Anxhela Lepuri
Virgjëresha shqiptare është vepra me të cilën Alice Munro fitoi më 2013 çmimin Nobel. Arsyet përse Munro e shkroi këtë vepër njihen tashmë: lexoi Edith Durham-in dhe ndjeu se duhet të shkruante diçka për shqiptarët (veriorë), të cilët me zakonet dhe doket e trashëguara prej vitesh, i përkisnin një tjetër epoke, një kohe të pakohë.
Ishte hera e parë kur Munro dëgjoi për një shoqëri ku ndryshimet gjinore e vinin femrën në një pozitë inferiore. Nuk është vetëm primitivizmi i shqiptarëve tema e vetme, rreth së cilës vërtitet i gjithë subjekti i veprës. Tema të tjera si figura e femrës dhe nënshtrimi i saj, dashuria e vërtetë dhe tradhtia, raportet ndërnjerëzore dhe përkohësia e tyre, liria dhe vetmia, marrin jetë në tekst.
Në këtë shkrim nuk do të përqendrohemi tek të sipërmendurat, por tek një çështje tjetër, jo pa rëndësi, tek çështja e “tjetrit”. Si dukemi ne shqiptarët (veriorë të viteve ’20 të shekullit të kaluar) në sytë e të huajve dhe si duken të huajt në sytë tanë?
Fabula është e njohur: një kanadeze në vitet ’20, shkon në veri të Shqipërisë për t’u njohur me bukuritë e një vendi të virgjër. Por, atje zbuloi jo vetëm virgjërinë natyrore po edhe atë mendore. Që ditën e parë ajo sheh me sytë e saj sesi merret gjaku i trashëguar brez pas brezi, madje sesi ndërtohet jeta në një vend të ashpër nga njerëz të ashpër.
Në vepër ndërthuren dy rrëfime. I pari është ai i Lotarës dhe i gegëve shqiptarë dhe i dyti ai i Klarës dhe dramës së saj. Ky tregim i gjatë/ novelë/ roman i shkurtër, ndërfut dy rrëfime të cilat alternohen mes fantazisë dhe faktit. Ajo çka i lidh të dy këta rrëfime janë padyshim personazhet e Sharlotës (Lotarës) dhe Gjurdhit (priftit françeskan) – tashmë nën një identitet të ri.
Lotara përfundon çuditërisht duke jetuar në një shoqëri “të çuditshme”, të ndryshme nga e saja, pra një “tjetër”. Duke u nisur nga formulimi që i bën T. Todorovi këtij nocioni, do ta përcaktojmë tjetrin, si një abstraksion, si një instancë e konfigurimit psikik të çdo individi, si Tjetrin, tjetrin në lidhjet që ai ka me ne, ose si një grup social konkret, të cilit ne nuk i përkasim.
Tjetri mund të jetë “i brendshëm”, pra, burrat për gratë, të pasurit për të varfrit. Po,r mund të jetë edhe “i jashtëm”, pra një shoqëri tjetër, e afërt ose e largët; qenie të afërta me ne në planin kulturor, moral, historik, por edhe disa të panjohur, disa të huaj që nuk ia kuptojmë as gjuhën, as doket e zakonet.
Lotara nuk e ndjen veten më të epërme se gegët; ajo hyn në lëkurën e tyre: jeton, ushqehet dhe fillon të mendoj si ata. Ky sistem jetese i ndryshëm, nuk nënkupton për të një mungesë sistemi, por një sistem “tjetër”. Ajo i mendon gegët si qenie njerëzore të plota, që kanë të njëjtat të drejta për ta organizuar jetën e tyre ashtu si duan, sikurse edhe ajo.
Ajo heq dorë nga mënyra e saj e jetësës, madje edhe nga identiteti i vet, përderisa pranon emrin që gegët i vendosin, në pamundësi për ta kuptuar gjuhën e saj. Ajo fillon të mësojë gjuhën dhe kulturën e tjetrit, i përkushton kësaj jetën e vet dhe përfundon të bashkëndajë disa nga vlerat e atyre që në nisje kishin qenë objekt kundrimi për të.
Lotara tanimë mes “të tjerëve”, tëhuajtet nga kultura prej së cilës ka ardhur. Idenë e largimit nuk e shkon ndërmend, përqafon vlerat e gegëve, identifikohet dhe barazohet me ta. Padyshim, një mjet integrimi në gjirin e kësaj shoqërie ishte edhe gjuha. Fakti që ajo mësoi të flasë gegnisht, do të thotë se ajo i njeh atyre (gegëve) një cilësi prej subjekti, të krahasueshme me atë çka është edhe vetë. Ajo pranon të bëhet një virgjëreshë (burrneshë), diçka e padëgjuar për të më parë.
Por, çfarë tregon kjo për Lotarën?
Tregon se mbi të gjitha ajo është një njeri i lirë, e pavarur nga mentaliteti (nëse ka të tillë?!) i vendit të saj. Përderisa ajo, e lodhur nga jeta monotone e vendit të saj, ndërmori një udhëtim në një vend të panjohur, tregon se ajo është e lirë të krijojë çfarëdolloj raporti njerëzor. E pakufizuar nga asnjë kulturë apo zakon i vendit të vet, ajo largohet dhe përshtatet me tjetrin, që i përket një shoqërie të mirëorganizuar, ku raportet me botën ndërtohen mbi baza primitive.
Kjo ndjenjë lirie që karakterizon Lotarën (Sharlotën), justifikon edhe sjelljet e saj në shoqërinë e “tjetrit”. A ndodh e njëjta gjë me Gjurdhin? Jo, ai jeton me Sharlotën në vendin e saj, por nuk harron të vishet dhe të ushqehet ashtu si njerëzit e vet diku në malësitë e Shqipërisë veriore. Që parashtron se gegët nuk kanë mundësi ndryshimi të jetesës, ajo është përcaktuar dhe organizuar nga të parët e tyre.
Nuk ka kurrfarë paragjykimi në vlerësimet dhe gjykimet e Lotarës. As njerëzit për të nuk ishin të çuditshëm. Gratë dukeshin të vrazhda, por në të vërtetë nuk ishin të tilla. Ato ishin vetëm të zëna me punë, dhe krenare e të etura për konkurencë.
Në sytë e saj gegët janë njerëz të ndershëm, të gatshëm të vdesin për nder, ndryshe nga njerëzit e vendit të saj, të cilët të veluar nga jeta, hanin shumë dhe detyroheshin të pinin ilaçe. Fakti që ata i përkasin një tjetër kulture, nuk përbën pengesë njohjeje për të. Lotara fillon të njohë tjetrin duke u nisur nga vetja, por edhe veten duke u nisur nga të tjerët.
Shqiptarët do të kenë një qasje tjetër ndaj të huajit. Përderisa i huaji nuk flet gjuhën e tyre, mendohet se gjuha e tij nuk është gjuhë ose nëse do të flisnim në terma të Todorovit do të thoshim se gjuhë e të huajit është një këndim zorrësh për veshin e tjetrit.
Gratë malësore argëtoheshin me Lotarën kur ajo u fliste anglisht. Tingujt e gjuhës së saj ishin qesharake, që nënkupton se ishin inferiore. Pra, ashtu si dhe tjetri edhe gjuha e tij ishte inferiore, krahasuar me gjuhën e tyre dhe me ta. “Nga këta tinguj të çuditshëm ato shtrembëronin fytyrën dhe rrudhnin buzët. Ajo përpiqej t’u mësonte fjalët hand, nose, e fjalë të tjera. Atyre u dukej si shaka. I përsërisnin fjalët me njëra-tjetrën e ia plasnin gazit”.
Në këtë rast mund të flasim për egocentrizëm, përderisa çështja e tjetërsisë mbështetet mbi egocentrizmin, pra identifikimin e vlerave të tua me vlerat e përgjithshme, të unit tënd me gjithësinë, si dhe me bindjen se bota është një. Gegët e simpatizojnë Lotarën, por kjo simpati përkthehet në dëshirë për ta parë atë duke marrë zakonet e tyre: ata nisin ta martojnë me një mysliman, e veshin dhe e rregullojnë sipas zakoneve të tyre, pa marrë mendimin e saj nëse dëshiron apo jo të martohet.
Ata nuk ia njohin asaj të drejtën e pasjes së vullnetit, sikurse nuk ia njohin as grave të tyre. Për më tepër, t’ia imponosh vullnetin tënd tjetrit, nënkupton se ti nuk ia njeh atij të njëjtin humanitet si vetes, çka është saktësisht tipar i një qytetërimi inferior.
Kjo do të thotë se shqiptarët, saktësisht, ata të viteve ’20, nuk dëshmojnë tjetër gjë veçse tiparet të një shoqërie inferiore që nuk e pranon gjuhën dhe kulturën e tjetrit, por paradoksalisht e mirëpret tjetrin si individ, për ta bërë një prej të vetëve.
Alice Munro na sugjeron se tjetri duhet zbuluar. Sepse njeriu nuk është kurrë vetëm dhe nuk do të ishte ai që është pa dimensionin e tij shoqëror. Secili nga ne duhet ta rifillojë personalisht.
Njohja e vetes kalon nëpërmjet tjetrit!
Nuk e kam lexuar kete liber, sigurisht, por me kaq sa parashtrohet ne kete recence, primitiviteti i shqiptareve, shprehur sidomos ne moskuptimin dhe mosdeshiren per te kuptuar madje, te lirise se tjetrit, te konceptit te tjetrit per jeten, te deshirave te tjetrit (pamundesia per t’iu kundervene kesaj barbarie e detyron Lotaren te behet nje “virgjereshe”?!), deri edhe perbuzja per gjuhen e tjetrit, nga kendshikimi i nje evropianeje, duhet te shoqerohet me nje percmim dhe perbuzje te madhe… Te dashuruarit me kete bote e keta njerez ka qene vetem nje poze intelektuale e kohes, nje shtyse per joshje ndaj ekzotikes, nje mode e letrarizimit te primitives, thjesht per t’ia kundervene problemeve te medha morale e sociale te shoqerive te tyre ne fazat moderne te zhvillimit…