Më 7 korrik 2016 ora 8.30, në moshën 84 vjeçare pushoi së rrahuri zemra e artistit / “Piktorit të Popullit” Vilson Kilica. Piktori Kilica i përket brezit të piktorëve shqiptarë që studiuan në Akademitë lindore. Ai ishte themeluesi dhe dekani i parë i Institutit të Arteve në Shqipëri – sot Universiteti i Arteve. Vilson Kilica përfaqësonte njeriun serioz, pedagogun e përgatitur dhe komunikues me studentët e tij, artistin e përkushtuar; prindin e dashur dhe familjarin shembullor.
“Piktori i Popullit“ Vilson Kilica i përket brezit të nderuar të artistëve të artit shqiptar të gjysmës së dytë të shekullit të XX. Emri dhe vepra e tij do jenë pjesë e historisë së arteve pamore shqiptare. Vepra e tij krijuese ruhet dhe ekspozohet në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë, në GA, Fier, në koleksionin e familjes dhe në koleksionistë privatë brenda dhe jashtë shqipërisë. Në Galerinë Kombëtare të Arteve, ndodhen 40 vepra të piktorit të viteve 1960-1989. Veprat e artist janë pjesë e linjës aktuae muzeale të GKA.
Kuratori Ylli Drishti ka shkruar se në krijimtarinë e tij të gjatë mbi 50 vjeçare piktori Vilson Kilica ka realizuar tema historike dhe aktuale, portrete, peizazhe dhe natyra të qeta. Duke qënë se brezi i tyre si artistë në vitet 1960 – 90 trajtoi më gjërësisht tablonë kompozicionale dhe si rezultat i një censure dhe autocensure të rreptë, në veprat e Kilicës, që janë pjesa më e madhe e metodës së realizmit socialist, vihen re mjaft të zbehta ndikimet e artit europian perëndimor. Në disa nga veprat e tij ndjehet prirja drejt një dekorativiteti të njollave por brenda imazhit konkret („Gjyqi i Sinjës“- 1978). Më evidente këto preferenca piktorike piktori i ka shprehur veçanërisht në realizimin e disa portreteve, por edhe në peizazhet para viteve ‚90, por më evidente ato janë veçanërisht pas viteve ’90, ku artisti tashmë i çliruar, krijon situata piktorike personale dekorative herë të intonuara e herë – herë me theks grafik. Duke patur një formim akademik të fortë, kulturë e formim artistik në vazhdimësi, një eksperiencë dhe realizime tablosh nga dimensionet më të mëdha (si bashkautor i mozaikut në MHK – 400 M2) deri tek tablotë e zhanrit Kilica ka krijuar koleksionin e madh të tablove historike – politike të artit të realizmit shqiptar dhe të realizmit socialist, por edhe vepra të tjera me kërkesa më formaliste e dekorative që sidoqoftë nuk i largohen imazhit real.