Nga Enkel Demi
Për herë të parë që më ka tërhequr vëmendjen një fjalë e padëgjuar në politikën e pas pluralizmit, ka qenë “verdikt”, të cilën e hasa në një fjalim të Berishës në fillimet e viteteve ’90. Po prej tij mësova fjalën “bojkotim”, e cila mori një ngjyrim geg e përfundoi në “bojkot”. Më tej barbarizmat rrodhën lumë, ku ka patur shumë politikanë që e kanë tjerrur gjuhën drejt këtij fjalori të ri, i cili shumë shpesh qëllonte i koklavitur dhe i pakuptueshëm për gjindjen që voton.
Nëse dikush nga gjuhëtarët e sotëm do të merrej me fjalorin e politikës këtë çerek shekulli dhe ndikimin e tij në gazeta, radio, televizion apo rrjete do të zbulojmë që gjuha shqipe është vënë në gozhdë dhe po keqtrajtohet deri në torturë.
Reforma në drejtësi dhe zgjatja e saj tërkuzë na solli një folje të re, e cila duhet të përfshihet tek foljet e rregullta. Folja, e cila sot përdoret rëndom majtas dhe djathtas është “dakordësoj”.
Zgjedhimi i saj në kohën e tashme është tëpkë si folja model “punoj”:
Unë dakordësoj
Ti dakordëson
Ai/Ajo dakordëson…
Përse kjo folje? Cila është nevoja e saj? Me rënë dakord do të thotë të gjesh një marrëveshje ose një tjetër folje e rregullt na vjen në ndihmë qysh në krye të herës, së cilës i themi: “pranoj”.
“D’accord” vjen nga gjuha frënge dhe në shqip ka hyrë prej frankofonëve. Natyrisht, është një fjalë e ngjashme me “ok”, të cilën nuk e shmang dot në të folmen e përditshme, por nuk mund ta përfshish në gjuhën e shtetit. Në shqip shpesh “dakord” bëhet qesharake, kur shkruhet dhe thuhet “dakort” me “t” në fund, kurse tani është në vijën e parë të të shprehurit në politikë, ndërsa folja “pranoj” (apo ndonjë tjetër që nuk e kujton dot një jogjuhëtar si unë) ka dalë në pleqëri.
Por, përse në të folurën e politikës a medias shqipja është kaq e lënë pas dore? Pa dyshim që ky keqtrajtim i gjuhës rrëfen një kompleks inferioriteti ndaj gjuhës amëtare të atyre që formojnë opinion, gjë që të çon në të kundërtën e atdhetarizmës.
“Dakordësoj” është dhuratë e fërngjishtes, por pikërisht në atë vend patriotizmi shprehet nëpërmjet gjuhës. Gjatë presidencës së Shirakut në këtë vend u tentua të shkruheshin në frëngjisht edhe tabelat e reklamave ndërkombëtare. Kaq e fortë ishte kjo rrymë, sa nganjëherë bëheshin gazmorë, kur haste sharra në gozhdë me fjalë të tilla si “Coca Cola”, por nuk u tutën dhe ngulmuan në pastërtinë e gjuhës frënge.
As nuk u afrohemi tek thembra kroatëve. Para luftës njihnim gjuhën serbo-kroate, por pas konfliktit Instituti i Gjuhësisë së Zagrebit nxirrte fjalët e reja, të cilat politika dhe media ishin të detyruara t’i përdornin ose gjobiteshin. Sot, pas pak vitesh kemi gjuhën kroate që ndërron si nata me ditë me gjuhën serbe.
Në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni a Malin e Zi nuk merret vesh pse u rri kaq ngushtë gjuha shqipe këtyre të politikës dhe jo vetëm? Kur flasin a shkruajnë duket sikur lexon një tekst në esperanto, kaq shumë fjalë nga gjuhët e të tjerëve përdorin. Ca njerëz që ndjehen keq me gjuhën e tyre, zakonet, traditën, identitetin kanë një hall të madh. Por, akoma më në hall janë gjuhëtarët që nuk ndjehen (si fija e barit do të thoshte doktori). Aq më keq ata që vijnë nga letrat apo gjuhësia dhe janë sot ligjvënës apo me pushtet qeveritar dhe pranojnë të jenë “dakordësuar” me këtë dënim me vdekje të gjuhës shqipe.
Le më pastaj që me këtë gjuhën tonë kaq “demode” duan të shpjegojnë shenjat e etruskëve apo qytetërimet prehistorike.
Shënim: Edhe ky shkrim rrëfen vuajtjen e gjuhës, përderisa ka disa fjalë të huaja, të cilat një shkrues më i zoti do i kishte mënjanuar.