Nga Daut Dauti
Femra në skicat e Sieben-it është objekt seksual dhe është paraqitur në atë mënyrë që të mos vërehet se e kundërshtonte dhunimin. Femra në këto skica paraqitet e bukur dhe e re apo në forma të pamjeve të femrave që sot quhen: Porn Star (Yje pornografike). Sieben i kishte paraqitur femrat në pozita erotike dhe pornografike ashtu siç dëshironte t’i shihte apo imagjinonte mendja shoveniste e burrave nga vendet e Evropës Qendrore.
Kohëve të fundit disa media shqiptare vazhdojnë të botojnë disa vizatime të ‘ushtarëve turq që dhunojnë gra shqiptare’. Skicat e paraqitura janë vizatime të ilustruesit austriak Gottfried Sieben (1856-1918), të cilat ai i kishte titulluar “Balkangreuel” (Tmerret Ballkanike), të cilat nuk ishin botuar nga asnjë medium serioz. Sieben nuk e ka vizituar kurrë Ballkanin dhe vizatimet e tija nuk kanë të bëjnë asgjë me realitetin. Kjo është një nga arsyet që ai këto vizatime i nënshkroi me pseudonimin Archibald Smith në mënyrë që të tingëllonte më besueshëm para auditorit të mundshëm, pasi që vetëm anglezët që vizitonin Ballkanin botonin vizatime kredibile nga terreni.
Vizatimet e Gottfried Sieben-it nuk kanë aspak të bëjnë me dhunime seksuale të grave shqiptare dhe ai as që i kishte emëruar kështu. Dhunuesit, gjykuar sipas veshjeve mund të ishin turq, sllavë, por edhe të tjerë, kurse femrat nuk kanë përkatësi nacionale apo etnike. Në realitet, në mesin e këtyre vizatimeve shihet një grup i burrave shqiptarë në një skenë në rolin e dhunuesve.
Botimi i këtyre fotografive te ne u bë për shkak të joprofesionalitetit të disa mediave shqiptare që aplikojnë parimin e injorancës ( siç u pa edhe me rastin e Hajdar Shtimes) ose këtë e bëjnë për ta kënaqur agjendën e sotshme anti – turke, ose edhe më keq, për të grumbulluar klikime.
Femra në skicat e Sieben-it është objekt seksual dhe është paraqitur në atë mënyrë që të mos vërehet se e kundërshtonte dhunimin. Femra në këto skica paraqitet e bukur dhe e re apo në forma të pamjeve të femrave që sot quhen: Porn Star (Yje pornografike). Sieben i kishte paraqitur femrat në pozita erotike dhe pornografike ashtu siç dëshironte t’i shihte apo imagjinonte mendja shoveniste e burrave nga vendet e Evropës Qendrore.
Në fillim të shekullit XX këto fotografi janë shpërndarë në mënyrë private për t’i kënaqur nevojat e epsheve seksuale të burrave. Por, ato janë shpërndarë më shumë nga subjekte apo organizata që kanë qenë të lidhura me politikën pan-sllaviste e cila kërkonte një Ballkan të banuar vetëm me sllavë dhe si e tillë i paraqiste shqiptarët si mbrojtës të Perandorisë Otomane. Prandaj, shqiptarët janë dhunues të grave në këto pamje. Dhe, si të tillë, ata ishin edhe dhunues të të gjitha të mirave, përfshirë civilizimin i cili kur sulmohet, paraqitet ndaj grave pasi që egërsia më së miri shfaqet në këtë rast.
Sot, këtë propagandë pan-sllaviste e bëjnë disa nga mediet tona, pasi janë të zhytura në injorancë. Kemi ardhur deri në momentin ku vrasësi na detyron të bëjmë vetëvrasje e të cilin turp ne e bëjmë me dëshirë. Do me thënë tashti ne nuk e dimë nëse po na vret dikush apo po e vrasim veten sipas kërkesës së vrasësit.(zëri)