Më 28 korrik 1913, Fuqitë e mëdha bien dakord që Shqipëria të vendoset nën sovranitetin e princit gjerman Wilhelm Friedrich Heinrich (Princ Vidi ose Princ Vilhelm Vidi).
Gruaja e tij, princeshë Sofia e Saksonisë (1885-1936) rridhte nga familja e njohur Gjika me origjinë shqiptare.
Mbretëresha Elisabeth e Rumanisë, kur mësoi se Fuqitë e Mëdha, ishin në kërkim të një aristokrati si mbret të Shqipërisë, përdori ndikimin për të emëruar nipin e saj, Vidin në këtë post. Përfundimisht Fuqitë e Mëdha evropiane, Austrio-Hungaria, Britania, Franca, Gjermania, Rusia dhe Italia zgjodhën Vidin për të qeverisur Shqipërinë e re të pavarur.
Njoftimi u shpall zyrtarisht në nëntor 1913 dhe vendimi u pranua nga Ismail Qemali, kreu i qeverisë së përkohshme në Vlorë. Në vitin 1913, evropiano-perëndimorët e konsideronin Shqipërinë një vend të varfër, pa ligje, të prapambetur; shtypi francez i referohej Vidit si “le Prince de Vide”, që do të thotë “Princ i Zbrazëtisë”.
Vidi dhe gruaja e tij, princeshë Sofia mbërritën më 7 mars 1914 në Durrës, ku u pritën me entuziazëm të madh, festimet zgjatën rreth 1 javë.
Por me Shqipërinë në gjendje lufte civile që nga korriku 1914, me Greqinë që kishte zënë jugun e vendit, dhe me fuqitë e mëdha në luftë me njëra-tjetrën, regjimi i Vidit ra, dhe princi u larguar nga vendi më 3 shtator 1914.
Vidi shkoi fillimisht në Venecia, pastaj u kthye në Gjermani si kapiten në ushtrinë perandorake me emrin e luftës, “Konti i Krujës”.
Pas luftës, Vidi ende ushqente ambicie për t’u rikthyer në Shqipëri, pavarësisht se Gjermania kishte dalë e humbur nga lufta. Shpresat e Vidit morën fund më 31 Janar 1925 kur Shqipëria u shpall zyrtarisht republikë me president Ahmet Zogun, më pas mbret.
Princi Vidi vdiq me 1945 në Predeal, Rumani, në moshën 69-vjeçare, duke lënë djalin e tij, princin Karol Viktor, si trashëgimtar të pretendimeve për fronin shqiptar.
Kur Konica këshillonte Princ Vidin: Mbaj larg hajdutët dhe analfabetët
Një nga mbështetësit e Princ Vidit ka qenë edhe Faik Konica. Diplomati shqiptar shkoi në Potsdam (Berlin) në fundvitin 1913 për t’u takuar me Vidin dhe për ta këshilluar personalisht atë për detyrën e vështirë që ai kishte marrë përsipër. Çfarë e këshillonte ai Vidin dhe si e vlerësonte Konica Shqipërinë e viteve 1913, del qartë në Kujtesën që ai i dërgoi Wied-it më 9 dhjetor 1913 nga Potsdami, të cilën po e botojmë të plotë:
Kujtesë
për Lartësinë e tij, Princin Wilhelm zu Wied,
nga Faik Konica, në Potsdam [Berlin] më 9 dhjetor 1913
Lartësia juaj, Princi Wilhelm zu Wied,
që prej momentit që u përzgjodhët sovran i Shqipërisë nga gjashtë Fuqitë e Mëdha, të gjithë patriotët shqiptarë janë gati për t’ju shërbyer me besnikëri e për t’ju ndihmuar në realizimin e detyrës së lavdishme të konsolidimit dhe zhvillimit të kombit shqiptar. Së pari, është shumë e nevojshme që, familja mbretërore, të bëhet e njohur në popull dhe sovranit t’i jepet një autoritet moral që nxit respektin dhe bindjen [përuljen] e popullit ndaj tij. Populli shqiptar, si një nga popujt më monarkikë të Ballkanit, ka tashmë besim të plotë te sovrani i tij i ardhshëm dhe e pret ardhjen e tij si Udhëheqës i domosdoshëm e shpëtimtar, i cili do të dijë ta drejtojë atë [popullin] në rrugën e duhur.
Por, suksesi i kësaj dinastie të re do të varet nga realizimi i idealeve që populli ka krijuar për këtë Princ, gjë që mund të përmblidhet me disa fjalë.
Nëse gjatë regjimit turk triumfuan më të shkathtët e më të shpejtët, me regjimin e ri, populli shpreson se do të jetë koha e njerëzve të ndershëm dhe të drejtë. Princi do të bënte mirë të vendoste sinqeritetin në themel të qeverisjes së tij. Pa diskutim, duhet të lihen mënjanë e të largohen gjithë intrigantët që nuk janë të aftë t’i futen punës. Këta njerëz, në vend që të përpiqen për zgjidhjen e problemeve të mëdha të kombit, preferojnë të fshihen në prapaskenat e oborrit mbretëror dhe në momentet e vështira, janë të parët që dezertojnë dhe rendin drejt padronëve të rinj. Favorizimi duhet të zhduket një herë e mirë nga Shqipëria.
Të njohësh njerëzit, ashtu si janë realisht dhe jo si mundohen ta shfaqin veten te miqtë apo armiqtë e tyre, përmbush gjysmën e asaj që anglezët e quajnë “King craft”, ose arti i të mbretëruarit. Dhe gjysma tjetër e këtij arti përkon në zgjedhjen e burrave të zotë e të drejtë dhe që bota i njeh si të tillë.
Analfabetët, hajdutët, vrasësit dhe tradhtarët duhen mënjanuar nga shërbimi publik. Kjo vërejtje duket e padobishme, por për fat të keq është e nevojshme. Në mesin e funksionarëve dhe xhandarëve të qeverisë provizore që vuan sot Shqipëria, pjesa e tyre më e madhe nuk di të shkruajë dhe të lexojë. Pothuajse të gjithë janë hajdutë ose vrasës të njohur dhe madje, disa prej tyre, janë kundërshtarë të ashpër të mëmëdheut shqiptar. Mbajtja e tyre në pushtet, ndërkohë që në Shqipëri ka elementë të arsimuar, të ndershëm dhe patriotë të gatshëm për t’i shërbyer atdheut, do të çonte drejt një katastrofe të madhe. Një studim i detajuar mbi lëvizjen tonë kombëtare gjatë këtyre 18 viteve të fundit, duke përfshirë në të qoftë personat që kanë luajtur një rol të rëndësishëm për atdheun, qoftë spiunët e administratës turke, është më se i nevojshëm për të krijuar një ide të saktë mbi karakteret e shqiptarëve.
Është e rëndësishme të mos harrojmë 2 fakte:
– së pari, vetëm në sajë të nacionalistëve, të cilët arritën të zgjojnë ndërgjegjen kombëtare shqiptare dhe të krijojnë një lëvizje pavarësie duke e paguar këtë me mijëra sakrifica, u bë e mundur që Austria të mbrojë përpara Evropës tezën e ekzistencës së një kombi shqiptar;
– së dyti, zgjedhja e princ Wied-it u bë e mundur nëpërmjet veprimtarisë aktive të përditshme të nacionalistëve, në gazeta, takime si dhe në kongresin e njohur të Triestes të marsit 1913, të cilët mbrojtën dhe forcuan parimin se, princi i zgjedhur, duhej të ishte evropian dhe i krishterë. Pra, populli pret që të jenë nacionalistët ata që gëzojnë vlerësimin dhe besimin e sovranit dhe jo turqit e vjetër apo të rinj.
Tre pika kryesore vihen re në programin e nacionalistëve:
1.Gjuha shqipe si e vetmja gjuhë zyrtare në administratën e vendit.
2.Qeverisja e vendit nga parlamenti.
3.Garantimi i lirisë absolute të shtypit.
Çështja e parë nuk ka nevojë të mbrohet, kuptohet vetvetiu.
Ndërsa për çështjen e dytë, mund t’i trembemi faktit se, Austria dhe Italia, edhe pse nisur nga qëllime të mira, mund të japin këshilla të gabuara, të bazuara në frikën e rremë se në Shqipëri nuk ekziston një opinion publik; dhe për rrjedhojë mund të krijohet një qeverisje despotike. Sigurisht, këto do të ishin këshilla të mjerueshme, por njëkohësisht dhe shumë të rrezikshme. Absolutisht që Shqipëria ka nevojë për drejtësi dhe vendosmëri në qeverisje dhe jo për despotizëm. Është e vërtetë që, gjatë viteve të para të qeverisjes, një senat, ose asamble këshillimore, i emëruar nga Princi, por i përzgjedhur me kujdes, mund të zëvendësojë dhe të krijojë kushtet për ngritjen e një regjimi parlamentar. Me të gjitha defektet e njohura që mbart, kjo është e vetmja mënyrë për të kanalizuar pakënaqësitë dhe për të ofruar një garanci serioze për dinastinë.Në lidhje me çështjen e tretë, atë të lirisë së shtypit, është për t’u patur parasysh që, çdo përpjekje për ta kufizuar këtë liri do të çonte në krijimin dhe publikimin e gazetave opozitare në kryeqytetet e disa shteteve të vogla fqinje. Kjo opozitë e organizuar tek armiqtë e Shqipërisë, do të ishte shumë herë më e rrezikshme, në krahasim me atë që do të krijohej brenda vendit, pasi kjo e fundit do të ishte më e lehtë për t’u mbajtur brenda kufijve normalë. Kuptohet që ajo [liria e shtypit] duhet të qeveriset nga një ligj serioz mbi shpifjet, siç ndodh edhe në Angli.
Nëse sovrani i merr në konsideratë këto pikëpamje, atëherë dinastia do të jetë e sigurtë dhe me një popullaritet të qëndrueshëm dhe jetëgjatë. Por, për momentin, ka disa probleme të ngutshme. Është shumë e rëndësishme që Princi të mos zbarkojë në Shqipëri pa qenë i ftuar më parë nga vendi dhe të mos vijë vetëm si një zgjedhje e Fuqive të Mëdha, pasi autoriteti i tij moral mund të vuante pasoja.
Ftesa e popullit shqiptar është e sigurtë, por në kushtet aktuale ajo mund të marrë një formë tjetër, në trajtën e një delegacioni të përzierë, me përfaqësues të gjashtë rajoneve administrative autonome, të cilat janë edhe ndarjet e përkohshme [qeveritë lokale] në Shqipëri.
Thirrja e një asambleje kombëtare për të miratuar përzgjedhjen e Fuqive të Mëdha, do të ishte e rrezikshme për shkak të karakterit anti-katolik që fatkeqësisht, shtypi dhe agjentët italianë, misionarët protestante shqiptarë dhe vetë Esat Pasha, i kanë veshur kandidaturës së Princ Wied-it. Pas pritjes që do i bëhet delegacionit gjithëpërfshirës, Princi duhet të udhëtojë për një periudhë të shkurtër në Krujë, kryeqytetin historik të Shqipërisë, për t’u prezantuar si princi mbretërues, ose më saktë mbreti i vendit, pasi populli shqiptar parapëlqen këtë titull që e mbart prej një kohe të gjatë edhe mbreti i Malit të Zi.
Për sa i përket karakterit prestigjioz, zbarkimi i princit duhet të shoqërohet me shumë shkëlqim dhe pompozitet. Eshtë shumë e domosdoshme gjithashtu, që anijet austriake dhe italiane të shoqërohen të paktën nga një luftanije angleze.
Pas një vizite 2-3 ditore në Krujë, Princi mund të zgjedhë lirshëm kryeqytetin e përkohshëm të Shqipërisë. Për këtë, Durrësi është një qytet që i rekomandohet në mënyrë të veçantë Lartësisë Tuaj për shkak të pozicionit gjeografik qendror të tij.
Për çdo rast, nëse Princi nuk dëshiron të bëhet lojë në duart e disa intrigantëve dhe kryehajdutëve, të cilët kanë mbushur me njerëzit e tyre radhët e policisë dhe xhandarmërisë, i duhet kërkuar Fuqive të Mëdha që të vendosin në kryeqytetin e përkohshëm shqiptar një garnizon të trupave ndërkombëtare të Shkodrës. Mendoj që një batalion është i mjaftueshëm.
Pasi të gjitha këto të jenë vënë në vijë, Princi duhet të emërojë personalisht dhe individualisht disa ministra, për secilin departament. Për disa arsye, të cilat pata nderin t’i paraqes gojarisht dhe mendoj se janë të tepërta për t’i përsëritur këtu, për momentin është e pamundur të ngarkosh një njeri të vetëm për formimin e një kabinet homogjen. Emërimi i një kryeministri do të sillte shumë vështirësi. Për momentin do të ishte e preferueshme të zgjidhen ministra pa lidhje direkte me njëri-tjetrin, të kryesuar nga shefi i shtetit, siç është rasti i SHBA-së.
Në rast se kjo ide nuk ju duket praktike, atëherë mund të përzgjidhet si kryeministër pa portofol një njeri i njohur si i paanshëm, siç është pronari i madh, Omer Pashë Vrioni. Për të thuhet se është i ndershëm, por paaftësia e tij është e njohur dhe këshillat e tij në përzgjedhjen e ministrave do të ishin pa vlerë.
Nuk do t’ju kujtoj argumentet e mia në favor të përzgjedhjes së një kryeqyteti tërësisht të ri. Kjo çështje do të diskutohet në thellësi kur të vijë momenti i duhur dhe do të jetë objekt i një kujtese speciale që do të kem nderin t’i parashtroj Lartësisë Tuaj.
Berlin, 9 dhjetor 1913
Nënshkruar nga Faik Konica
*Letra e rrallë e Konicës për princ Vidin është botuar në gazetën Dita nga historiani Marenglen Kasmi