-Shënime për vëllimin poetik të Luan Ramës-
Petraq Risto
Luan Rama është miku im i viteve studentore në degën e Gazetarisë: energjik, i komunikueshëm, i talentuar. Mbaj mend që shpesh në orët e leksioneve rrinim bashkë, ai më lexonte ndonjë poezi të përkthyer nga frëngjishtja, ndonjëherë të dy, si në garë, shkruanim poezi surreale, disa nga të cilat ende i ruaj në fletoret e mia të vjetra. Flas për vitet 1971-1973 kur kishte një frymë të thellë liberalizmi dhe liria krijuese kishte flatra të tjera, pra, para se të mblidhej famëkeqi Plenum i Katërt, i cili trembi dhe dënoi më shumë shkrimtarët dhe artistët e njohur të hierarkisë, por natyrisht që edhe ne “filizat” u trembëm dhe që nga ajo kohë (1973-1990) do të rriteshim nën hijen e frikës, të censurës dhe autocensurës, nën hijen e “modeleve” dhe të kultit të tyre etj.
Me Luanin apo Vanin, gjithnjë do të ishim miq të mirë dhe pse jeta ka rrugë dhe rrugica të ndryshme…
Miqësia u ripërtëri kur Luan Rama, tashmë autor i afirmuar, filloi të sjellë në shtëpinë time botuese “Globus R.” librat e tij. Besoj se shumicën e librave i ka botuar te ne, kujtoj disa nga titujt:
“Parisi Letrar”, “Dino-shtegtari i portës sublime”, “Në udhëkryqet e kohës”, “Dritat e meteorëve”, “Pikëtakim me Jean Cocteau”, “Jean Moreas, poeti nga Morea”, “Leon Rey…dhe gurët filluan të flasin”, “Kur bie shi ti thua kohë e bukur”, “Kalorësit e stuhisë – normandët, frankët dhe shqiptarët’’, “Dorëshkrimet e purpurta”, “Bujtësit e largët”,“Udhëtimi i mbramë i Artur Rimbaud”, romanet “Santa Cuaranta” dhe “Camera obscura – Origjina e botës””, apo përkthimet e tij si “Faraoni i fundit – Mehmet Pasha”, si dhe antologjia poetike “Omer, fjala e Omerikëve” e përgatitur dhe përkthyer së bashku me Solange d’Angely.
Luan Rama ka punuar në mënyrë intensive si pak shkrimtarë shqiptarë të pas nëntëdhjetës. Një punëtor i palodhur i letrave shqipe, me një këndvështrim origjinal, ai ka sjellë para lexuesve dhe ka pasuruar bibliotekat tona me libra të natyrës ekploruese për figura të shquara shqiptare, apo udhëtarë të huaj, kryesisht francezë, që kanë patur lidhje me botën shqiptare, duke mbushur kështu një boshllëk të dukshëm.
Proza e tij e shkathët, shpesh një gërshetim i suksesshëm midis gazetarisë hulumtuese dhe fiksionit, lexohet me dëshirë të veçantë, qoftë për formën joshëse e mbi gjithçka për informacionin tërheqës e shpesh herë të panjohur më parë.
Duke qenë me profesion gazetar dhe kineast dokumentarist, Luani i afrohet shumë të vërtetës, e sheh atë sy më sy dhe këtu, te sytë, ai ndalet, ngul shikimin më thellë dhe arrin gjer në kufijtë e zemrës, pra, tregon se ai është poet në thelbin krijues dhe vigjilues koherent në territoret e shpirtit.
Largimi im për në SHBA, natyrshëm i ndërpreu lidhjet tona të vjetra, por Luani vazhdoi të publikonte librat e tij në shtëpi të tjera botuese dhe unë i gëzohesha ritmit dhe cilësisë së punës të tij krijuese.
Luan Rama gjithnjë ka shkruar poezi, që në rininë e hershme. Këto ditë lexova vëllimin e tij të ri “Territoret e shpirtit”. Shumë vite më parë i pata botuar vëllimin me poezi lirike, një vëllim i ngrohtë, i sinqertë, tepër komunikues e me një titull të veçantë alla Zhak Prever “Kur bie shi ti thua: kohë e bukur”…
Vëllimi “Territoret e shpirtit” ka një frymëmarrje më të gjerë. Në shumë poezi motivet qendrore i kemi gjetur dhe në librat e mëparshëm si te “Parisi letrar” etj., po tashmë tharmi dhe nervi poetik, metaforat shkëndijuese, u japin motiveve një aureolë origjinale dhe mbresëlënëse.
Poezitë për Parisin, Hygonë, Rembonë, Proust, Desnos, Cocteau, Celan, Sartrin dhe Bovuar, Wilde, Neruda, apo për miqtë e tij realë Solange D’Angely, Omer Kaleshi, Jusuf Vrioni, apo poezia e mrekullueshme “Një burrë i vogël pa nënën e tij”, për ndarjen nga jeta të nënës së dashur… “unë ende kam në gojë shijen e qumështit tënd”, gjithçka të mbush me një ngrohtësi parajse dhe dashurie.
Në këtë libër ka shumë dashuri, poezi – hoje me mjaltë nga kullota të freskëta. Prozodi origjinale, një marramendje në Paris dhe në thellësi të shpirtrave që vërtiten rreth Parisit si shenja, si kumte, si mesazhe shprese, homazhe mirënjohjeje. Luan Rama i njeh territoret e shpirtit, si gjahtari i thesareve që lëviz me harta të njohura në xhep, ku janë të gjitha konvencionet e thesareve të fshehur. Poezive të tilla si “Shëëët…ajo po fle”, “Shenjat e pikësimit”, “Kinema Paradiso”, “Metro parisiane”, “Ura e arteve”, “Nuk ka dashuri të lumtur” etj., u kthehesh për rilexim për të shijuar më mirë mendimin e rrjedhshëm, figurat e natyrshme dhe ndjesinë e hollë.
Ndalem te poezia “Caritatem autem non habuero nihil sum…” (“Po të mos kem dashuri, s’do të jem asgjë”, kushtuar mikes së Luanit, Solange d’Angely, një personazh që frymon rrugëve të Parisit dhe Tiranës, gazmore dhe e thellë, mirënjohëse dhe vëzhguese e hollë, mjeke e fëmijëve dhe balsam shoqëror… Solange është e bija e Robert d’Angely me origjinë nga Përmeti, autor i librit të njohur dhe unik “L’ Enigme”, ( prejardhja pellazgjike e shqiptarëve), të cilin, gjithashtu, e pata botuar vite më parë. Në poezinë për Solange ka vargje dhe imazhe të mrekullueshme: “…është streha ku udhëtari i panjohur mund të prehet për të ndjerë shenjtërinë shumë pranë”, “është gota gjithnjë plot nëse do të kemi etje”,”Solange është një kaledioskop me fytyra fëmijësh”, e shumë të tjera përcaktime metaforike të kësaj figure të dashur e tepër humane për të cilën gjithnjë të merr malli ta takosh. Luani dhe Solange, punuan me përkushtim për përkthimin e vëllimit tim me poezi “I hidhur mjalti i varreve” që u botua në Paris te shtëpia e njohur botuese “L’Harmattan” (2009). Gjej këtë rast për t’i falënderuar edhe njëherë për punën e bërë.
Një cikël i plotë me dhjetë poezi i kushtohet një tjetër miku të hershëm, piktorit me origjinë shqiptare, Omer Kaleshi, “kokave” të tij me supe ajrore. Luan Rama dhe Omer Kaleshi kanë një njohje të vjetër ashtu si poezia me pikturën. Në poezinë e Luanit shpaloset “biografia” e Omerit, biografia e krijuesit nëpërmjet kokave “të prera”. “Pikturimi për Omerin është kthyer në një lutje”, “Koka “e prerë” mbaruar në agun e një nate si ndër ethe biblike,/ shfaqur në telajo si në jerm,/me një klithje të mpiksur:-Vetëm dashuri falmëni, o miq!”. Të mbeten në mendje imazhe të tilla “Për të udhëtuar duhet gjithnjë një kokë dhe një ëndërr,/më kishte thënë mjeshtri dikur/i cili tashmë rnd në kërkim të kokave të vetmuara të tij”. Një cikël i ngrohtë, plot jetë dhe dashuri.
E veçantë dhe mbresëlënëse është poezia “Mon cher Jusuf…” (“I shtrenjti im Jusuf…”) kushtuar përkthyesit të njohur, Jusuf Vrioni, i cili ishte dhe mik i poetit. “Dy ditë para se të vdisje më kishe premtuar se do të vije te unë për një uiski, por ti nuk e mbajte fjalën/atëherë u ula në kafenenë në cep të Notre-Dame dhe porosita dy uiski/ gotën time e ktheva me fund…”
Luan Rama është një eksplorator i suksesshëm në territoret e shpirtit, sepse ai është njeri me sensibilitet të veçantë, i hapur, i vërtetë, shoqëror, jo ziliqar; ai i përjeton fatet njerëzore me ndjesi poetike, me një revoltë qytetare, (më shumë të brendshme), me një klithmë dashurie gati kozmike; ai e do njeriun prej mishi dhe gjaku, por do dhe njeriun-statujë që frymon në shtresat e historisë së lashtë dhe moderne.
Vëllimi poetik “Territoret e shpirtit” na fton në një lexim metaforik dhe këtë radhë lexuesi është i pajisur me harta që Luan Rama na i ka përgatitur vite më parë.
Tiranë, 11 korrik, 2016