Lasgush Poradeci
Syri-i bukur që t’u mvrenjt –
Syri yt që më lëndon
Do më lërë-a von a shpejt,
Do më lërë-a shpejt a von.
Sapo shpirti m’u delir –
Shpirti im i nxirë krejt –
Do më lërë me pahir
Syri-i bukur që t’u mvrenjt.
E do mbetem përnjëmend
Varfanjak si mbret pa fron:
Mbretëresha që më çmend
Do më lërë-a shpejt a von.
Do me lërë-a von a shpejt,
Do më lërë-a shpejt a von,
Syri i bukur që t’u mvrenjt –
Syri yt që më lëndon.
Do më lërë…A! po si –
Qoftë-ahere-ose tani –
Do të qaj aq dashuri
Që të humb me mall te ti?