Anri Sala mat pulsin e ndryshimeve politike nëpërmjet ritmit muzikor

Para katër vjetësh artisti shqiptar me nam botëror do të prezantonte veprën “Trishtimi i gjatë” para publikut në Kosovë.

Vepra qe konceptuar në formën e regjistrimit të një performance, në të cilën ai e kishte ftuar muzikantin e njohur të jazzit të lirë, Jemeel Mondoc, të improvizonte në saksofon teksa ndodhej i varur në hapësirën marramendëse, në pragun e dritares së një apartamenti të boshatisur në katin e tetëmbëdhjetë. Sala është rikthyer në kryeqytet me ftesë të “Stacionit”, shkruan sot “Koha Ditore”.

E muzika qe kryefjalë edhe në ligjëratën publike, që e mbajti të hënën mbrëma në kuadër të edicionit të dytë të “Shkollës verore si shkollë”, që organizohet nga kjo qendër. Në hapësirat e ish-Klubit të Boksit – një objekt kaherë i lënë pas dore, por që ringjallet me ekspozita e debate për artin – Sala ligjëroi duke u mbështetur në tri pika të cilave iu referua në gjuhën angleze: thyerja (rupture), ndrydhja (synocaption) dhe urat (bridges).

Interesimi i tij në këto tri pika, me bazë tek muzika, siç shpjegohet edhe në konceptin e ligjëratës, e ka origjinën tek mënyra sesi ai kishte përjetuar ndryshimet në Shqipërinë e viteve 1990, kur zhvillimet e menjëhershme dhe drastike jo vetëm përmbysën rendin ekzistues të gjërave, në kuptimin e konfuzionit politik dhe çrregullimit social, por siç vëren ai, tek-tuk nxorën nga binarët edhe disa nga shtyllat e kuptimit (common sense) që shpeshherë merren si të mirëqena.

Artisti, i cili vepron në Berlin, por i lindur në Tiranë, është fitues i çmimit “Gilles Dusein” në vitin 2000, i çmimit “Artisti i ri” në Bienalen e Venecias më 2001, fitues i “Absolut Art Award” në Suedi po të njëjtin vit, laureat i çmimit “Vincent” që ndahet në Holandë. Ishte përfaqësues i Francës në edicionin e 55-të të Bienales së Artit në Venecia më 2013, kur Kosova debutoi me prezantimin e Petrit Halilajt.
Shkolla Verore si Shkollë (SSAS) 2016 është projekt nga qendra për art bashkëkohor “Stacion”, iniciuar në bashkëpunim me The Academy for Visual Arts (AVA) të Lubjanës. “SSAS 2016” është implementuar nga “Stacioni” në partneritet me AVA-n, Independent Curators International (ICI) të New Yorkut, “Press to Exit”, të Shkupit dhe ArsAevi të Sarajevës.

Ligjërata e Salës ka qenë e para në kuadër të serisë së tyre nga artistë të njohur botërisht e të cilat do të mbahen deri më 17 korrik. “Salon de Fleurus”, e hapur të dielën, ka qenë një lloj paralajmërimi për konceptin e asaj që sjell “Shkolla verore si shkollë”: reflektimin mbi kthesat e mëdha në art. Me këtë ekspozitë mobile Prishtina është bërë shtëpia e përkohshme e rindërtimit bashkëkohor të sallonit parisien të Gertrude Stein (1874-1946), që përfshin periudhën kohore prej vitit 1904 deri më 1934. Aty bëhen tok replika veprash të artistëve që shënjuan historinë e artit, si Henri Matisse a Pablo Picasso./ Marrë nga koha.net

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *