Një mesazh i fortë për Erdoganin

Editorial, Boston Globe

Marrëdhënieve ndërmjet Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat për një kohë të gjatë kanë qenë të tendosura dhe aspak të mira, janë përkeqësuar ndjeshëm në prag të tentativës së dështuar të grushtit të shtetit të 15 korrikut, për të cilin qeveria e Ankarasë ka akuzuar Uashingtonin për inkurajimin e grushtit të shtetit. Të martën, zëvëndëspresidenti, Joe Biden ka planifikuar që të zhvillojë një vizitë zyrtare në Turqi me qëllim rivlerësimin e marrëdhënieve dypalëshe.  Zëvendëspresidenti njihet për ndjenjat e tij dashamirëse, dhe ndoshta është ndër të paktët lidër amerikanë që mund të zbusin tensionet me presidentin islamist të Turqisë, Rexhep Tajjip Erdogan. Por, për momentin ka prioritete më të rëndësishme se dashamirësia dhe sjelljet e mira ndaj Turqisë. Njëra prej tyre është që t’i bëjë të qartë palës turke se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë në plan që të ekstradojnë Fethullah Gylen, ish-aleatin e dikurshëm të Erdogan, të cilin zyrtarët turq akuzojnë për organizimin e grushtit të dështuar të shtetit.

Gulen, i cili jeton në mërgim në Pensilvani që nga viti 1999, promovon një filozofi që përfshin elementet e moderuar të islamit dhe misticizmin e Sufizmit, ekonominë e tregut të lirë dhe tolerancën ndërfetare. Dhe nuk ka asnjë dyshim që pikërisht kjo është arsyeja që ai ka shumë ndjekës në Turqi (dhe gjetkë). Por, pretendimet e Erdoganit se Gyleni ka orkestruar tentativën e grushtit të shtetit të 15 korrikut, janë të pabazuara në prova. Kleriku 75-vjeçar është një banor i ligjshëm dhe me qëndrim të përhershëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe i mbrojtur sipas standardeve amerikane të një procesi të rregullt ligjor. Biden duhet të jetë shumë i qartë në këtë pikë: vetëm nëse dhe deri sa Turqia të paraqesë prova të pakontestueshme dhe bindëse për bashkëpunimin e Gylenit në tentativën e grushtit të shtetit të 15 korrikut, ai nuk do të dorëzohet dhe nuk do të lihet në dorë të masave të ashpra të Erdoganit.

Këto masa të ashpara kanë qenë të zakonshme në javët e fundit, me mijëra persona janë arrestuar  me pretentimin se janë “gylenistë”. Goditja hakmarrëse e Erdoganit ka qenë e pamëshirshme, duke spastruar jo vetëm oficerët dhe ushtarakët, por edhe gjyqtarët, mësuesit, nëpunësit civilë, gazetarët dhe prokurorët. Besnikët e regjimit kanë demonizuar Shtetet e Bashkuara. Protestuesit anti-amerikanë kanë protestuar pranë bazës ajrore Inxhirlik në Turqi, duke akuzuar ushtarët amerikanë atje se kanë qenë pjesë e tentativës për grushtin e shtetit. Një gazetë pro-Erdoganit shkoi aq larg sa pretendonte se gjenerali i ushtrisë amerikane, John Campbell, ish-komandant i respektuar i forcave të koalicionit në Afganistan, në bashkëpunim me CIA-n, janë përpjekur për të përmbusur qeverinë turke.

Si anëtare e NATO-s, Turqia është ende, formalisht, një aleate e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por, ndërsa Erdogani po bëhet gjithnjë dhe më autoritar, sjellja e tij dhe retorika që ai përdor, po bëhen të patolerueshme  dhe besueshmëria e Turqisë si partner është zvogëluar ndjeshëm. Mesazhi që Biden duhet të përcjellë është se Amerika kërkon të bashkëpunojë me Ankaranë, por me veprimet e tij regjimi turk po helmojnë marrëdhëniet amerikano-turke. Erdogan mund të jetë një sulltan islamik, ose mund të jetë lideri demokrat i një aleati të besuar i NATO-s. Por ai nuk mund të jetë dhe sulltan dhe lider demokrat, dhe ka ardhur koha që të detyrohet të bëjë zgjedhjen e tij.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *