Vajza e Llallës dhe mejhanet e medias

Nga Fatos Mahmutaj
Ju kujtohet Michelle Obama 7 vjet më parë, vetëm pak ditë pasi ishte bërë zonja e parë e SHBA, kur doli në publik ndërsa mbante veshur një palë këpucë 540 USD? Edhe pse ka kaluar shumë kohë dhe atëherë çifti Obama u detyrua të kërkonte ndjesë për luksin e shfrenuar të ‘first lady’, por, nëse do të kërkojmë sot në internet, rreth kësaj çështjeje ekzistojnë qindra artikuj të publikuar nga mediat anë e kënd botës.
Po mbreti i Belgjikës ju kujtohet pak kohë më parë kur e bënë ‘për ujë të ftohtë’ në Parlamentin Federal, pasi djali i tij, kishte firmosur restaurimin e pjesshëm të njërës prej rezidencave të familjes, rreth 150 mijë euro. Kaq u desh saqë eksponentë të partive ekstremiste të arrinin deri atje saqë të kërkonin edhe largimin e mbretit. Çka detyroi të parin e Belgjikës që jo vetëm të kërkonte ndjesë publike por edhe të kthente mbrapsht të gjitha paratë e shpenzuara nga arka e shtetit.
Po Enrik Fullani ju kujtohet? Djali i Ardian e Arjana Fullanit. Pikërisht ai që nuk mjaftohej nga Ferrari, koleksionet e orëve të shtrenjta por i fuste edhe një të fshirë djersëve me 500 euro.
Tani ka dalë dhe vajza e Adriatik Llallës, luksi i shfrenuar i së cilës ka qenë objekt i disa shkrimeve të publikuar njëri pas tjetrit ditët e fundit. I çuditshëm ka qenë reagimi i kryeprokurorit shqiptar, i cili jo vetëm i ka ndërprerë pushimet të bijës në plazhin e Jalës, dhe i ka zhdukur çdo gjurmë nga rrjetet sociale, por ka nisur edhe një fushatë shantazhimi ndaj botuesve. Gjatë të hënës shumë prej mediave shqiptare, përfshi edhe ‘dashnorët e fjalës së lirë’ nuk u morën fare me këtë lajm, ndërsa pjesa më e madhe e atyre që publikuan online shkrimin e gazetarit Bledi Mane, pas presionit të Llallës u detyruan ta hiqnin atë.
Kolegu Mane i ka bërë hesapet e çiftit Llalla (referuar asaj çfarë vetë kanë deklaruar), dhe sipas tij, për katër vjet të dy prindërit e 17 vjeçares nuk kishin fituar aq sa të paguanin çmimet e veshjeve dhe bizhuterive të vajzës, edhe nëse si familje do ishin ushqyer veç me përshesh me llallë.
E mirëkuptoj, çiftin Llalla që ndoshta e ka merak të bijën më tepër se prindërit e tjerë dhe nuk kursen asgjë për të. Mundet të kenë marrë kredi ose kanë hyrë borxh për të mos prishur qejfin e vajzës dhe nga sedra nuk e kanë deklaruar këtë. Por nuk arrij të kuptoj mediat dhe kolegët e mi që edhe pse pretendojnë se janë zëri i fjalës së lirë shantazhohen nga kryeprokurori dhe pse jo, ndonjë prej mejhaneve mediatike rrezik t’i fusë edhe ndonjë antilajm në mbrojtje të Llallës apo përgënjeshtrim, për gabimin e pafalshëm që bënë të hënën. Ndwr tw paktat, pwr tw mos thwnw e vetmja qw ka rezistuar deri tani wshtw newsbomb.al, ku dhe po publikoj kwtw shkrim, çka i vlerësoj pwr kurajën dhe mospwruljen para shantazheve apo favoreve qw Llalla ashtu siç do zyrtar shqiptar, nw raste tw tilla i ofron me shumicw.

Bruksel më 2 gusht 2016

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *