Boris Pasternak e takoi Olga Ivinskaya në një ditë të akullt të tetorit të vitit 1946 në “Novy Mir”, revistën letrare sovjetike ku ajo punonte. Njohja e tyre pati një ritëm të furishëm. Ai i telefononte çdo ditë në zyrë, ku Olga, “që vdiste nga lumturia’, kishte ende frikë ta takonte dhe të bisedonte me poetin e njohur. I thoshte gjithmonë se ishte e zënë. Pa u stepur nga kjo, ai shkonte çdo pasdite në zyrën e saj dhe e shoqëronte në këmbë rrugës për në shtëpi.
Një shkrim i “Daily Mail” sjellë në shqip nga “Pasqyrë.al” tregon se atëkohë, Olga, kishte mbetur e ve dy herë dhe jetonte me vajzën e saj Irina, të birin Dimitry, nënën e saj Maria dhe njerkun, ndërsa Boris ishte i martuar me gruan e tij të dytë Zinaida, me të cilën kishte një djalë, Leonidin. Për shkak se të dy kishin familje në shtëpi, Olga e Borisi e kaluan fillimin e romancës së tyre duke ecur e biseduar në rrugët e Moskës. Kur Boris ra në dashuri me Olgën, ajo shpejt u bë muza e tij për personazhin e Larës, heroinën e gjallë të romanit që ai po shkruante, “Doktor Zhivago”.
Pasternaku hyri në jetën e Olgës duke e “zënë dhe mbushur” të gjithën. Gjashtë muaj pas takimit të tyre të parë, kur Olga e prezantoi Borisin me dy fëmijët e saj të vegjël, ishte e qartë se dashuria e tyre ishte e padiskutueshme. Secili ishte i fiksuar pas tjetrit, të lidhur nga një fuqi e madhe tërheqëse. Megjithatë, Boris Pasternak ndahej mes besnikërisë ndaj gruas së tij dhe fëmijës; dhe dashurisë që kishte për Olgën. Ai nuk mund të linte gruan – as nuk mund të hiqte dorë nga Olga.
Ndërsa marrëdhënia e tyre bëhej më e afërt, tensionet u rritën ndjeshëm mes Olgës dhe të ëmës, e cila e kundërshtonte lidhjen. Maria kërkonte për vajzën e saj 34-vjeçare, një burrë të përshtatshëm që i jepte siguri emocionale dhe financiare – jo një 56-vjeçar të martuar. Për të, duhet të ketë qenë dyfish alarmante ideja që Olga kishte hyrë në një marrëdhënie me një figurë të profilit të lartë, që ishte nën mbikqyrje të vazhdueshme nga shteti sovjetik.
Në sytë e Marias, marrëdhënia e vajzës së saj me Borisin ishte një nënshkrim dënimi me vdekje nga Olga, duke pasur parasysh egërsinë e arrestimeve të të gjithë atyre që konsideroheshin “armik i popullit”. Shumë nga bashkëkohësit e Boris Pasternakut ishin ekzekutuar, internuar në kampe, futur në burg apo torturuar. Maria kishte arsye të kishte frikë, pasi shtypjen staliniste ajo e kishte provuar tri vjet në (kampet e punës së detyruar) gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Edhe pse Pasternaku e paralajmëroi se nuk mund ta linte gruan, Olga vijoi ta kërkonte këtë. “Familja jonë ruante një pasion të fshehur’, kujton Irina, vajza e Olgës. Ajo shihte të ëmën çdo ditë të kthehej nga takimet me Borisin; në çastin e parë kur hynte në shtëpi, hiqte fotografinë e tij nga muri. Në mënyrë të pashmangshme, ajo së shpejti e rivinte prapë në mur imazhin e të dashurit.
Olga, jo vetëm që nuk do ta fajësonte Borisin që nuk e linte gruan për t’u martuar me të, çka do t’i jepte asaj më shumë mbrojtje, por ndjente keqardhje për gjendjen e shkrimtarit. “Ky gjeni, kjo ndjeshmëri, ky shpirt i trazuar”, i thoshte ajo së bijës, “ishte i paaftë për t’u divorcuar dy herë dhe për shkak të kësaj kam vuajtur shumë. Mendova për Borisin më shumë se thjeshtë për një burrë. Ai kishte hyrë në jetën time duke më përfshirë të tërën, duke mos lënë asnjë qoshe të paprekur”.
Borisi nuk e kishte idenë se Stalini e admironte atë dhe kishte lëshuar urdhra për ta mbrojtur. Ndërsa qytetarët dërgoheshin gulagë pasi shprehnin pikëpamjet e tyre anti-staliniste në shtëpitë e tyre, Borisi qarkullonte pikëpamje të mprehta, duke treguar romanin e tij atyre që respektonte gjithandej. Ai shkruante për pasionin mes Yuri Zhivago dhe Larës, duke gërshetuar fajin dhe pabesinë. “Jeta u bë art dhe arti lindi nga jeta dhe përvoja,” thoshte ai në atë kohë.
Boris Pasternak jetonte të njëjtën jetë të dyfishtë, me Zinaidan në Peredelkino, jashtë Moskës, ndërsa Olga e priste në kryeqytet. Ai punonte shumë për Doktor Zhivagon dhe ishte tejet krenar për të. Kjo ishte ëndrra që pati gjatë gjithë jetës: të shkruante një roman për brezin e tij dhe fatin historik. Pasternaku nuk mund ta kishte bërë përbuzjen e tij për elitën politike, më të qartë se kaq.
ARRESTIMI
Olga pati një vizitë nga Policia Sekrete mbrëmjen e 6 tetorit 1949. Autoritetet kishin plan të godisnin zemrën e Boris Pasternakut. Nëse ata nuk mund të preknin Borisin, do të dërgonin të dashurën e tij në një kamp-burg duke e torturuar në vend të shkrimtarit. Olga u dërgua në burgun famëkeq të Moskës, Lubyanka. Ndërsa ndihej i tmerruar për shkak të arrestimit të Olgës, ai e dinte se e arrestuan prej tij. dhe kishte të drejtë. Olgës iu kërkua të tregonte se çfarë përmbajtje kishte “Doktor Zhivago”. Ajo e përshkroi romanin si historinë e një intelektuali që kish jetuar mes dy revolucioneve. “Nuk ka asgjë diskredituese për Bashkimin Sovjetik”, kishte pohuar ajo.
Familja e Olgës e përjetoi keq arrestimin. Për ato kohë, e bija Irina, që ishte 13 vjeçe, kujton: ‘Secili prej atyre viteve ishte më i keq se tjetri’. Ajo pati mbështetjen e gjyshërve por, siç thotë Irina, “mbështetja e vërtetë ishte Pasternaku’. Pas arrestimit të Olgës, e ëma Maria, i dha bekimin “dashurisë së saj me Pasternakun”, duke e pranuar këtë të fundit në shtëpi. Ai ndihmoi për shkollën e fëmijeve dhe kur vdiq burri i Marias, mbuloi shpenzimet.
“Është falë tij që ne mundëm t’ia dilnim në atë varfëri dhe të kishim një fëmijëri normale. Kujtimet e mia nuk kanë të bëjnë vetëm me veshjet apo me supën. Unë kujtoj edhe pemën e Krishtlindjeve, udhëtimet dhe biletat për në teatër”.
Ndërkohë Olga ishte në burgun-kamp ku punonte 13 orë. Mbijetonte duke mbajtur në mendje Borisin edhe pse për dy vite nuk mori prej tij asnjë lajm dhe madje nuk e dinte nëse qe gjallë apo vdekur.
RIBASHKIMI
Më 5 mars 1953, Stalini vdiq dhe pati një amnisti për gulagët, çka bëri që Olga të kthehej në Moskë. Të ribashkuar pas tre vitesh e gjysmë, Olga dhe Boris, të dy, ishin “kapur nga një lloj butësie e dëshpëruar” dhe nga vendosmëria për të qëndruar së bashku për pjesën tjetër të jetës së tyre. Tërheqja mes tyre rindizet pas një ndarje të gjatë, madje edhe më e fuqishme. Ata thjesht nuk mundeshin dhe nuk donin të ekzistonin më pa njëri-tjetrin.
Meqë ai nuk linte gruan, ajo mori shtëpi 20 minuta larg së tijës. Pasternak i besoi asaj letërsinë e tij. Olga i redaktonte dorëshkrimet dhe rishtypi gjithë dorëshkrimin e “Doktor Zhivagos”.
Në vitin 1960, vetëm pasi kishte festuar ditëlindjen e tij të 70, Boris u sëmur rëndë. Olga ishte e shqetësuar, por Zinaida refuzoi ta lejonte ta shihte në shtratin e sëmundjes.
Pas funeralit të tij në qershor, në të cilin mori pjesë edhe Olga, KGB-ja konfiskoi dorëshkrimet dhe letrat e Borisit. Olga dhe Irina u arrestuan në gusht. Këtë herë Olga u dënua në maksimum, tetë vjet burg, për krime kundër shtetit, duke përfshirë kontrabandën. Irina u dënua me tre vjet. Të dyja u dërguan në një kamp siberian.
Irina u lirua në vitin 1962 dhe Olga dy vjet më vonë, në moshën 52-vjeçare. Ajo u “rehabilitua” vetëm në vitin 1988. Në vitet e mëpasshme, Olga luftoi me autoritetet sovjetike dhe ruse për poezitë që Boris kishte shkruar për të. Olga vdiq në vitin 1995, në moshën 83-vjeçare në Moskë.
Para vdekjes së saj, ajo i shkroi një letër të fundit Boris Jelcinit, presidentit rus, duke kërkuar kthimin e letrave të dashurisë së Pasternakut. Kërkesa nuk u plotësua.
(Ky është një ekstrakt nga ‘Lara: historia e patreguar. Dashuria që frymëzoi ‘Doktor Zhivago’ nga Anna Pasternak, i cili do të publikohet nga William Collins më 25 gusht)(Përshtati Entela Hoxha)