Mbesa e shkrimtarit Martin Camajt, e akuzuar për shfrytëzim prostitucioni dhe dënuar me 4.8 vite me vendim të formës së prerë, rrëfen nga burgu vuajtjet e saj dhe thotë se e kanë dënuar padrejtësisht.
Vera Camaj, nënë e dy fëmijëve vuan dënimin në burgun e grave tek “Ali Demi” . Ajo thotë se gjëja që i mungon më shumë janë dy djemtë e saj, Fredi dhe Alondo, të cilët ka vite pa i parë.
Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, ajo rrëfen tentativat për t’i dhënë fund jetës dhe trishtimin e pafund që ka mbushur vitet e saj.
Pse jeni në burg?
Jam akuzuar për shfrytëzim prostitucioni, por unë s’kam shfrytëzuar kërkënd. Dhe denoncuesi im ishte anonim. Kam një jetë që punoj, edhe këtu në burg vetëm punoj, por jo kësi punësh.
Vera Camaj, a keni lidhje me shkrimtarin Martin Camaj?
Unë jam nga Temali, e lindur aty dhe Martin Camajn e kam axhë.
Keni ndonjë kujtim me të?
Unë jo, s’e kam taku, se ai iku herët e nuk erdhi më, por mbaj mend që kur isha e vogël erdhi gruaja e tij gjermane e takoi fisin tonë në Temal. Po të ishte gjallë ai, për 100 vjet s’kisha me ardhë këtu, po çfarë të bëj, s’kam asnjë ndihmë.
E si është jeta juaj këtu?
Dua të vras veten. E kam tentuar disa herë. Jam keq. Dy fëmijë, djem që i kam, s’i kam parë. Po më digjet shpirti për ta e pa ta jetën s’e dua.
Sa vjeç janë djemtë?
Tani Fredi ka 16, ndërsa Alondo 13.
Pse nuk i ke parë?
Ka një vendim gjykatë, ku unë kam pranuar që fëmijët t’i mbajë bashkëshorti, por me kusht që t’i takoja rregullisht. Ish-burri nuk mi sjell fëmijët, nuk e di çfarë, por nuk po respekton asnjë vendim.
Si është historia juaj, pse shkoi deri këtu?
Kam pas 18 vite martesë e që pas lindjes së djalit të parë, im shoq nisi të më dhunojë. Aq shumë kam ngrënë dru sa as rrobat s’i mbaja dot në trup. Durova shumë. Lindi edhe djali i dytë, por asgjë nuk ndryshoi. Unë haja dru vazhdimisht, madje dhe fëmijët mi ka prek. Një ditë hëngra aq shumë dru sa shpirti po më dilte. Ika për gjithë natën. Në fillim shkova te vëllai, i cili u spraps e më tha që duhej të sqarohesha me tim shoq më parë.
Ika që aty dhe u rashë dyerve të motrave të Nënë Terezës. Ato më futën brenda e kur panë trupin tim, u tmerruan. Nuk kisha rrugë tjetër o do vdisja, o do jetoja.
Po në polici ndërkaq kishe kërkuar ndihmë apo kishe denoncuar dhunën?
Sigurisht që e kam denoncuar dhunën dhe kam marrë dhe urdhër mbrojtjeje, por që është thyer.
Çfarë ndodhi më pas?
Motrat e Nënë Terezës më mbajtën aty e përballë tyre morën një shpi të vogël për mua e fëmijët. Kam punu në fabrikë në pastrim sa me mbajt veten e djemtë. Në 2014-ën, një vit gati pas ikjes, u krye divorci. Seanca parë ishte pajtimi e kur më pyetën a do rikthehesha i thashë, ‘kurrë’. Im shoq dhe me dru shporeti (sobe) më ka ra. Kam kërcy nga kati i dytë e poshtë me i shpëtu drunit, e s’mund të duroja më.
Po fëmijët? Sipas vendimit gjyqësor e kanë takuar të atit, pse?
Ai u bëri presion dhe ata vendosën të rrinë me të. Megjithatë, edhe mua duhet të më takonin vazhdimisht. Unë shkoja i takoja, por një ditë kur shkoj në Grud e Re ku banonim ne, mora vesh se janë transferuar në Shllak nga kishte origjinën burri im. Ai vendim gjyqësor është skandaloz. Në një kohë kur pohohej dhe nga shteti që unë kisha urdhër mbrojtjeje bashkë me fëmijët, ata ia lanë tim shoqi nën kujdes. E kam qenë pikërisht në këto histori kur ndodhi më e madhja, burgosja ime.
Si ndodhi, ku ishit?
Isha në gjykatë, po merresha me çështjen e fëmijëve. Unë kisha frikë se mos ata nisnin rrugë të keqe se mua s’më kishin afër, babën jo në një farë mënyre, ndaj i kërkoja. Para gjykatës më ndali një furgon civilësh e më thanë të hipi se fëmijët i kisha në polici. Më çuan në polici e pas katër orësh më thanë se akuzohesha për shfrytëzim prostitucioni. I kërkova se kush ishte, por denoncuesi mbeti anonim. Më 4 tetor 2015, me vendim të formës së prerë u dënova 4.8 vite.
Vijnë ju takojnë të afërmit në burg?
S’më ka ardhë asnjë, se sipas tyre i kam korit. Flas me nanën rregullisht, ajo më tregon edhe për djemtë e mi. Dua t’i shoh se kam shumë mall sa po dal trush.
S’i keni takuar asnjëherë fëmijët?
Të voglin kurrë, ndërsa të madhin vetëm një herë kur ishte në burgun e Kavajës për plagosje të shokut të tij. Ndodhi ajo që pritej, ajo që kisha frikë unë se mos u ndodhte djemve të mi.
Po çfarë ndodhi me të?
Për ngjarjen më lajmëroi nëna, e cila më tha “t’ka qit Fredi n’pushkë”. U trishtova sa më s’ka, e si ta mbroja, ku ta gjeja? Kur e kam taku djalin, Fredin këtu në burg më tha se ngjarja ishte aksidentale. Si pa eksperiencë, arma ishte shkrepur vetë dhe shoku kishte marrë një plumb në këmbë. E at armë unë e di se për kë e ka pas.
Si u ndjeve ti kur e pe?
Ç’a të them. Sytë më ishin bërë të kuq si gjaku. Shyqyr doli e shpresoj e lutem të jenë mirë.
Pse nuk ju vijnë fëmijët?
I kam bërë disa kërkesa shtetit dhe ministrit Tahiri që të mi sjellin djemtë, por askush nuk më kthen përgjigje. Me foton e Fredit në gji flej e nuk e di si do ketë ndryshu djali vogël. I ati nuk do që unë t’i shoh e kam dy vite e katër muaj që unë e di si jetoj. I bëj thirrje policisë, shoqatave, Avokatit të Popullit të më ndihmojnë me pa fëmijët e mi. Asgjë tjetër nuk du në këtë jetë, mjaft të shoh djemtë e mi. Pa to do vras veten, se jetën s’kam ç’e du.
Ish-bashkëshorti: S’kam para t’i çoj djemtë në Tiranë
Gazeta Shqiptare” pati një komunikim me ish-bashkëshortin e Vera Camaj, Pal Thepi ditën e djeshme pikërisht për ta pyetur rreth fëmijëve. I kontaktuar prej nesh, babai i dy djemve tha se nuk i çon dot fëmijët në Tiranë, në burgun ku vuan dënimin nëna e tyre, sepse nuk ka mundësi ekonomike. “Unë jam pa punë e s’munem financiarisht me i çu fëmijët te e ëma”, tha ai. Kur e pyetëm nëse ai i lejon apo jo të shkojnë ta takojnë, ai u shpreh: “T’vijnë t’i marrin. Për mua s’ka problem. Unë vetë s’kam mundësi ekonomike me i çu”.
Marre nga GSH