Nga Elvin Nuri
24 orë para çeljes së seancës parlamentare që do të vendoste fatin e çështjes më të nxehtë politike që nga shpallja e pluralizmit në Shqipëri në media u raportua se “neni që do t’i hapte rrugën martesave mes të njëjtës gjini” ishte shfuqizuar nga Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi. Madje dita mediatike çeli pikërisht me këtë lajm bombastik, ekselent për të hapur një debat plot polemika, replika, gjenitale, riprodhim, rende natyrore dhe bërthamë shoqërie. Nga kafenetë e deri tek nivelet më të larta të organizmave shoqërore në vend do të gëlonte zhurmnaja që, me meritë, shkakton kjo çështje delikate. Por ky siariq ishte i destinuar për t’u presuar për disa orë nga pesha e rëndë e kërkimit të konsensusit për një Reformë në Drejtësi nga burrat dhe gratë me profil të lartë politik, ndaj u detyrua të kalonte në rradhën e poshtme të vëmendjes së opinionit publik vetëm me një shkelje syri. Deri kur…
Trysnia e protagonizmit të bashkimit mes burrit dhe gruas
Neni në fjalë, ai “që do t’i hapte rrugën martesave mes të njëjtës gjini”, u shfuqizua nga Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi me një justifikim që personalisht e përshëndes dhe e cilësoj si të aryetuar ad hoc (ad hok! Shqiptoje dhe ti tre herë me zë të lartë! A nuk të duket këndshëm se si tingëllon?): Shmangia e çdo keqkuptimi mbi fokusin e vërtet të këtij organizmi, Reforma në Drejtësi. Vetë kryetari i këtij komisioni, Fatmir Xhafaj argumentoi se ishte “kërkesë e PDIU dhe e disa grupeve të tjera, por jo më shumë në kontekstin e nenit në vetëvete të përmbajtjes sesa të faktit që disa prej këtyre neneve nuk kishte lidhje drejtpërdrejt me reformën”. Deri këtu nuk mund të ketë replika nga askush. Në rradhë të parë Reforma në Drejtësi! Por çfarë parashikonte ky nen tashmë i shfuqizuar? Për ata që ende nuk e dinë, nëse ky nen do të kalonte nga komisioni për miratim në Kuvend (në atë të të gjithë individëve të pajisur me nënshtetësi shqiptare) njëkohesisht do të shpallej edhe si antikushtetues diskriminimi me bazë identitetin gjinor, orientimin seksual, përkatësinë shoqërore, gjendjen pasurore, lindjen dhe aftësinë e kufizuar. Këta elementë do të shtoheshin tek ai fragment i Kushtetutës që aktualisht thotë: Askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla si gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare e filozofike, gjendja ekonomike, arsimore, sociale ose përkatësia prindërore.
Ky propozim për të shtuar disa elementë të rinj antidiskriminim në kushtetutën e një vendi, brenda kufijve të të cilit diskriminohesh në shumë raste edhe pse nuk ke veshur kanatiere poshtë t-shirtit, u konsiderua nga disa sektorë të politikës si ai “që do t’i hapte rrugën martesave mes të njëjtës gjini” ekskluzivisht për shkak të përfshirjes së orientimit seksual. Madje u cilësua skuthllik apo komplot LGBT. Forca politike që i mban pishtarin këtij arsyetimi thjeshtëzues në limitet e skandalozes, ashtu siç deklaroi dhe Xhafaj, është Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe në fakt lideri i saj, Shpëtim Idrizi u prononcua për mediat vetëm pak orë pas shfuqizimit të nenit. Idrizi, ashtu si dhe unë, e përshëndeti këtë vendim duke deklaruar, ndryshe nga të gjithë, se “ky vendim erdhi pas trysnisë pozitive të ushtruar nga PDIU”. Suksese, jeni shumë positivë edhe kur përjashtoni njerëzit me aftësi të kufizuara! Por pasi e shpalli partinë e vet kundër të gjitha diskriminimeve kreu i Drejtësisë, Integrimit dhe i Unitetit shtoi se “ndalesa e diskriminimit nuk do të thotë se mund të lejohet cënimi i familjes”. Me frazën e fundit, ndoshta nga dehja e suksesit që të falë trysnisnia e tepërt, Idrizi harroi ose injoroi faktin se faza fillestare e diskriminimit dhe e dhunimit për shkak të orientimit seksual për “deviantët”, në shumicën e rasteve, nis në familje. Me qindra familje, ato që kanë guxim të paktën të pranojnë realitetin, tani do të fillojnë t’i cilësojnë fëmijët e tyre si subversivë të përfshirë në aktivitete që minojnë drejtësinë, integrimin dhe unitetin apo vetë, të rrallin, konsensus brenda familjes. Apo nuk është kjo ideja?
Nëse mbështetet ideja se duke i bërë bllokadë shpalljes si anti-kushtetuese të të gjitha llojeve të iniciativave anti-humane që mund të lindin në të ardhmen, si pasojë e orientimit seksual, nuk do t’i hapte rrugën “martesave gay”, duke shpëtuar familjen dhe duke subvencionuar riprodhimin, atëherë mund të deduktohet diçka tjetër. Kokëposhtë. Shfuqizimi i këtij neni dhe përshëndetja publike nga ana e një faktori politik qeverisës legjitimon si kushtetues diskriminin dhe çdo lloj forme dhune fizike apo psikologjike që një pjesë e shoqërisë është përballur në të kaluarën, i mohoet ditën me diell kur flitet për drejtësi dhe do ta durojë në të ardhmen si peshqesh të trysnisë së drejtësisë, integrimit dhe unitetit. Pse jo edhe ligji ekzistent “për mbrojtjen nga diskriminimi” shumë mire mund të rrëzohet si antikushtetues, skuth, puçist dhe LGBT…aty përfshihet edhe komploti: orientimi seksual.
Por çështja është edhe më e koklavitur, Idrizi jo vetëm përshëndeti por edhe predikoi mbi rendin natyror – “Martesa është bashkimi mes burrit dhe gruas dhe kjo nuk ka të bëjë me diskriminimin, por me rendin natyror. Familja, si bërthama e shoqërisë, është e shenjtë dhe duhet mbrojtur. Prandaj, ne i qendruam deri në fund kundërshtimit tonë mbi këtë ndryshim te Kushtetutës”.
Idrizi dhe shpura e tij, që karakterizohet nga gjuajtja e tematikave delikate si pasojë e një protagonizmi të sëmurë ku bashkohen burri me gruan, e cilësojnë martesën si të lidhur me rendin natyror dhe e përjashtojnë në mënyrë injorante si një konstrukt shoqëror i cili tutelon por edhe vë para përgjegjësisë ligjore dy qënie njerëzore. Madje flitet edhe për shenjtin në një vend laik.
Në të ardhmen do të bëjmë dashni me robotë, për pak empati
Në vendin tonë homoseksualiteti u hoq nga lista e sëmundjeve mendore në fillim të viteve ’90 dhe, sipas gojëdhënave (për sa kohë ende mungojnë të dhëna të mirëfillta mbi argumentin), para këtyre viteve homoseksualët tregoheshin me gisht në rrugë ndërsa me ligj burgoseshin. Në këtë mënyrë vendi ynë ishte konform rendit natyror të paracaktuar nga Europa staliniste e cila nuk linte mangët demagogjitë hitleriane që përçanin por edhe sundonin kontinentin (jo për gjatë) me bazë rracën, bindjet politike, përkatësinë etnike dhe mbi shumë thjeshtëzime të tjera. E gjitha kjo me synim krijimin e një njeriu të ri, i zhveshur nga kompleksiteti, i formatuar vetëm për t’u bindur urdhërave që eliminonin diversitetin dhe për të mbajtur gjallë një ndërgjegjie kolektive të komanduar. Në gjëndjen më idelae, si robotë. Përgjatë gjithë gjysmës së dytë të shekullit XX, zhvendosjet, burgimet dhe vrasjet në masë u realizuan kryesisht si pasojë e suksesit në implementimin e kësaj lloj ndërgjegjieje kolektive. Në mijëvjeçarin e ri Perëndimi sulmohet nga disa minoranca të organizuara, jo për materializmin mbytës që ka ngritur si mur rreth vetes, por pikërisht për shkak të refuzimit në mazhorancë (falë zotit) ndaj përdorimit politik të diskriminimit.
Vetëm se për robotët gjërat kanë ndryshuar vitet e fundit. Përtej formave dhe dobishmërisë avangarda e shkencës së robotikës në të gjithë globin është përqëndruar tek inteligjenca artificiale. Madje disa janë shtyrë edhe më tej, janë duke studiuar (shumë pranë arritjes së rezultateve bindëse) mundësinë e instalimit në trupa automatë të një grupi emocionesh që përngjajnë me ato njerëzoret. Kjo me qëllim krijimin e një kategorie robotësh që mund t’i përgjigjen jo vetëm nevojave tona fizike, në maksimizimin e fitimit, si proteza gjymtyrësh, apo si zgjatime të inteligjencës njerëzore por edhe për të falur empati. Duam apo nuk duam shumë shpejt do të përballemi me krijesa, jashtë rendit natyror, që do të kenë aftësinë, në mos të ndiejnë si ne, të paktën të jenë të aftë të na vëzhgojnë e t’u përgjigjen jo vetëm komandave por edhe emocioneve tona. Në mënyrë racionale, pa diskriminuar askënd.