Nga Emirjon Senja
“Uji bëhet i kuq nga balta, tmerrohen pushuesit në Vlorë”; “Bllokohet trafiku, 45 minuta për të përshkuar 5 km në Vlorë”; “Punime në rrjet, Radhima mbetet pa energji eletrike në mes të sezonit”, “Punime të reja në mes të sezonit turistik në rrugët e Durrësit”, këto janë disa nga kronikat që has këto ditë në media aq sa të krijohet përshtypja se ka një komplot kundër turizmit shqiptar, i cili përballet çdo vit me të njëjtën situatë si një, dy, tre apo shumë vite më parë.
Për disa vite me radhë Vlora dhe Bregu janë përballur me probleme të furnizimit me energji elektrike. Është një problem ende i pazgjidhur pavarësisht investimeve të bëra në këtë drejtim, të cilat nuk po mundet të japin frytet e tyre as në fillim të këtij sezoni.
Nëse kronikat e mësipërme do t’i shikonte dikush që nuk njeh të shkuarën dhe marrëdhenien që kemi pasur ne me turizmin dhe turistin me të drejt do të mendonte se kemi të bëjmë me një komplot të mirë organizuar kundër turizmit shqiptar gjatë këtij viti.
E pse jo?
A nuk sjellin të gjitha këto një rezultat të vetëm? – Largimin nga sytë këmbët të çdokujt që ka vendosur të shlodhet në brigjet shqiptare për këtë vit duke zgjedhur një breg tjetër ku ofrohen të paktën kushtet më minimale të nevojshme për të bërë turizë.
Është një version mëse i besueshëm. Madje, versioni i komplotit heq edhe përgjegjësinë ndaj shumë institucioneve dhe personave që kanë pasur detyrën që të përgatisin infrastrukturën e duhur në mënyrë që oferta shqiptare të jetë po aq joshëse sa ajo greke apo malazeze. Për hir të së vërtetës, ky version do të ishte një lehtësim për të gjithë pasi mjaftonte të gjendej sabotatori dhe çshtja do të ishte e zgjidhur në vetëm pak ditë.
Por, të paktën për çështjen në fjalë, nuk e kemi as shancin t’ua hedhim fajin grekëve apo serbve siç jemi mësuar rëndom. Sa i përket turizmit, fatkeqësisht deri më tani kemi treguar se nuk kemi pasur nevojë për mendje të ndyra nga jashtë që të shkatërrojmë veten.
Na ka mjaftur vetja jonë