Nga Dorian Koçi
Poeti i madh romantik anglez George Gordon Byron, gjatë vizitës së tij në Shqipërinë Jugore, më saktësisht në Janinë, mori si kujtim nga ato vise një kostum tradicional shqiptar. Do të ishte pikërisht bukuria dhe e veçanta e këtij kostumi, që në verën e vitit 1813 do ta shtynin piktorin Thomas Philips që të realizonte portretin e famshëm të Lord Bajronit veshur me kostumin shqiptar, me titull “Portrait of a Nobleman in the dress of an Albanian” (Portret i një fisniku me veshje shqiptare).
Portreti u vendos në Royal Academy dhe tani është i vendosur në ambasadën britanike në Athinë.
Midis veprave letrare të tij, një vend të rëndësishëm zë poema “Çajld Harold’s” (Childe Harold’s Pilgrimage, 1812-1817), shkruar në bazë të përshtypjeve nga udhëtimet të poetit në Spanjë, Greqi, Shqipëri, Zvicër, Itali etj. Poemën e përshkron patosi i luftës për liri të popujve të shtypur e të robëruar. Në të, Xhorxh Bajroni u këndoi traditave dhe zakoneve burrërrore të shqiptarëve, trimërisë dhe dashurisë së flaktë të tyre për lirinë.
Në letrën dërguar nënës së tij në datën 12 nëntor 1809, midis të tjerash Bajroni shkruan:“…I dua shqiptarët shumë. Në udhëtimin që bëra, kam rojtur një herë dy ditë, dhe një herë tjetër tri ditë, në një kazermë shqiptarësh, dhe s’kam gjetur kurrë ushtarë aqe të pëlqyer sa shqiptarët, ndonëse kam qenë në garnizonet e Gibraltarit e të Maltës, dhe kam parë shumica ushtarësh spanjollë, frengj, sicilianë dhe anglezë. Nuk më rodhën gjësendë, dhe më ftuan me gëzim të marr nga zahireja dhe nga qumështi i tyre…”
Tabloja e mëposhtëme titullohet “Largimi i Bajronit nga Tepelena me truprojën e nderit të Ali Pashë Tepelenës (1825) Autori është Robert Seymour( (1798 – 20 April 1836), një ilustruesit më të mëdhenj anglezë të kohës. Ai njihet si ilustrues i disa kryeveprave të letërsisë angleze dhe botërore. Tabloja edhe pse është realizuar gati 16 vjet më vonë se vizita e famshme e Bajronit, dëshmon për ndikimin e madh që pati vepra “Shtegtimet e Childe Haroldit” në mendimin evropian të kohës.