Ministria e Kulturës u përgjigjet dyshimeve: Nuk e shkrijmë Teatrin e Operës

Fatmira Nikolli

Ditën që u bë publike dorëheqja e Ilir Kernit, ish-drejtor i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, më 31 korrik, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, publikoi në faqen e saj në “Facebook”, projektin e rikonstruksionit të TKOBAP.
Fatmira Nikollo, shkruan në Gazeta Shqiptare se përveç komenteve që e përgëzonin ose e uronin, nuk munguan as komente që thoshin shprehimisht se skena e teatrit siç dukej në projekt “çdo gjë mund të quhet: ‘auditorium’, sallë koncertesh, sallë konferencash etj., po jo për sallë opere dhe baleti; sallë ku mund të bëni vetëm koncerte simfonike e instrumentale”. Përtej këtyre, Arben Skënderi (PD), në një opinion botuar në “GSH”, shkruante se “TOB-in po e kthejnë në një sallë koncertesh”, duke argumentuar se nëse pamjet “janë marrë nga projekti zyrtar, nëse ky është vërtet projekti, kemi të bëjmë me një sallë të bukur koncertesh, por në asnjë rast me një sallë destinuar për produksione operistike dhe baleti”.
Atëkohë, “GSH” kontaktoi disa artistë (të cilët deshën të ruanin anonimatin), duke u drejtuar pyetjen “nëse në atë sallë paraqitur në projektin e rikonstruksionit mund të viheshin në skenë balete e opera” dhe përgjigjja ishte se “ajo nuk ishte sallë opere”.
Pas kësaj, “GSH” ka kërkuar të intervistojë një person të autorizuar nga Ministria e Kulturës për të folur për projektin, për ta shpjeguar atë, si edhe të shohë projektin e miratuar më 27 korrik 2016, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit. Për sa më sipër, nga Ministria e Kulturës është kërkuar që kërkesa (për informacion) të dërgohet në mënyrë zyrtare, përmes postës. Duke e ndjekur edhe këtë rrugë ligjore, në përgjigje të kërkesës së “GSH”, për “Kopje elektronike dhe/ose fizike të projektit të rikonstruksionit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit”, Ministria e Kulturës brenda afateve të parashikuara nga ligji, përgjigjet: “Ju lutemi për pyetjen e parë, ju ftojmë të vini në mjediset e MK ku është depozituar projekti për t’u njohur e parë fizikisht me të. Projekti është tejet voluminoz dhe është i vështirë riprodhimi i tij apo transferimi në format elektronik. Do t’ju krijojmë kushtet për të pasur akses të plotë në dosjet e projektit”.
PYETJE & PËRGJIGJE
Përtej kërkesës së projektit, interesimi mbi projektin ka qenë i shumanshëm. Pyetjet janë bazuar mbi dyshimet e shumë artistëve sa i takon sallës dhe vetë të ardhmes së Operës si institucion, deri tek ato zëra që thoshin se ‘projekti është një mënyrë për ta shkrirë Operën”. Po botojmë më poshtë pyetjet që “GAZETA SHQIPTARE” i ka drejtuar Ministrisë së Kulturës në lidhje me projektin e rikonstruksionit si edhe përgjigjet e mbërritura prej saj për secilën prej tyre.
– A është ky projekti i diskutuar me artistët? A kanë rënë ata dakord me këtë projekt?
Projekti është ndërtuar tërësisht duke u nisur nga mjediset ekzistuese të TKOBAP dhe gjatë një viti inxhinierët e studiove të projektimit kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me artistët për t’u konsultuar me ta për pjesë të ndryshme të procesit, siç janë provat, vështirësitë akustike, mjediset e shërbimit, oraret e veprimit etj. Rregullisht vizatimet kanë qenë të ekspozuara edhe në mjediset e TKOBAP. Ndërkohë, ish-drejtori Ilir Kerni ka qenë pjesë e të gjitha konsultave dhe i ka shoqëruar rregullisht inxhinierët në të gjitha matjet që janë bërë në TKOBAP.
-Në skenën e teatrit, parashikuar nga ky projekt, a ka hapësirë dhe kushte të vihen në skenë vepra operistike dhe balete, si “Aida”, “Traviata”, “Liqeni i Mjellmave”, “Arrëthyesi” etj.?
Po. Gjatë projektimit është marrë parasysh gjithë repertori i përdorur në vite nga TKOBAP dhe janë bërë të gjitha matjet skenike për të ruajtur hapësirat e nevojshme për të tilla vepra.
-Si u përgjigjeni mendimeve të artistëve që thonë se ky projekt, me atë skenë, e shkrin Operën dhe Trupën e Baletit? Ose atyre që thonë se ajo është vetëm një skenë koncertesh?
Nuk e dimë ku bazoheni ju në këtë konstatim, por nuk na rezulton të kemi një opinion të tillë konkret nga artistët. Në datën 2 gusht Ministrja Kumbaro ka zhvilluar një takim me drejtuesit artistikë dhe përgjegjësit e sektorëve të ndryshëm të TKOBAP për çështje të ndryshme organizative dhe kanë folur edhe për këto aspekte, duke sqaruar keqkuptime që rridhnin nga një interpretim i thjeshtuar i disa renderave në rrjetet sociale. Ekipi i inxhinierëve dhe arkitektëve të tri studiove që kanë realizuar projektin, kanë gati një vit që punojnë për këtë projekt tejet të komplikuar, të paprecedent, dhe që për të parën herë zhvillohet me të tillë parametra. Ata kanë punuar rregullisht në mjediset e TKOBAP dhe në konsultim me ish-drejtorin dhe artistët ose përgjegjësit e tyre të sektorëve sipas profilit. Është bërë një punë gjigante dhe e vështirë, dhe nuk na duket korrekte të banalizohet ajo punë në komente të rastësishme të rrjetit. Shtojmë këtu që ishte pikërisht ky hulumtim në mjediset e Teatrit që na tregoi se bodrumet e TKOBAP nuk i përkasin TKOBAP, por shoqërisë tregtare që në kundërshtim me interesat publike të institucioneve të kulturës kanë zaptuar jo vetëm pjesët e dukshme të Pallatit të Kulturës, por edhe bodrumet e TOB, çka shtoi në mënyrë të ndjeshme vështirësitë në realizimin e projektit.
– Cilët janë artistët dhe trupat me të cilët Ministria e Kulturës është konsultuar?
Saktësojmë edhe një herë: Inxhinierët janë konsultuar me grupe të ndryshme të trupave artistike sipas profilit gjatë gjithë punës së tyre, se ndryshe nuk mund të ndërtohet projekti. Janë konsultuar me përgjegjësit e sektorëve dhe kanë qenë rregullisht të shoqëruar nga ish-drejtori Kerni gjatë gjithë procesit. Zoti Kerni ka qenë gjithashtu edhe anëtar i komisionit që përzgjodhi studiot fituese për hartimin e këtij projekti rikonstruksioni.
Tashmë projekti ka kaluar fazën e shqyrtimit dhe të miratimit nga KKR, nga KKT, dhe ka marrë edhe oponencën e Institutit të Ndërtimit, duke kaluar kështu të gjitha fazat e miratimit të parashikuara nga ligji.
Përtej të gjitha konsultimeve specifike dhe miratimeve ligjore dhe teknike, Ministria e Kulturës ka parashikuar një prezantim publik të projektit në 3D, në fillim të shtatorit jo vetëm me trupat, por edhe me artistë të tjerë, media dhe të interesuar për të gjitha detajet teknike.
-A ka ky projekt hapësirë për orkestrën, hapësirë në tavan që është e përshtatshme për varjen e skenografive dhe ndriçimin, a ka kuinta, a ka fondal dhe a ka atelier nën skenë për prodhimin dhe ndërrimin e skenave?
Po. Ky projekt i ka parashikuar të gjitha këto funksione që ju përmendni. Ndërkohë kujtojmë që nuk bëhet fjalë për një Teatër të ri, por për rikonstruksionin e Teatrit brenda hapësirave ekzistuese për ta sjellë atë në parametra bashkëkohorë shërbimi për artistët, në kushte dinjitoze për publikun dhe në cilësinë e duhur akustike dhe skenike për veprat artistike që do të vihen atje.
Sjellim në vëmendjen tuaj se ai që sot është Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, ka qenë ndërtuar në vitet ’50 si një sallë konferencash partie. Gjatë realizimit u gjykua asokohe që të mund të përdorej edhe për koncerte, dhe kështu ai u përshtat për vepra operistike dhe balete.
Qysh atëherë s’ka njohur ndërhyrje për rehabilitim. Prandaj në radhë të parë ky projekt synon ta rikonstruktojë jo vetëm sepse është rrënuar keq, por edhe për ta sjellë në parametrat e duhur sipas teknologjisë bashkëkohore për funksionin e vërtetë që ai ka.
Ky projekt dhe realizimi i tij është një nga investimet më të mëdha që bën qeveria shqiptare në fushën e kulturës, në një nga institucionet më të rëndësishme të artit shqiptar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *