“Lirinë e gjen kurdoherë. Mjafton të paguash çmimin

Lirinë e gjen kurdoherë. Mjafton të paguash çmimin”. Kjo shprehje e Henry De Montherlant ka qenë lajmëtarja e ditës së fundit në punë. Në moshën 57-vjeçare, mbas tri vitesh në krye të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, Ilir Kerni, balerin e koreograf, fitues i disa titujve e çmimeve kombëtare e ndërkombëtare, ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i institucionit më të rëndësishëm të kulturës në vend, TKOBAP.

Nga Fatmira Nikolli

Prej kohësh, në ambientet e kulturës është përfolur përplasja e tij me Ministrinë e Kulturës dhe me vetë ministren, mbi idetë e ndryshme të dy palëve për operën dhe të ardhmen e saj, dhe “kërcënimi” për dorëheqje pritej dita-ditës. Të premten, Kerni e ka paraqitur atë zyrtarisht, pa zyrtarizuar as debatet, as përplasjet, as mosmarrëveshjet. Në heshtje e pa bujë, ai iku siç erdhi, pa dashur të dalë në media, pa komentuar dhe drejtuar gishtin kundër askujt.

Pak ditë më parë, në një “letër lamtumire” në “Facebook”, ai e ka paralajmëruar ikjen e tij duke bërë një përmbledhje të 28 muajve në krye të Operës, ndërsa dje, i kontaktuar nga “GSH” nuk është përgjigjur. Asnjë përgjigje zyrtare, as nga Ministria e Kulturës sa u takon arsyeve të dorëheqjes.

Ndërsa lajmi për dorëheqjen e Kernit, po merrte dhenë i konfimuar nga burime e pa asnjë konfirmim zyrtar, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ka bërë publik projektin e plotë të rikonstruksionit të Teatrit të Operës në Tiranë. E kontaktuar nga “GSH”, Elira Kokona, sekretare e përgjithshme në Ministrinë e Kulturës, ka thënë se nuk i ka informacionet që ne kërkonim pasi gjendet jashtë Tirane, “por me siguri, nuk është asnjë nga arsyet që ju citoni”, referuar pyetjeve mbi përplasjet ministri-teatër.

Për kujtesë, në kohën që zhvillohej një protestë dhe debat i madh për çështjen e kontratave në TKOB, kohë kur disa prej artistëve kërkuan deri largimin e tij, në një dalje për mediat, nga ato të rrallat, në prill 2014, Ilir Kerni do të deklaronte: “Unë jam me artistët. Artistët kanë mbështetjen time, asnjë prej tyre nuk do të largohet nga puna”.
Ilir Kerni, prej drejtimit të TKOB, mban disa tituj, si “Artist i merituar”, Urdhri “Naim Frashëri”, “Oskar Ormosh” (2 herë), “Çmimin më të lartë në Kroaci” etj.. “U ktheva – shprehej ai kur la Kroacinë për Shqipërinë, – se më dhembte ky teatër, më ka dhembur gjithmonë degradimi i tij”. Në 28 muaj gjatë drejtimit të Kernit, sipas një videoje ku përmblidhen aktivitetet, del se ka pasur: 200 milionë lekë të ardhura, 80 mijë spektatorë, 432 shfaqje- një në dy ditë, 12 premiera operash, 15 premiera baletesh, 20 premiera nga Ansambli Popullor, 90 premiera koncertesh nga kompozitorët e njohur botërorë e shqiptarë, protokolle bashkëpunimi me Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Kroacinë, 33 turne brenda e jashtë vendit, janë risjellë në skenë 37 artistë të njohur shqiptarë në botë, si: Ermonela Jaho, Oriana Kurteshi, Miriam Tola, Inva Mula, Kledi Kadiu, Shkëlzen Doli, Gëzim Myshketa, Angelin Preljocaj, Eno Peçi, Saimir Pirgu, Anbeta Toromani, Jonian Kadesha etj., është marrë çmimi “Lo Schiacciaroci D’oro”.

REAGIMI
Në datën 22 korrik, kur vendimin e kish marrë, Ilir Kerni do të shkruante në “Facebook”-un e tij: Gjërat e bujshme kurrë s’i kam dashur, lutem pak vëmendje për të njohur faktet! Vetëm 28 muaj punë për të transformuar gjithçka, me punë, punë dhe vetëm punë. Me buxhetin me të ulët historik… shpenzimi mesatar për një shfaqje nuk kalon të 600 eurot, pra mund të hyjmë në rekordet Gines. I kemi kthyer mbi 200 milionë lekë buxhetit të shtetit, nga biletat, për rrjedhim shpenzimi mesatar del edhe më i ulët. Vetëm Kosova, pa përmendur vendet e rajonit, ka 9 herë më shumë buxhet për programin artistik. Kjo është koha e pasionit, përkushtimit, shpresës dhe idealit të pastër për Operën e vetme në trojet shqiptare. Falënderim me përulësi për artistët e mrekullueshëm, stafin e produksionit dhe administratën perfekte. Falënderim me përulësi për artistët famozë shqiptar në botë, kontributi i të cilëve ishte gratis në ndihmë të shtëpisë sonë të përbashkët. Dhe sa e sa gjëra të tjera janë bërë… 28 muaj punë gjigante. TKOBAP Albania, e pakrahasueshme me asgjë tjetër në këtë vend. Fundi i pjesës së parë!”, mbyllej postimi i tij.

Kerni ishte në këtë post që prej vitit 2013, kur socialistët erdhën në pushtet. Ai zëvendësoi në TKOB ish-drejtorin Zhani Ciko. Ilir Kerni ka lindur në Tiranë, më 18 maj 1959. Në vitin 1977 përfundoi Akademinë e Baletit. Menjëherë u angazhua si primo-balerin në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë. Kerni mbante postin e drejtorit të Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *