Pokemon GO, dëshira për t’u arratisur nga jetët tona

Nga Adrian Zinku

Tiranë, fillim gushti. Temperaturat janë mjaftueshëm të larta  për të mos duruar dot askënd, madje as frymënxjerrjen tënde të avullt teksa të përplaset mbi buzë, por kjo nuk është mjaftueshëm arsye për të mos ndjekur pokemonin e rrallë, i cili pret tek kryqëzimi tjetër.

Një rrëshqitje e gishtit mbi ekran, dhe mund të vazhdosh sërish rrugën. Megjithatë, nuk mund të mos e dëgjosh pëshpëritjen e fqinjës së vjetër “Gjynah i shkreti, ishte goxha djalë…”, ndërsa ti vazhdon të kërrusesh mbi ekranin e telefonit, duke klithur sharje e kërcënime. Në fakt, ndoshta as që e ke dëgjuar gruan e fshehur pas dritares gjysmë të hapur, por ti e di tashmë, e merr me mend kërcitjen e rruazave të saj të qafës, teksa tund ngadalë kokën. Kështu ndodh gjithmonë.

“Jini të vetëdijshëm ndaj gjithçkaje përreth,” është paralajmërimi absurd sapo t’i hyn në lojën, që tashmë është një fenomen ndërkombëtar. E kotë tanimë, kur ti ke harruar një person që e njihje prej kohësh, vetëm e vetëm për të ndjekur krijesën e çuditshme në fund të rrugës.

“Pokemon GO” nuk u kthye në një hit brenda natës thjesht sepse ishte një lojë interesante, apo i fliste nostalgjisë fëmijërore të shumicës së lojtarëve. Në fakt, loja nuk ka thuajse asgjë interesante dhe mjafton pak kohë për t’u kthyer në makthin e vetëpërsëritjes.

Tërheqja qëndron tek risia që ajo sjell. Realiteti i shtuar (Augmented Reality), ku realitetit fizik i shtohen elemente virtualë. Dhe, një zot (nëse ka) e di se ç’nuk do të jepnim për ta ndryshuar botën me të cilën përballemi çdo ditë. Është pikërisht ajo çfarë njerëzimi ka bërë prej kohësh me artin, pikturat, librat, historitë, drogërat. Gjithçka për të ndryshuar sadopak realitetin fizik. Përshembull, mjaftuan pak sekonda për ta zëvendësuar fqinjën e mëriztshme e hundfutëse, në një ‘Pikachu.’

Muret monotone e therësisht të bardha të zyrës, mund të kthehen në një vend aventurash, ndërsa ti nuk rrezikon që eprori të të gjejë me hundën zhytur në ‘pluhurin e bardhë,’ apo duke kapërdirë pilula njëra pas tjetrës. E parrezikshme. Të paktën, derisa dilni në rrugë. Një 20-vjeçare humbi jetën pak kohë më parë në Australi, në një aksident të tmerrshëm, teksa përpiqej të kapte një ‘Charizard.’ Një tjetër, në Zelandën e Re, hoqi dorë nga puna për të ndjekur krijesat e çuditshme…

Çmenduritë nuk kanë fund, por për këtë mjafton një kërkim në Google. Po në Shqipëri? Eh, këtu fatkeqësisht askush nuk është mjaftueshëm i çmendur sa për ta merituar titullin. Askush nuk do të ishte gati të linte pas gjithçka për të ndjekur atë çfarë i pëlqen. Kjo, sidomos kur pas pak ditësh hoxhë Shefqet Krasniqi të dalë e ta shpallë haram lojën, bashkë me morinë e çdo kënaqësie të mundshme në këtë jetë.

Por, kjo pak rëndësi ka. Teknologjia ka menduar edhe për këtë. Mjafton një tjetër rrëshqitje e gishtit mbi telefon, dhe në pak çaste mund ta kthesh në një Charmander (kujdes shqiptimin!).  Jo, rreziku nuk fshihet pas një loje. Nuk ka qenë ndonjëherë kështu. Rreziku i vërtetë fshihet pas dëshirës që ne kemi për t’i përpunuar jetët tona. Për ta fshehur trishtimin e fytyrës jo pas një buzëqeshjeje të shtirur, por pas një morie filtrash në Instagram, apo Photoshop. Identitete të ndërtuara me kujdes nëpër rrjete sociale. Jetë, të cilat për t’i bërë sadopak emocionuese, zgjedhim t’i përziejmë me vargun e njëshave dhe zerove, ndërsa harrojmë se ato mund të jenë shumë më interesante, se sa thjesht dy gjendje fizike. Dhe, teksa e humbasim botën pak nga pak, paralajmërimi “Jini të vetëdijshëm ndaj gjithçkaje përreth,” duket po aq qesharak sa mbishkrimi “Duhani dëmton rëndë shëndetin” mbi çdo paketë cigaresh. Ndoshta, një mëngjes do të zgjohemi në ‘realitetin e shtuar,’ të ndërtuar me kujdes sipas preferncave tona. Pa varfëri, dhunë, ndotje, politikanë të korruptuar e fqinjë të bezdisshëm, por ku lumturia do të jetë thjesht një ‘wallpaper,’ dhe një gjueti pokemonësh, ndërsa nuk do të na mbetet tjetër veçse të pëshpërisim mërzitshëm: “Gjynah, nuk ishte dhe aq e keqe bota që kishim.”/Pasqyre.al 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *