Festivali folklorik bashkon shqiptarët në luginën e Plavë – Gucisë

Për të parën herë në krahinën e Plavë-Gucisë, në zemrën e Alpeve të Shqipërisë, po mbahet festivalin folklorik mbarëkombëtar. Ky festival mbështetet nga Fondacioni “Plavë-Guci”, si dhe nga Shoqata “Alpet Shqiptare”.

Në këtë takim muzikor dhe etnografik marrin pjesë grupe folklorike nga gjithë trevat shqiptare, nga Konispoli i Çamërisë, Medvegja e Dardanisë, Shkupi Iliridas, që po i japin luginës së Plavë-Gucisë, frymën e përgjithshme të atdheut tonë të përbashkët.

Festivali folklorik do të vazhdoj edhe sot në Vuthaj dhe në fshatra të tjerë të luginës.

Lugina e Plavë-Gucisë, një bukuri natyrore përrallore, përshkohet nga lumenj të pasur me ujë, të cilët para se të mbushin liqenin e Plavës, lagnin fushat anash, ndërsa rrethohet nga male të larta mbi dy mijë metra, të mbuluara me kullota e drurë, ku bora plotëson koloritin e kësaj gjeografie aq atraktive për turizmin malor, sot aq të popullarizuar.festivali2

Po ashtu, përmes kësaj lugine, në kohët antike e më vonë, kanë shtegtuar karvanët me itinerarin Dubrovnik – Kotor – Shkodër – Pejë – Stamboll (Kostandinopojë). Ka qenë shteg që ka lidhur edhe Kosovën me Shkodrën.

Konfigurimi, pozita strategjike e ka sjellë luginën në fokus të interesave njerëzore në epoka të ndryshme dhe ata s’janë larguar pa lënë gjurmë. Ato shënojnë shekuj e mijëvjeçarë. Gjurmët e mbetura të historisë në këtë anë çojnë në kohë të mugëta, në parahistori, të cilat i qëndruan harresës dhe ende vazhdojnë të rrëfejnë se nëpër këto troje pati jetesë, se në to jetuan a kaluan në kohë të ndryshme, njerëz me kultura e qëllime të ndryshme.

Arkeologët pohojnë se gjurmët më të hershme arkeologjike në këtë luginë, ndodhen jo larg Gucisë. Njëra ndodhet në Vollushnicë, Maja e Popadisë (në jug të Gucisë), në një lartësi mbidetare rreth 1790 metra. Mbi një rrasë guri në grykën e përroit, njeriu a njerëzit gdhendën një figurë që tregon nënën me fëmijë mbi ije dhe përreth saj, disa figura njerëzish. Sipas arkeologëve, kjo gravurë, ky vizatim, ka origjinën nga epoka e mesme e bronzit dhe i përket artit neolitik të Ballkanit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *