Ode për macen


Pablo Neruda

Kafshët të papërsosura qenë
të gjatë në bisht, me kokë
të trishtë.
Pak nga pak u formuan
duke u bërë peizazhe,
duke përftuar nishane, hire, flatrim.
Macja,
veç macja
i plotë u shfaq
e krenar
lindi i kryer,
vetëm ecën dhe e di ç’do.
Njeriu do të jetë peshk e zog,
gjarpri do donte flatra të kish
qeni është një luan i hutuar,
inxhinieri të jetë poet do,
miza studion për dallëndyshe,
poeti rroket mizën të imitojë
por macja
do veç mace të jetë
dhe gjithë ç ‘ishte mace, mace është
prej mustaqeve te bishti,
prej parandjenjës te i gjalli mi,
prej natës te sytë prej ari
Nuk ka njëjtësi
si ajo
nuk kanë
as hëna as lulja
at’ lloj strukture:
një gjë e vetme është
si dielli dhe topazi,
si linja e lakueshme përreth tij
i ngulmët dhe i lehtë është
si vija e lundrës së një anijeje.
Sytë e verdhë
veç një lug lanë
për të gjetur monedhat e natës.
O i vogli
perandor pa rruzull,
pushtues pa atdhe,
tigër i imët i sallonit,
sulltan dasmor i qiellit
i tjegullave erotike,
erën e dashurisë
në mot të keq
mëton
kur kalon
dhe pushon katër këmbë të holla
përdhe,
duke nuhatur,
duke dyshuar,
për gjithë ç‘tokësore është
sepse gjithë
e ndotur është
për të papërlyerën këmbë të maces.
O egërsisë e pavarur
e shtëpisë, gjurmë
arrogante e natës,
përtace, gjimnaste
dhe e huaj
shumë i thelli mace,
polici e fshehtë
e banesave
shenjë e një kadifeje të humbur ,
me siguri nuk ka
enigmë
në sjelljen tënde
ndoshta nuk je mister,
e gjithë bota të di dhe i përket
banorit më pak të mistershëm,
ndoshta të gjithë e besojnë,
të gjithë e dinë veten zot,
pronarë, ungj,
shoqërues,
kolegë
dishepuj a miq
të maces së tyre.
Unë jo.
Unë nuk pajtohem.
Unë nuk e njoh macen.
Gjithë i di, jetën dhe arkipelagët e saj,
detin dhe qytetin e pallogaritshëm,
botanikën,
pistilin me rravgimet,
plus minuset e matematikës,
gypat vullkanikë të botës,
guaskën joreale të krokodilit,
mirësinë e shpërfillur të zjarrfikësit,
atavizmin e kaltër të priftit,
por nuk di të deshifroj një mace.
Arsyeja ime rrëshqiti në mospërfilljen e tij,
sytë e tij kanë shifra ari.

Përktheu nga spanjishtja: Suadela Balliu

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *