Nga Arkid Avdullai
David Herbert Lawrence dhe i botuar në vitin 1912 , ky roman do të mbetej më pas si një nga punët më të mira të bëra gjatë kësaj periudhe. Romani ka në qendër familjen Morel, të përbërë nga çifti Morel, tre djem dhe një vajzë. Dashuria e zonjës Morel për bijtë e saj, përbën boshtin kryesor rreth së cilit vjen rrotull i gjithë subjekti. Kjo dashuri ne fakt, i kalon përmasat e një dashurie nënë-bijë dhe priret të shkojë drejt një përgjithësimi të kësaj mardhënieje: marrëdhënies femër-mashkull, çka bëhet shkas që shumë studiues të përpiqen të aplikojnë një nga teoritë e famshme të Frojdit që përmbledh “Kompleksin e Edipit”. Por ajo që unë dua të vë në dukje, qëndron pak më larg këtij boshti. Një nga personazhet kryesorë, që në fakt mbart një peshë shumë të madhe në roman është personazhi i Pol Morel, djalit të dytë të çiftit Morel. Poli njihet në roman si një djalë i qetë dhe me një sens artistik shumë të zhvilluar. Ai është paraleli ku ndahen dy hemisfera: trupi dhe shpirti (përfaqësuar nga dy femra: Miriami dhe Klara).
Dashuria e tij për të renë Miriam, i tejkalon kufijtë e fizikës por njëherazi përpiqet të mos i prekë ato. Ajo është një dashuri që lidh dy shpirtëra dhe nga ana tjetër shkëput dy trupa. Përmasat e kësaj dashurie dhe efektin që lë ajo tek Poli, vetë ai i përshkruan kur citon se “shpirtërisht i përkiste vetëm asaj”. Marrëdhënia me Klarën është e një tjetër lloji. Poli nuk përfshihet dot shpirtërisht në këtë marrëdhënie, por ama ja del të përfshihet fizikisht. Këto takime janë ato që përshkruhen më së shumti në kapitullin që mban emrin e Klarës. Dashuria e Polit per Klarën nuk e shqetëson zonjën Morel si në rastin e Miriamit. Këto marrëdhënie bashkëshoqërohen gjithashtu me përshkrimin e mjedisit të jashtëm.
Kur veprimet apo personazhet heshtin, atëherë autori merr përsipër që gjithçka të lënë përgjysëm nga ata, ta plotësojë me përshkrimin e natyrës, që mund të shihet si shprehëse apo vazhduese e asaj që mbetet e papërfunduar. Në rastin e Miriamit natyra tregohet e butë, me ngjyra dhe mjaft e qetë. E kundërta ndodh me Klarën, ku natyra merr më tepër ngjyra gri. Poli e vlerëson qetësinë shpirtërore qe i jep Miriami, përkundrejt kënaqësive trupore që ndante me Klarën dhe kjo shikohet më së shumti në tre pika:
– Largohet vazhdimisht nga Miriami por vazhdimisht kthehet te ajo.
-Nuk i jep rëndësi marrëdhënies së tij me Klarën duke e shtyrë atë me vetëdije të plotë në krahët e të shoqit.
– Në kulmin e vetmisë dhe pamundësisë së tij pas vdekjes së të ëmës, kërkon Klarën duke bërë kështu që raporti me shpirtin të mbizotërojë kundrejt Klarës, por jo të sundojë Polin.