Shumë artistë të njohur botëror do të marrin pjesë në koncertin e “Himnit të Nënë Terezës”, i cili do të mbahet më 3 shtator në Vatikan. Kështu është bërë me dije gjatë një konference për media të organizuar nga Ipeshkvia e Kosovës.
Në shpalosjen e programit të koncertit, producentja e koncertit Diana Toska ka treguar se në mesin e solistëve të njohur ndërkombëtarisht, do të përformojnë edhe dy artiste shqiptare, Rita Ora dhe Inva Mula si dhe emra të tjerë të njohur.
Gjithashtu në këtë koncert do të marrë pjesë edhe futbollisti shqiptar Lorik Cana, i cili do të recitoj poezinë e “Nënë Terezës”.
Sekretari i Ipeshkvisë së Kosovës, Don Fatmir Koliqi, tha se viti 2016 do të shënohet në kishën katolike shqiptare, pasi në këtë vit do të bëhet edhe shenjtërimi i Nënë Terezës. Organizatorët duke shpalosur programin e koncertit janë shprehur se janë munduar që të përgatiten sa më mirë, dhe se gjithashtu atmosfera në Vatikan sipas tyre do të jetë shumë e mirë.
Don David Gjugja, nga Radio Vatikani tha se Nënë Tereza është ikona ku Papa Francesku ka dashur të jetë emblemë e qytetërimit, sepse sipas tij, Papa ka vlerësuar që duhet të ketë shembuj të humanizmit që dha “Nënë Tereza”.
Transmetimi i koncertit do të bëhet edhe në televizionet e trojeve shqiptare veç televizioneve të huaja.