Nga Ylli Pata
Sot, parlamenti shqiptar ka mundësinë që të ndryshojë sistemin e drejtësisë, nëpërmjet një drafti kushtetues që parashikon përmbysjen thuajse totale të sistemit që ekziston prej 25 vitesh dhe nisjen e një grupi insitucionesh që të prish statukuonë aktuale ku drejtësia është e paracaktuar, pra negocohet dhe ndjekja penale shitet e blihet.
Po ç’ka ndodhur në këtë çerek shekulli dhe pse Shqipëria u zhyt në një batak që ka mobilizuar të gjithë komunitetin ndërkombëtar për të ribërë drejtësinë në vend?!
Pse ata që erdhën në pushtet pas përmbysjes së komunizmit nuk e bënë asnjëherë reformën për drejtësi, edhe pse premtuan qeverisje në duar të pastra?!
Në vitin 1990, Partia Demokratike si e para forcë jo-komuniste në vend, premtoi se do ta bëjë Shqipërisë si vend europian me një sistem politik demokratik dhe të drejtë. Karta e të Drejtave të Njeriut ishte thelbi i premtimeve të opozitës së asaj kohe.
Por në zgjedhjet e vitit 1991 nuk fitoi PD-ja, fituan komunistët e PPSH-së. U formua parlamenti i ri nga zgjedhjet e 31 marsit 1991.
Në këtë Kuvend PPSH solli një projektkushtetute që e shkëpuste Shqipërinë nga sistemi komunist i qeverisjes vertikale.
Në sistemin komunist, drejtësia ishte jakobinizëm i partisë në pushtet që ndëshkonte këdo me anë të një gjykimi drakonian që merrej kryesisht me akuza politike.
Ndjekja penale ishte gjithashtu pjesë e represionit partiak dhe policor. Hetuesia nuk e bazonte punën e tij në prova, por në tortura dhe deklarime të dëshmitarëve të rremë apo dëshmive të marrë pas presioneve dhe dajakut çnjerëzor.
PD-ja e cila ishte minorancë në paralamentin e parë pluralist nuk e pranoi projektkushtetutën e PPSH-së dhe propozoi miratimin e një pakete kushtetuese, e cila do të udhëhiqte shtetin deri sa të hartohej një ligj themeltar modern.
Dhe ashtu u bë. Kuvendi i 31 marsit miratoi “Dispozitat Kushtetuese”, që nuk jepin hapësirë fare për drejtësinë.
Sistemi i ri politik postkomunist në vend u ngrit pa drejtësinë.
Organizimi i gjykatave dhe prokurorisë vazhdoi me inercinë komuniste. I vetmi ndryshim ishte shkrirja e hetuesisë, e cili ishte një organ më vete dhe dhënia e të drejtës për ndjekje penale prokurorisë, e cila u bë një institucion i centralizuar. Në një farë mënyre si në komunizëm.
Kaloi viti 1991 dhe erdhën zgjedhjet e 22 marsit 1992.
Partia Demokratike fitoi me aleatët e saj 2/3 e Parlamentit të ri.
Sali Berisha u zgjodh President me kompetenca të zgjeruara për dekretimin e krerëve të organeve të drejtësisë. Dhe ç’ndodhi?!
Mazhoranca e djathtë eksperimentoi një precedent të majtë, i cili rezultoi fatal për të ardhmen e vendit: porsi komunistët në vitin 1945, që morën njerëz nga malet e i futën në institucione vitale, edhe PD-ja veproi në të njëjtën mënyrë me policinë dhe drejtësinë.
Ministri i sapozgjedhur i Brendshëm, Bashkim Kopliku, me formulën e marrjes së njerëzve nga jeta civile i mbushi uniformat blu me shefa që kishin mbaruar Institutin e Fiskulturës.
Kurse në drejtësi u përdor një eksperiment, që u konkritizua një vit më parë.
Ndonëse në vitin e parë të qeverisjes, të gjithë djemtë e vajzat që mbaruan kursin e vetëm të vitit të katërt të jurisprudencës u emëruan gjyqtarë, ata qëndruan shumë pak dhe u larguan për t’u bërë avokatë.
Në plazhin e Durrësit, përkatësisht zonën e Plepave, u ngrit një kurs apo shkollë 2-mujore që ndodhej pikërisht aty ku zhvillohej dhe trajnimi i punonjësve të shërbimit sekret shqiptar.
U morën njerëz nga jeta civile dhe u trajnuan për t’u bërë prokurorë dhe gjykatës, e më pas atyre iu veshën “togat e zeza”.
Ishin përgjithësisht militantë partiakë, megjithëse në brendësi të kësaj armate kishte edhe mjaft njerëz të ndershëm, të përkushtuar por që vinin nga një jetë e vuajtur dhe me një ndjenjë shpagimi ndaj dhunës që kishin pësuar familjet e tyre.
Ndërkaq, në krye të gjykatave,presidenti Berisha nuk emëroi njerëz të mirëarsimuar dhe gjyqtarë të sprovuar për integritet, por mediokër dhe bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit. Madje një pjesë e tyre ishin shquar për vendime militante gjatë diktaturës.
Emërimi më emblematik ishte Prelë Martini, një gjyqtar i Shkodrës që u emëruar kryetari i parë i Gjykatës së Tiranës.
I pasionuar pas biçikletave, me një talent për të shkruar poezi të nivelit të mesëm, Martini futi si lejtmotiv të drejtësisë frazën: “Kam urdhër nga nishi”, “më tha nishi”, pra Njëshi, i cili ishte kreu i shtetit shqiptar.
Në krye të gjykatës së lartë u vendos një pedagog i ri i juridikut, Zef Brozi, i cili në vitet e para të trannzicionit u bë i njohur jo për vendimet e tij apo vizionin për drejtësisë, por me martesën e tij luksoze me një studente të pashme të tij, kronikë që mbushi gazetat e kohës.
“Gazeta Shqiptare”, e cila solli standardin italian të informacionit e mbushi opinionin me gossip-e mbi harxhimet marramendëse për kohën të dasmës së Brozit.
Ndërkaq, Prel Martini, ndërtoi pikërish në bllokun e udhëheqjes të çliruar për popullin, një vilë, e cila u bë simbol i pushtetit të ri, por që sot duket një kasolle krahasuar me pasurinë marramendëse dhe jetën luksozë të gjyqtarëve.
Megjithatë zoti Zef Brozi, nuk pranoi diktatin e Presidentit për disa çështje dhe u largua në SHBA, pas një përplasje të fortë me Berishën.
Presidenti i asaj kohe, emëroi Kryeprokuror një pedagog të ri të juridikut, Maksim Haxhinë, i cili u shkarkua pas dy vitesh qeverisëse.
Alush Dragoshi, një jurist i ardhur nga Kukësi u zgjodh në postin e kreut të organit të akuzës.
Në këtë kohë nisi të saldohet ky system drejtësie krijuar nga “grupi i plepave”, të cilët jepnin vendime pafund, por që kurrë këto vendime nuk dhanë atë drejtësi që kërkohej.
Të famshëm u bënë vetëm vendimet politike, ndërkohë që kalonin pa rënë në sy vendimet penale dhe civile të njerëzve të drejtësisë, që nuk vendosnin asgjë më përpara pa e paracaktuar me avokatët dhe prokurorët, duke ndarë pjesën.
Rryshfeti u bë thelbi i drejtësisë së re…
Nëse ra shteti në vitin 1997 ishte edhe pasojë e një sistemi të ri të drejtësisë që lindi i dështuar.
Emblematik është rasti i një kryetari të gjykatës së Sarandës, i cili erdhi në këtë detyrë pasi kishte punuar si çoban delesh në një koperativë të tipit të lartë në jug.
Por pushteti i ri që u morr nga socialistët në vitin 1997, në vend që të ndërmerrte reformën e duhur të drejtësisë nëpërmjet një pajtimi kombëtar, zgjodhi rrugën e “deal”-it me armatën e korruptuar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët nuk e kishin për gjë të bënin pazar, pasi ishin bërë mjeshtra të këtij sistemi.
PS-ja, në vitin 1998 arriti të hartojë dhe miratojë, madje me referendum, Kushtetutën e Republikës, e cila parashikonte një reformë në sistemin e drejtësisë. Një drejtësi që drejtohej nga Presidenti i Republikës, i cili ishte realisht kreu i sistemit gjyqësor.
Arben Rakipi, Kryeprokurori i zgjedhur në vitin 1997 ndërmori një hetim ndaj zinxhirit drejtues të qeverisjes së PD-së 1992-1997, por dështoi dhe akuzat ranë një nga një.
E njëjta gjë ndodhi edhe me ata që morën pjesë në kryengritjen e armatosur të 14 shtatorit të vitit 1998. Të gjithë që kishin qëlluar me armë ndaj kryeministrisë u shpallën të pafajshëm.
Drejtësia ruajti statukuonë duke mos ndryshuar thelbin e saj.
Në vitin 2002, pas një aleance Berisha-Meta u shkarkua kryeprokurori Rakipi dhe në krye të këtij institucioni emërohet Theodhori Sollaku, ish-këshilltari juridik i Sali Berishës dhe në atë kohë këshilltar i Presidentit të Republikës, Rexhep Mediani.
Pra, politika nuk e mori kreun e organit të akuzës nga sistemi apo nga katedra e universitetit, por nga brenda vetes.
Në këto vite korrupsioni në drejtësi arriti nivelin maksimal. Në gazetat e Tiranës u krijuan legjenda për prokurorë që ktheheshin në heronj, por që kurrë nuk aritën të çonin në gjykatë një çështje që do të kthehej në verdikt kundër krimit dhe korrupsionit.
Zyrtari i pasur u bë lejtmotivi i jetës urbane në Shqipëri. Kush jetonte me rrogën quhej nga shoqëria si i “paaftë”.
Në media dilnn lajme për dasma, ditëlindje dhe pushime luksoze të njerëzve të drejtësisë. Bëhej garë kush i bënte më të bollshme pushimet, gjyqtarët apo prokurorët.
Qeverisja e Fatos Nanos e ushqeu në maksimum këtë qelb të korrupsionit, ndaj Bashkimi Europian e quajti Shqipërinë një rrezik për krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Sali Berisha, në opozitë, kërkoi votën e shqiptarëve në 3 korrik të vitit 2005 me parullën: “Me duart e pastra”.
Berisha u bë kryeministër. Por asnjë ish-qeveritar apo zyrtar i Fatos Nanos nuk u akuzua dhe nuk u fut në burg. Është lapidare shprehja e Berishës gjatë një takimi me Nanon në Pallatin e Brigadave në vitin 2006 kundër Edi Ramës, lider i opozitës se: “akuzat ishin pjesë e fushatës elektorale”. Pra ishte “loja”.
Sali Berisha kërkoi largimin e Kryprokurorit Theodhori Sollaku, të cilën e cilësoi si njeriu që fle mbi dosjet e korrupsionit.
Kaloi një trevjeçar lufte me Presidentin e atëhershëm Alfred Moisiu, i cili nuk firmosi lagimin e Kryeprokurorit.
Berisha ju kundërvu Moisiut që e akuzoi si mbrojtës të korrupsionit.
Në vitin 2007, Bamir Topi zgjidhet President i Republikës.
Ndër vendimet e para ishte shkarkimi Theodhori Sollakut si kryeprokuror dhe emërimin e një gjyqtareje të re në këtë post: Ina Rama.
Berisha e cilësoi Ramën si “Silvia Kontin” modern që do të luftonte mafiozët e Tiranës.
Por në vitin 2008, pas shpërthimit të katastrofës së Gërdecit, Berisha iu kundërvu egër Ina Ramës, pasi kjo e fundit nisi hetim ndaj disa ministrave të tij dhe djalit të tij, Shkelzen Berisha.
Zamir Shtylla, drejtori i hetimit, që drejtoi investigimet për Gërdecin u cilësua si “persekutor i shqiptarëve”. Ina Rama nisi edhe një hetim për rrugën Durrës-Kukës, ku ministri i kohës i Transporteve, Lulzim Basha, u akuzua se kishte përvetësuar 200 milionë dollarë në mënyrë të paligjshme. Fatmir Mediu u akuzua zyrtarisht për Gërdecin.
Por gjykata e lartë i mbylli të dyja këto dosje për procedurë.
Në këtë kohë ndodhi dhe një konflikt i tmerrshëm interesi që u bë me qëllim që të kapej drejtësia.
Gruaja e Givernatorit të Bankës së Shqipërisë, u emërua anëtare e Gjykatës së Lartë.
Pra nga një familje kishte dy pjesëtarë të dy institucioneve kushtetuese vitale të vendit.
Bëhen zgjedhjet e vitit 2009 dhe Sali Berisha bën koalicion me Ilir Metën. Në atë kohë zullumi i trash më shumë.
Drejtësia merr goditjen më të rëndë, sidomos pas ngjarjes së 21 janarit kur qeveria nuk pranon të zbatojë vendimet e Prokurorisë për të ndjekur penalisht krerët e Gardës së Republikës.
Edi Rama në opozitë, premtoi se kur të vijë në ushtet do të bënte një reformë tërësore të drejtësisë në vend. E quajti “Rilindje”.
Por erdhi në pushtet duke bërë në koalicion ne Ilir Metën. Dhe pikërisht e nisi qeverisjen duke ia dhënë Drejtësinë, pikërisht partisë së Ilir Metës.
Por në vitin 2014, Rama realizoi vizitën e tij të parë në Berlin ku takoi kancelaren Angela Merkel.
“Gruaja e hekurt” e Europës i kërkoi kryeministrit shqiptar të reformojë totalisht drejtësinë. Edi Rama e përmend shpesh dialogun me kancelaren Merkel, por ka fiks 3 vjet në pushtet dhe nuk e ka bërë këtë..
Historia e reformës që pritet të votohet sot dihet dhe është kthyer në një mollë sherri që ka vënë përballë dy grupime: SHBA, BE dhe Ramën nnjë anë dhe Berishën e Metën nga ana tjetër, që nuk pranojnë modelin e imponuar nga Brukseli e Uashingtoni për një “revolucion në drejtësi”.
Se ç’do të ndodhë është kronikë e orëve në vazhdim…
Tesheshi.com