Festivali i Filmit në Sarajevë shihet ende si një mënyrë për t’iu gëzuar jetës

Më shumë se 220 filma dhe 44 premiera do të shfaqen në Festivalin e Filmit në Sarajevë, i cili ka fituar prestigj në rajon dhe botë, që nga shfaqjet e para kur qyteti ishte i rrethuar dhe në luftë.

Festivali i Filmit në Sarajevë, SFF, i cili ka fituar famë botërore, do të shfaqë gjithsej 222 filma që vijnë nga 61 vende të botës.

Programi përmban “77 filma boshnjakë dhe 44 premiera botërore, që tregojnë se SFF i ka tejkaluar kufijtë rajonalë,” tha shërbimi për shtyp i festivalit.

Dhjetë filma do të shfaqen si të përzgjedhurit e mbrëmjes. Katër prej tyre janë filma boshnjakë, përfshirë filmin fitues të çmimeve “Vdekje në Sarajevë” me regjisor Danis Tanoviç.

Për të pasionuarit e dokumentarëve, programi i festivalit do të ofrojë 29 projeksione, ndërsa 16 filma të shkurtër dhe dy filma vizatimorë do t’i paraqiten publikut përgjatë tetë ditëve të festivalit.

Festivali i parë i Filmit në Sarajevë u mbaj në tetor 1995 kur qyteti ishte ende i rrethuar. Përgjatë 22 viteve të fundit ai është bërë festivali kryesor i filmit në rajon.

Festivali u startua nga njerëzit që punonin në Qendrën e Artit Obala në atë kohë dhe pati kinemanë e parë të luftës.

Në një intervistë BIRN në Bosnjë-Hercegovinë, Mirsad Purivatra, drejtori aktual i festivalit, kujton paraqitjet e hershme të filmave në qytetin e rrethuar.

“Kishte interes të madh. Njerëzit vinin për të parë filma, por edhe për të parë njëri-tjetrin. Për të parë se kush ishte ende gjallë, kush ishte në Sarajevë, për të ndarë rrëfime. Pra, ideja për të organizuar një festival lindi në kinemanë e luftës. Ne dolëm në përfundimin se duhej të ishte një festival veror, që të përdornim filmat për t’iu gëzuar jetës.

“Festivali i parë u quajt madje Festivali i Parë i Filmit Veror, por për fat të keq u shty deri në fund të tetorit për shkak të një beteje të madhe që u zhvillua në Sarajevë në qershor”, tha Purivatra.

Elma Tataragiç, përzgjedhëse e programit të filmave garues në festival, tha se ai u krijua gjatë luftës nga nevoja për të bërë një jetë të civilizuar.

“Ne nuk mund të qëndronim te një litër ujë dhe gjysmë kilogram bukë apo miell ose pak mish,” tha ajo.

“Donim t’i jepnim mundësinë të gjithë atyre njerëzve, të cilët nuk ishin trajtuar si qenie njerëzore prej vitesh, të përjetonin një histori filmi. Mendoj se jetojmë në të njëjtën histori sot. Përcollëm të njëjtin mesazh 20 vite më parë – një mesazh që thotë se ka të ardhme për Sarajevën, Bosnje-Hercegovinën dhe të gjithë rajonin”, shtoi Tataragiç.

Gjatë 12 ditëve të festivalit të parë në vitin 1995, u shfaqën gjithsej 37 filma te 15.000 shikues. Të gjitha biletat për filmat u shitën krejtësisht.

Purivatra kujton se sjellja e kopjeve të filmave në Sarajevë ishte sfida më e madhe. “Një film peshonte rreth 30 kilogramë. Disa regjisorë, të cilët i njohim si klasikë të botës të filmit, si Leos Carax, Alfonso Cuaron, Milço Mançevski, vendosën të vijnë në Sarajevë dhe të rrezikojnë jetën e tyre. Natyrisht, atyre iu desh të sillnin filma me vete. Leos Carax, që mund të ishte 60 kilogramë, solli tre nga filmat e tij me vete. Ata të gjithë erdhën në Sarajevë nga një rrugë e vjetër në malin Igman,” tha Purivatra.

Sipas tij, për dy dekada me radhë festivali është zhvilluar në një festival ndërkombëtar me fokus të veçantë në Europën juglindore, falë të cilit filmat, talentet dhe projektet e ardhshme të rajonit marrin vëmendje nga publiku ndërkombëtar i filmit.

“SFF i ka përmbushur synimet e fillimit, përfshirë synimin më të madh për t’u bërë një platformë që bën filma në Bosnje-Hercegovinë,” tha ai.

“Megjithatë, arritja më e madhe që kemi bërë është fakti se qytetarët e Sarajevës e kanë pranuar Festivalin si pjesë e tyre. Sapo njerëzit e kuptuan s enuk ishte vetëm një festival, por një mënyrë jetese, kjo ishte një pikë kthese. Të dalim në rrugë, të jetojmë, të gëzohemi,” shtoi Purivatra.

BIRN në Bosnje-Hercegovinë do të marrë pjesë për herë të parë si partner në programin e këtij viti me projektin “Përballja me të Shkuarën”./Birn

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *