Punimet për të shndërruar Hotel Dajtin në ambiente për Bankën e Shqipërisë do të nisin këtë vit. Banka e Shqipërisë ne planin e zhvillimeve afatmesme 2016-2018 ka njoftuar se gjatë vitit 2015, kanë përfunduar procedurat për marrjen e lejeve nga institucionet shtetërore për punimet në godinën e Hotel Dajtit dhe brenda vitit 2016 do të realizohet procedura e prokurimit dhe fillimi i punimeve të rikonstruksionit.
Banka sqaron se përfundimi me sukses i rikonstruksionit të ish-Hotel Dajtit do të bëjë të mundur akomodimin në kushte optimale të personelit të Bankës së Shqipërisë për një periudhë afatgjatë, duke siguruar njëkohësisht proceset e punës së institucionit dhe ruajtjen e vlerave historike kulturore të ndërtesës.
Zhvillimet kanë shoqëruar aktivitetin e Bankës së Shqipërisë këto vite kanë bërë që kërkesat për hapësira ndërtimore për të ushtruar aktivitetin e saj ditor të rriten në vazhdimësi, raporton Monitor.
Në qershor të vitit 2010, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi blerjen me prokurim të drejtpërdrejtë të Hotel Dajtit me fond limit 4.148.400.000 (katër miliard e njëqind e dyzetetetë milionë e katërqind mijë) lekë, por për 6 vite e ka zvarritur shnderrimin e hotel Dajtit ne banke.
Banka e Shqipërisë, në kuadrin e restaurimit të ndërtesës, ka hartuar planet për funksionimin e ndërtesës në shërbim të veprimtarisë së saj.
Burimet zyrtare te Bankës pohojnë se restaurimi do të kryhet në përputhje me idetë fillestare të arkitektit Bosio, por të përshtatura me kushtet e kohës, pa harruar edhe ambientin e gjelbëruar përreth tij.
Kjo godinë me bibliotekën shumë të pasur të saj do të jetë një dritare e kontaktit të drejtpërdrejtë me publikun veçanërisht më kërkuesit, akademikët, studentët dhe median.
Me sipërfaqen e saj të madhe dhe vendndodhjen fizike, godina plotëson kërkesat e Bankës së Shqipërisë për zgjerimin e strukturës.
Godina është ndërtuar rreth viteve ’30, nga Gherardo Bosio, një arkitekt fiorentinas i shkollës së “racionalizmit“ të shekullit XX, dhe e dizenjuar në detaje nga Gio Ponti, i konsideruar si babai i dizajnit modern evropian.
Nga këndvështrimi historik, hotel “Dajti“ për qytetarët e Tiranës ka qenë një nga veprat më të spikatura dhe njëkohësisht më të lakmuara. Eleganca, pajimet dhe mobilimet e hotelit ishin të një niveli të veçantë, në përputhje me rangun e tij. Në planin rajonal, kjo ndërtesë është vlerësuar për shumë kohë si hoteli më modern i Ballkanit.