Në konkursin e çelur nga Ministria e Kulturës për drejtorin e ri të Teatrit të Operas dhe Baletit, 2 ditë para përfundimit të afatit të aplikimit, e vetmja kandidaturë zyrtare deri më tani është ajo e tenorit Josif Gjipali
Tenori Josif Gjipali nuk është prezent në skenën shqiptare vitet e fundit, por ai synon të rikthehehet si Drejtor i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Pikërisht në teatrin që i dha famën, por që vite shkuar, në kohën e grevave të artistëve të operas, vendosi të largohet prej tij për të vijuar një karrierë ndërkombëtare.
Burime nga Ministria e Kulturës bëjnë me dije se e vetmja kandidaturë zyrtare deri më tani, 2 ditë para mbylljes së Thirrjes së Konkursit për kreun e institucionit më të rëndësishëm të artit në vend, është Josif Gjipali.
Tenori shqiptar, emri i të cilit nuk është lakuar këto ditë prej dorëheqjes së Ilir Kernit, në fund të muajit Korrik, po e synon në heshtje dhe zyrtarisht drejtimin e Teatrit të Operas dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor, dhe këtë e dëshmon dosja e aplikimit të tij në Ministrinë e Kulturës.
Thirrja mbyllet më 20 Gusht dhe pritet ende të shihet nëse do të jetë i vetëm në garë apo do të ketë të tjerë personazhe publikë që e synojnë drejtimin e Teatrit të Operas dhe Baletit.
Pavarësisht kësaj, tenori Gjipali i cili është kandidati i vetëm zyrtar deri më tani dhe kandidatura të tjera potenciale për këtë post, wordpress duhet të përmbushin kriteret e shpallura nga Ministria e Kulturës përmes thirrjes së konkursit, ku duket se pikë thelbësore është ‘Reforma menazheriale’, që sikundër theksohet në thirrjen e konkursit, është prioritet dhe parakusht për zhvillimin e mëtejshëm të TKOBAP. Dhe gjithashtu ‘Të sigurojë ligjshmëri dhe transparencë të kontratave individuale dhe procedurave të punësimit në zbatim të reformës së Ministrisë së Kulturës, mbi sistemin e punësimit në këtë institucion’.
Prej fundit të Korrikut, Teatri i Operas dhe Baletit është pa drejtues pas dorëheqjes së ish-drejtorit Ilir Kerni, një dorëheqje e beftë kjo ndërsa hartonte kalendarin artistik të sezonit të vjeshtës dhe publikonte shifra suksesi të institucionit që drejtoi për 3 vjet. Burime bënë me dije se përplasjet e Z. Kerni me Ministrinë e Kulturës kanë qenë të vazhdueshme, dhe ishin ato që e diktuan dorëheqjen e tij.(BALKANWEB/NEWS24)