Dëgjomë

Octavio Paz 

“Dëgjomë si të dëgjoje shiun,
pa vëmendje, pa përhumbje,
hapa të pupëlt, ciklosje,
uji është ajër, ajri është kohë,
dita s’resht së vajturi,
fanepsje mjegullore
kthehen cepit,
trajta kohore
degëzuar me këtë pushim,
dëgjomë si të dëgjoje shiun,
pa më dëgjuar, teksa dëgjon ç’them,
me sytë e hapur për nga brenda,
e përgjumur dhe me shqisat syhapur,
shi, hapa të pupëlt, zhurmë rrokjesh,
ajër dhe ujë, fjalë pa rëndesë:
çka ishim dhe jemi,
ditët dhe motet, ky çast,
kohë pa rëndësi, rëndesë e pamat,
dëgjomë si të dëgjoje shiun,
dritëron sërish xhadeja e lagur,
avulli ngrihet dhe merr rrugët,
mbrëmja çelet dhe më vështron,
je ti dhe trajta jote avullore,
ti dhe fytyre jote e natës,
ti dhe flokt’ e tu, vetëtima të lehta,
përshkon rrugën dhe hyn në ballin tim,
kalon rrjedhshëm mbi qepallat e mia,
dëgjomë si të dëgjoje shiun,
xhadeja dritëron, ti e përshkon,
dhe mjegulla endacake nate,
dhe nata e përgjumur në shtratin tënd,
dhe vala e frymëmarrjes tënde,
gishtat e tu ujorë më lagin ballin,
gishtat e tu zjarmues më djegin sytë,
gishtat e tu ajrorë çelin qepallat e kohës,
ag fanepsjesh dhe ringjalljesh,
dëgjomë si të dëgjoje shiun,
vitet ikin, çastet kthehen,
a i dëgjon hapat e tu në dhomën ngjitur?
jo këtu, as atje:
i dëgjon…
në tjetër kohë, pikërisht tani,
vëri vëshin hapave të kohës
shpikëse hapësirash pa rëndesë pa vendodhje,
vëri veshin shiut si rrëshket në tarracë,
tashmë nata është më natë mes pemëve,
mes gjethesh është strehuar vetëtima,
kopësht i vagullt drejt zhbërjes;
hyr, hija jote shtrihet mbi këtë faqe.”

Shqip: Edon Qesari


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *