Mos lexoni libra, dëgjoni libra! Para se të shkruhej, është rrëfyer dhe është dëgjuar. Edhe kujtesa jonë e parë është kujtesë dëgjimi përrallash e rrëfenjash nga gjyshërit a nga prindërit. Vetë ‘Lahuta e Malcis” është përmbledhje e rrëfimeve gojore ndër breza, që në mungesë të shkrimit kanë përdorur kujtesën dhe zërin për tu trashëguar ndër breza. Para Lahutës është rrëfyer Epi i Gilgameshit.
Nga Fatmira Nikolli/ GSH
Sot, ndërsa libri letër përballet me krizën, libri digjital (e-book) dhe libri me zë a libri i folur (audiobook) kanë marrë gjithnjë e më shumë terren falë teknologjisë. Jashtë Shqipërisë, si libri ebook-u dhe audiobook- u kanë përhapje të gjerë, ndërsa në shqip, janë ende një udhë e re.
“Dhjata e re” është mbase i pari ‘libër’ me zë në vendin tonë. Por jo i vetmi. Një zonjë shkodrane prej gjashtë muajsh ka krijuar të parin uebsajt ku gjenden disa ‘libra me zë’ a ‘libra të folur’ në gjuhën shqipe. Mbështetur në modele ndërkombëtare si ‘LibriVOX’, “LiberLiber’, “Libroparlato”, “Audiobook.com”, Violeta Volumi ka përuruar në një nga rruginat e ‘Gjuhadolit’ nismën e saj volumiaudiolibra.com në qendrën rinore “Arka” në Shkodër. Një nismë krejt vetjake, pa fonde shtetërore e pa përfitime monetare, një nismë e vullnetit të mirë e me vullnetarë. “Para se të incizoj një libër, duhet të pres të pushojnë së lehuri katër qenë, duhet të mbaroj para se të nisin të këndojnë gjelat dhe ndërkohë uroj të mos kalojnë makina”, thotë Volumi, tani pensioniste e vite më parë mësuese e fizikës. Deri tani, në sajt janë hedhur 44 orë e 30 minuta libra me zë duke filluar nga Leon Tolstoi “Vdekja e Ivan Ilicit”, Jack London “Ligji i jetës”, Victor Hugo “Kozeta”, Mark Tuein “Princi dhe i varfëri”, Edgar Allan Poe “Tregime tmerri”, Franz Kafka “Letër babait”, Stefan Cvajg “Letra e një të panjohure”, etj.
NISMA
Gjithçka nisi disa muaj më parë, kur i ra në duar një i-pad përmes të cilit shfrytëzonte e-bookun e ku ra në kontakt me audiolibrin ose audiobook. “U mahnita nga e-booku dhe ndërsa kërkoja libra mësova ‘Librivox’ apo ‘liberliber’, ku më dolën audiot dhe fillova ti dëgjoj. Në një prej këtyre pashë që kërkoheshin vullnetarë për lexim dhe u regjistrova. Më dhanë programet për të bërë regjistrime, sipas librave duke respektuar copyrightin. Pas kësaj mendova të bëj librin audio në shqip”. Këtu nisi e gjitha. Që te këto sajte të futej edhe audiolibri shqip, duhej një marrëveshje e Ministrisë së Kulturës, realizimi i së cilës do kohë, që të shmangen problemet me të drejtat e autorit. “Vendosa ta bëj vetë në mënyrë vullnetare. Kam ndërtuar sajtin volumiaudiolibra.com me ndihmën e një të afërmit tim në Itali sepse nuk kam mundësi pagese duke qenë pensioniste. Kam pasur ndihmën e disa vajzave e djemve që kanë lexuar si vullnetarë: Gentiana Daka, Evi Skuqaj, Anila Hoxha, Shpresa Hoxha, Joy Banushi, Andreas Dushi, Ana Prendi, Suela Gjecaj, Drisela Kullolli, Anila Gjecaj, Stelina Perndrecaj, Orsola Deda, Marinela Pambuku, Sajmira Halili, Elda Ndoci, Elisa Cesaj, Sara Dokaj. Ndërkaq, kam mësuar programimin, modifikimet, si vihen tekstet, fotot, zërat. Audio është në shqip, ndërsa prezantimi i faqes është në anglisht, shqip dhe italisht, si edhe të dhënat për librin dhe autorin”, thotë Violeta Volumi.
LIBRAT
Nga muaji nëntor deri tani janë lexuar 27 libra ku përfshihen: 45 përralla, 31 tregime, 10 novela, 3 romane, 2 studime (“Ditari i Evës dhe Adamit” i Mark Tuein dhe “Frikë e të dridhura” nga Kierkegaard). Volumi shpjegon se shumica e autorëve janë të huaj për shkak të së drejtës së autorit. “Unë që të kem të drejtë t’i vë në uebsajt, duhet që autori të ketë mbi 70 vite që ka vdekur.
FIZIKANTJA E LIBRAVE
Violeta Volumi ka qenë dikur mësuese fizike, me një pasion të veçantë për letërsinë dhe gjuhët e huaja. Anglishten e ka mësuar nga Zef Zorba më 1980, ndërsa vetë ai e kishte mësuar në burg. Më pas ka mësuar italishten dhe frëngjishten tashmë të mbrojtura. Kur e pyet pse një mësuese fizike merret kaq shumë me libra, Volumi qesh dhe thotë: “Pasioni për letërsinë e artet ka qenë gjithnjë në shtëpinë tonë. Ishim 10 fëmijë që në kohën e lirë bisedonim shumë për letërsinë. Mbaj mend që në gjimnaz ‘Njeriun që qesh’, ‘Kontin e Montekristos’ i lexoja në shtëpi dhe ua tregoja shoqeve në shkollë. Pra që atëherë e kam nisur’ punën e librit me za”. Atëherë e pyes pse në shkollë zgjodhi fizikën. “Është e bukur fizika. Është një mrekulli. Është më e bukura, më formuesja, e të gjitha degëve shkencore. Ka elementë të filozofisë, të bën të analizosh”.
Si mësuese, ajo e ka filluar punën në Mnelë, një fshat tri orë larg Shkodrës me këmbë e me makinë. Sot, mbasi i ka dhënë jetë pasionit të saj, Violeta Volumi synon që sajti të jetë edhe aplikacion në celular që të mund të dëgjohet edhe kur në telefon nuk ka internet, në avion për shembull. Për t’ia mbërritur kësaj, Volumi në pak ka mësuar të bëjë edhe tekniken e zërit. “Bëj pastrimin e zërit, heq zhurmat, sfondet, frymëmarrjet apo gabimet që bëhen, nga unë apo nga vullnetarët që lexojnë librat me zë dhe më sjellin audiot.
perrshendetje si mund te degjome keto libra