Nga Flutura Açka
Diku nga pranvera e vitit 1993, kur sapo kisha botuar vëllimin e parë poetik “Tri vjeshta larg”, në gazetën “Rilindja” e Kosovës u botua një shkrim befasues për një poeteshë të re, siç isha asokohe. Në të vërtetë libri ishte ende në shtyp, por dy kopje pa kopertinë kishin qarkulluar në Kosovē. Pak vite më vonë, nga “Buzuku” nē Prishtinë dhe me bujarinë e Abdullah Zeneli, do të botohej një vëllim i plotë poetik, me titull “Kenga e Aretuzës”; atëbotë unë ende nuk shkelja dot ne Kosovë, por poezitë e mia ishin më të ‘afta’ se unë tê mbërrinin në Kosovë. Më pas kjo dashuri e lidhje u bë më e fortë. Atje kam lexues të shumtë, jam vlerësuar me çmime, ndiej një dashuri dhe familljaritet rreth vetes sa herë shkoj, të tillë si askund në botë. Mirënjohja ndaj saj nuk do të më shterojë kurre.
Ndaj, nëse ndonjë ditë Kosova vendos të më shpallë shkrimtare në profesion (nëse e meritoj), unë e shpall publikisht veten qytetare te saj dhe i bashkohem skuadrës së shkrimtarëve të Republikës së Kosovës. Kjo sepse në Shqipëri, në gjithë këto vite kam ndier xhelozi, përbaltje, nëpërkëmbje, shkujdesje, shmangie, rrëmbime çmimesh, shpallje si ‘të huaj’, nga e ashtuquajtura elitë kritiko-letrare shqiptare. Madje sa më lart të shkosh në këtë ‘piramidë’ (e vetëshpallur si e tillë), aq më hipokrite është. Me të e kam bërë divocin me kohë, mirenjohja e vetme u shkon të vetmit aleatëve të mi: medias dhe lexuesit.
Ndaj akte si të Rashicës dhe të tjerëve si ai, të cilët ‘tradhëtojnë’ Shqipërinë për Kosovën, përveçse pjesë e lirisë së tyre, janë edhe domethënie e një proteste publike ndaj hipokrizisë dhe dashakeqësisë që sundon në art, kulturë, sport në Shqipëri.
Në foto: Hyja e minierës së Trepçes, Mitrovicë