishme të Bekimit. “Kur e kam lexuar dorëshkrimin ‘Shkëlqim dhe tmerr’, kam parë se 95 për qind të gjërave nuk i kam ditur”, është shprehur Matic, duke shtuar se ka dashur të flasë për këto gjëra sa i përket njohurisë edhe të shqiptarëve edhe të serbëve, por edhe të gjithë njerëzve të tjerë në ish-Jugosllavi. “Nga 1976-a ai ka qenë një artist i pavarur, ka qenë menaxher i vetvetes, edhe përkundër faktit që ka qenë një aktor shumë i madh”, thotë Matic, sipas të cilit libri nuk është vetëm një dorëshkrim, por është një libër për shqiptarët, për shpirtin, për historinë e një populli. “Ky libër është rasti më i mirë që të kem njohuri në mënyrë që të dimë më shumë dhe të kemi një pikënisje më të mirë”, është shprehur Veran Matic, teksa ka shtuar se Bekim Fehmiu ka qenë artist i pavarur, që i ka kushtuar vëmendje çdo segmenti. “Libri qëkur ka dalë në shitje, është shitur në 20 mijë kopje, që do të thotë se ky libër është pranuar shumë mirë, duke marrë parasysh se libri ka dalë në fillim të këtij viti”, ka thënë botuesi i librit të Fehmiut, duke shtuar se në dorëshkrim kanë punuar edhe Branka dhe dy djemtë e Bekimit. “Me qindra ngushëllime kanë ardhur pas vdekjes tragjike të Bekimit, si nga shqiptarët, si nga serbët. Të dyja palët e kanë kuptuar se kam mbetur pa një njëri shumë të madh”, ka thënë Matic, derisa ka treguar se duke e lexuar librin e ka kuptuar se sa njeri i madh ka qenë Bekim Fehmiu. “Është thënë se Bekim Fehmiu ka qenë serbi më i madh në Prishtinë, dhe shqiptari më i madh në Beograd. Ai ka qenë kundër provincializmit dhe nacionalizmit”, është shprehur Matic.
Kushtrim Koliqi, nga “Integra”, ka thënë se prej momentit kur kemi filluar të konceptojmë projektin e “Mirëdita, dobar dan”, para dy viteve e më shumë, qëllimi kryesor ka qenë botimi i pjesës së dytë të librit të Bekim Fehmiut “Shkëlqim dhe tmerr” në shqip. Për shkak të tendencës që libri të ketë tendencë më të mirë ka marrë aq shumë kohë”, ka thënë Koliqi, sipas të cilit energjia më e madhe ka shkuar në përkthim, korrektim, që të mundë të afrojmë edhe publikun e Kosovës, dhe jo vetëm shqipfolës.(Zëri)
received_10154217536202044

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *