Tavolina e Robert Shvarc

Nga Alda Bardhyli

Në vitin 1932, shkrimtari dhe piktori Henry Miller hartoi një listë me rregulla për të ndërtuar rutinën e tij të të punuarit dhe e vendosi në çdo cep të shtëpisë ku jetonte. I dhënë pas gjërave të ëmbla që të jep liria, Miller e linte gjithnjë të shkruarën për një tjetër kohë. Por të priturit e një kohe që ndoshta nuk do të vinte asnjëherë e bëri Miller të bënte një nga betejat më të mëdha në jetën e tij, atë me vetveten. Rregulli nr. 1 që ai shkroi mbi fletën e bardhë ishte të shkruante diçka çdo ditë, duke e çuar në fund. Më pas ai e këshillonte vetveten të niste çdo ditë një libër të ri apo të shfletonte një material nga një revistë. “Mos u bë nervoz, puno me qetësi gjithçka që ke në dorë. Puno sipas programit dhe jo sipas humorit tënd. Mos u bë si një kalë i rrezikshëm pune, por puno me kënaqësi. Harroji librat që do të dëshiroje të shkruaje dhe mendo vetëm për librin që do shkruash … Mos harro që gjatë kohës që shkruan, orët e pushimit t’i kalosh duke dëgjuar muzikë, takime me miq të mirë apo filma të bukur …”, ishin disa nga rregullat e tij. Është një bar në Tiranë (Noeli), ku një tavolinë, bri një rafti librash e mureve të mbushura me foto artistësh, duket sikur mban ende shpirtin e Robert Shvarc. Shqipëruesi i njohur i shqipes zgjidhte të takonte orë të tëra në këtë lokal. Tavolina ku ai ulej për të punuar, është ende aty. Shpesh rrëfimet e Mirit, të zotit të lokalit mbi miqësinë me Shvarc apo mënyrën sesi ai punonte me të njëjtën disiplinë çdo ditë, duket sikur e sjellin sërish aty, në atë kënd të heshtur ku sot ulen të tjerë klientë. Mund të ndodhte të vinte në orën 11:00 paradite e të ikte pas mesnate. Ky ishte një ritual që ai e bënte çdo ditë, e as muzika që mund të ngrihej shpesh në sfond nuk mund ta shkëpuste atë nga bota ku e kishte futur përkthimi. Tavolina e thjeshtë ruan një copëz të rëndësishme të historisë së letrave shqipe, duke qenë për shumë kohë studioja e punës e një personazhi që duket sikur fati e solli në Shqipëri (ai lindi në Sarajevë) për të zgjeruar kufijtë letrarë, e për të sjellë jo vetëm në bare e librari, emra të njohur të letrave botërore si Remark, Fojtvanger, Breht, Heine, Gëte apo Markez. Ne nuk mund ta imagjinojmë se cili libër është përkthyer në këtë tavolinë, që sot duket që vuan mungesën e tij. Nuk mund ta dimë se cilët personazhe shpesh e kanë zemëruar, apo befasuar, duke i lënë ashtu mbi fletë, e ka dalë jashtë duke ngjitur shkallët për të marrë pak ajër… Shkrimtari ynë i njohur, Ismail Kadare, në Paris zgjedh “Kafe Rostand” për të hedhur në letër subjekte apo vazhdimin e romanit të tij të ardhshëm. Libri i tij i fundit “Mëngjese në kafe Rostand”, përtej grishjes për këtë vend joshës në Paris, është dhe një ftesë mbi rëndësinë e vendosjes së një rutine në punën tënde. Pasi ai zgjedh t’i kalojë mëngjeset aty, në atë tavolinë të thjeshtë ku një nga një zbresin krijesat e imagjinatës dhe marrin jetë mbi letër. Duket sikur takimet me shkrimin, shkrimtarët zgjedhin t’i bëjnë në vende me të cilat nuk shkëputen më asnjëherë. Besnik Mustafaj, një tjetër shkrimtar, tregon se asnjëherë nuk ka shkruar letërsi në dhomën e një hoteli apo në zyrë. Lidhja me shkrimin për të i kujton gjithnjë tryezën e shtëpisë apo studios, ku pas një kafeje e një cigareje të gjatë ulet për t’u ngritur vetëm atëherë kur personazhet duan pak liri prej tij. wordpress E shkruara e letërsisë është një proces kaq individual, lidhur ndoshta me kohët e para të shkrimit të gjithsecilit. Virginia Wolf, anglezja që i dha hov mendimit dhe ndjesive femërore, këmbëngulte në rëndësinë e të pasurit të një dhome më vete për të shkruar. Një femër, shkruante ajo, nuk mund të bëhet shkrimtare nëse nuk ka një dhomë më vete, pasi letërsia nuk mund të bëhet nën erën e gjellës në kuzhinë. Ndoshta kishte të drejtë. Por si mund të krijohet letërsia? Maya Angelou, poetja e njohur amerikane, merrte një dhomë hoteli në vendlindjen e saj dhe e paguante për një muaj. Zgjohej në orën 06.30 të mëngjesit. Në dhomë kishte një krevat, një tavolinë dhe banjë. Me vete kishte Biblën dhe një gazetë me fjalëkryq. E niste duke zgjidhur fjalëkryqin, duke bërë një lojë të vogël me mendjen, për të vijuar më pas me shkrimin. Shkrimtarja Barbara Kingsolver, fituese e çmimit “Pulitzer”, në një intervistë të vitit 2012, tregonte se zgjohet herët në mëngjes për të shkruar. Ora katër e mëngjesit për të ishte standarde. “Përpiqem të shkruaj përpara se dielli të dalë. Koka ime është plot me fjalë dhe më duhet vetëm të hap kompjuterin dhe t’i kthej këto fjalë në jetë. Gjithnjë ngrihem me një fjali në mendje. Njerëzit shpesh më bëjnë pyetjen se si mund të arrij ta disiplinoj vetveten. Nuk mund ta kuptoj këtë pyetje. Ndodh të shkruaj dhjetëra faqe para se të shkruaj faqen e parë …”, shprehej ajo. Ndërsa Nathan Englander shprehej se nëse do të shkruash duhet të fikësh telefonin. “Jo mesazhe, email-e, Facebook apo Instagram. Duhet të ndaloni së bëri këto gjëra dhe të shkruani”, shprehet ai. Skot Fixherald ishte gjithashtu i lidhur pas orëve të gjata të punës mbi makinën e shkrimit. Zemërimi i Zeldës, gruas së tij, u bë më i madh kur dëgjonte çdo mëngjes trokitjen në derë të stenografes. Është po aq e bukur historia e çdo krijimi sa dhe vetë ai. Këto momente kaq intime janë të rëndësishme për shkrimtarët. Por, krijimi i një rutine duket se është pika që i bashkon rrëfimet e gjithë shkrimtarëve mbi procesin e të shkruarit. Dhe ajo çfarë duket se është e pamundur në një art siç është letërsia, disiplina duket se është çelësi i suksesit për çdo shkrimtar. “Zgjidhja më e zgjuar, më e mirë, më e lehtë dhe shumë më e pëlqyer edhe nga mendjet e lira, është të japësh ligje të rrepta dhe urdhra të prerë”, shkruan në librin “Lavdërim i disiplinës” Bernhard Bueb. Talenti nuk mjafton për të çuar më tej ëndrrat tona për t’u bërë shkrimtarë. Ai do të humbë dalëngadalë prej trupit tonë, duke marrë format që zemërimi do t’i japë nëse nuk do të dimë të sillemi me të. Vendosini një rregull vetes. Shkruajini në një letër ashtu si Henri Miller bëri kur kuptoi se talenti i tij më i madh mund të ishte dashuria për alkoolin se për letrat. Uluni për të shkruar çdo ditë, qoftë edhe pak rreshta, derisa ky proces të kthehet në një ritual për ju, duke e bërë talentin të ndihet i lumtur brenda teje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *