Ku po shkojmë?!

Nga Ilirjan Blloshmi

Nëse shfletojmë historinë e largët apo të afërt shohim se jeta jonë ka qenë dhe është një valle që deshëm apo s’deshëm, po e luajmë. Ne gjithë ditën mund të flasim mbi atë se si është fuqia jonë politike dhe nuk po ndërmarrim asgjë. Së paku të vetëdijesohemi se tradhtarët, korruptuesit, të poshtrit dhe shokët e tyre duhet urryer pa lëkundje. Neve po na vrasin, po na rrahin, po na fyejnë në komb e familje, po na qeshin e përqeshin dhe ne po heshtim, jo për një interes, por për një shpresë se ndoshta do të kemi një interes. Sa shumë jemi larguar nga vetvetja. Natyrshëm lind pyetja: Ku po shkojmë? Kjo është pyetja që në vazhdimësi dominon debatin politik, ekonomik e social të Shqipërisë që nga pavarësimi e deri më sot. Natyrisht, ky debat do të konsiderohej krejtësisht i panevojshëm sikur Shqipëria të ishte një shtet me një traditë të gjatë demokratike, me institucione funksionale e realisht të pavarura nga vullneti politik i elitave në pushtet. Ky debat do të ishte po ashtu i panevojshëm, po qe se Shqipëria do të ishte një shtet plotësisht homogjen për nga përbërja etnike, gjuhësore e fetare e saj dhe po qe se do të ishte ndërtuar si një shtet tipik nacional, ku një komb i vetëm përbën gjithë territorin brenda kufijve të shtetit. Por, meqenëse Shqipëria është një shtet me një traditë mjaft të shkurtër demokratike dhe për më shumë, është shtet shumë heterogjen për nga përbërja etnike, gjuhësore e fetare, debati mbi pyetjen “Ku po shkojmë?” do të vazhdojë të jetë në qendër të vëmendjes sonë edhe për një kohë të gjatë. Ne sot nuk jemi mirë as me prindërit, as me fqinjët e as me politikanët. Ndërlidhjet tona në shumë sfera janë dobësuar ose edhe janë shkëputur edhe kjo vetëm si pasojë e papjekurisë në disa raste, e paaftësisë në disa raste dhe e pamundësisë në raste të tjera. Pra, ne duhet të vetëdijesohemi dhe të marrim çështjen tonë në duar. Neve po na mungon ose na është turbulluar vetëdijesimi, i cili shpie drejt të kuptuarit e raporteve të ndërlidhjeve në sferat e jetës sonë. Në këto kushte, demokracia në Shqipëri nuk mund të jetë veçse një kombinim i manipulimit të turmës nga elitat pejgameriane dhe i shantazhit të organizatave parakriminale dhe mafioze ndaj këtyre elitave. Ashtu siç është e konceptuar në shumicën e vendeve perëndimore, vota e lirë e qytetarëve ka të bëjë me zgjedhjen e përfaqësuesve në institucione të tipit parlamentar, ku miratohen kryesisht ligjet dhe qeveritë e radhës. Pra është një periudhë që i shton shkaqet për të protestuar, për të qenë i indinjuar dhe njëkohësisht i revoltuar ndaj një pejgameri që burgun e ka kthyer në një vend pushimesh, kryetaren e organit të akuzës në një të akuzuar, kurse kokëpalarët në çifutët e radhës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *