Fotografi shqiptar Enri Canaj vlerësohet për imazhet e sirianëve me çmim nga “Lumix Photo Festival”

Seria e fotografive me të cilat Enri Canaj krijon një rrëfim për fatin e refugjatëve sirianë që ia kanë mësyrë Evropës në kërkim të shpëtimit, ka marrë çmimin që ndan organizata më e madhe gjermane e fotoreporterëve.
Seria “The Wind Cries War” është shpërblyer në festivalin e fotoreporterëve të rinj “Lumix Photo Festival” të mbajtur në qytetin Hanover, shkruan sot “Koha Ditore”. Fotografi me origjinë nga Shqipëria, i cili njihet për dokumentimin e krizës së refugjatëve, e ka publikuar në profilin e tij në rrjetin social “Facebook” lajmin për vlerësimin që i është bërë punës së tij.
“Jam i lumtur t’ju lajmëroj që vepra ime e fundit për krizën e refugjatëve është vlerësuar në “Lumix Photo Festival” në Hannover. Faleminderit dhe fat të mbarë për të gjithë fotografët që kam takuar!”, ka shkruar Canaj.
Në uebfaqen e festivalit është publikuar lista me fituesit dhe përshkrimet e fotografive e të punës së tyre. Aty shkruhet se çmimi “FREELENS Award 2016” i është ndarë Enri Canajt, i cili është fotograf nga Shqipëria, që emigroi me familjen e tij në Athinë kur ishte 11 vjeç. Ai studioi fotografinë në Akademinë Leica në Athinë. Në vitin 2007 ai mori pjesë në një projekt të Këshillit Britanik për Migrimin, duke ndjekur një seminar njëvjeçar me fotografin e agjencisë “Magnum”, Nikos Economopoulos. Që nga viti 2008, Canaj është një fotograf i pavarur për publikime të rëndësishme si “Time Magazine”, “CNN Photo Blogs’, “Newsweek”, “Le Monde Diplomatique”, “Burn Magazine”, “Courrier International” e të tjera.
“Qysh prej fillimit të luftës civile në Siri në mars të vitit 2011, situata në Lindjen e Mesme është duke u përkeqësuar. Numri i njerëzve që kanë braktisur shtëpitë e tyre është rritur ditë pas dite. Shpresa për një jetë më të mirë është shpeshherë e vetmja makinë për t’i mbijetuar provat dhe vështirësitë e mëdha kur ikin nga shtëpia e tyre. Enri Canaj e ka dokumentuar situatën e njerëzve që kanë ardhur në Greqi dhe Maqedoni, vetëm për të mbërritur në Evropën Perëndimore”, shkruhet në uebfaqen zyrtare të festivalit që organizohet nga dega e fotoraportimit dhe fotografisë dokumentare në Universitetin e Shkencave dhe Arteve të Aplikuara në Hanover bashkë me Asociacionin për Promovimin e Fotografisë në Hanover, sikurse edhe me mbështetjen e asociacionit të fotoreperterëve gjermanë “FREELENS”.
Festivali ka për qëllim të bëhet platformë për diskutime, një ekspozitë e fotografisë dhe forum i talenteve për redaktorët e fotografisë dhe audiencën e ekspertëve të interesuar, sikurse edhe atyre që thjesht e duan fotografinë. “FREELENS”, që është organizata më e madhe gjermane e fotoreporterëve, i ka ndarë çmimet “FREELENS Award” në edicionin e 5-të të “LUMIX Festival for Young Photojournalism”, në një ceremoni të mbajtur të shtunën mbrëma. Gjashtëdhjetë veprat më të mira ishin përzgjedhur nga një ekip kuratorësh dhe janë ekspozuar në disa pavijone përgjatë festivalit.
Canaj në gusht të vitit të kaluar kishte prezantuar një pjesë të punës së tij në Sheshin e Lidhjes në Prizren, në kuadër të edicionit XII të “DokuPhoto”, që mbahet në kuadër të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “Dokufest”. Ekspozita e tij e titulluar “Refugjatët sirianë në Greqi” dokumentonte dëshpërimin e një grupi emigrantësh nga Siria, të cilët arrijnë në bregdetin grek. Në shtator të vitit 2014, fotografi Enri Canaj ishte dëshmitar i një varke të vogël me 49 refugjatë sirianë, të cilët kalonin kufirin detar mes Turqisë dhe Greqisë. Refugjatët refuzonin ndihmën e rojës bregdetare greke dhe kur anija e tyre e vogël arriti në një ishull të pabanuar, ata u zhdukën në mjegullën e mëngjesit. Canaj shkoi pas tyre dhe dokumentoi negociatat e vështira ndërmjet organeve shtetërore dhe refugjatëve. Në fund, refugjatët e kuptuan se vendi i braktisur ku kishin arritur nuk kishte ushqim apo ujë për t’u ofruar dhe lejuan rojën e detit t’i çojë në portin e Kios. Canaj, që ndoqi refugjatët, dokumentoi ditët e para të tyre në ishullin e vogël të Egjeut.
Përveç në Prizren, puna e tij është ekspozuar në Fondacionin Kulturor të Bankës Kombëtare të Greqisë në Athinë, në Santral Bilgi në Stamboll, në Parlamentin Evropian në Bruksel, në Festivalin e Fotografisë në Athinë më 2013, në atë të New Delhit më 2014, si dhe ekspozita e tij personale në Muzeun Shtetëror të Artit Bashkëkohor në Selanik. Enri Canaj punon në Ballkan, kryesisht në Kosovë, Shqipëri dhe Greqi, duke u fokusuar në migrimin dhe krizën e fundit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *